Pakënaqësitë në rritje të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës me qasjen e Bashkimit Evropian, nuk nënkuptojnë largimin nga përcaktimi për integrimin e Kosovës në BE, thonë deputetë dhe njohës të integrimeve. Vënia e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht të pazëvendësueshëm për heqjen e vizave, në Prishtinë vazhdon të shihet si një padrejtësi që i është bërë Prishtinës nga ana e Brukselit. Të premten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pritet që të diskutojë me zyrtarët e lartë të BE-së, në Bruksel perspektiven evropiane të Kosovës, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe çështjen e kushtëzimit të Demarkacionit dhe liberalizimit të vizave. Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka perspektivë evropiane dhe se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, është një prej synimeve të institucioneve të vendit. “Mendoj që Kosova po kalon nëpër një proces dhe po ecë nëpër rrugë në të cilat shumë shtete kanë kaluar”, tha Deliu-Kodra. Sipas saj, Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që të ketë përsëritje të gabimeve që kanë ndodhur me shtetet e tjera. “Prandaj nuk e them që janë raporte të këqija me BE-në. Ne kemi takime të vazhdueshme, kemi konsultime të vazhdueshme nga të gjithë akterët politikë, por që fokusi duhet të jetë tek kryerja e obligimeve “, tha Deliu-Kodra. Ajo tha po ashtu se Kosova e ka një agjendë të përcaktuar nga BE-ja dhe obligime duhet të përmbushen.