“Nuk ka asnjë anulim, presim që mbledhjen e ardhshme të Komitetit Qendror të zgjidhen të gjitha organet partiake. Nuk ka asnjë pakënaqësi. LSDM është bashkuar në qëllimet e saj”, thonë nga LSDM-ja, duke folur për zërat se ka dallime brenda partiake për shkak të zgjatjes së procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve partiak
Destan JONUZI
Shkup, 22 gusht – Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), në vazhdën e aktiviteteve për riorganizim brenda partiak me javë të tërë ka ngelur në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve. Burime partiake thonë se procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve do të vazhdojë sonte, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore, ndërsa është shtyrë deri më tani nga kreu i LSDM-së, Zoran Zaev që mos të krijohen tensione brenda partiake, pasi sipas po të njëjtit burim, disa nga ish nënkryetarët nuk do të jenë më “kokat” e kësaj partie. E sigurt se nuk do të jetë zëvendës i Zaevit është ish-nënkryetarja Frosina Remenski , ndërsa pritet të kthehet sërish Oliver Spasovski dhe Muhamed Zeqiri.
Por, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov në një deklaratë për gazetën KOHA, mohon të ketë konfrontime dhe pakënaqësi brenda partiake duke theksuar se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Qendror, do të zgjedhjen të gjitha organet partiake, pa precizuar saktë se kur do të mbahet. “Nuk ka asnjë anulim, presim që mbledhjen e ardhshme të Komitetit Qendror të zgjidhen të gjitha organet partiake. Nuk ka asnjë pakënaqësi. LSDM është bashkuar në qëllimet e saj dhe idealet programore, sigurimi i një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së veriut”, deklaroi Kostadinov.
Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Komitetit Qendror LSDM ka zgjedhur shumë anëtarë të rinj në komisionet partiake ndërsa për koordinatore të forumit të grave ka zgjedhur deputeten Snezhana Kalevska Vancevska. Për kryetar Komisioni për punë të brendshme është zgjedhur Zoran Verushevski, për shëndetësi Venko Filipçe, për kulturë Robert Allagjozovski, për punë të jashtme Edmond Ademi, për transport Blagoj Bocvarski, për shoqëri informative Dragan Gocevski. Por, Këshilli Qendror i LSDM-së nuk ka arritur t’i zgjedh nënkryetarët e partisë. (koha.mk)