Urim HASIPI
Tetovë, 15 dhjetor – Qytetarët të cilët blejnë në tregun e gjelbër në Tetovë, por edhe shitësit të cilët tanimë kanë blerë tezga për të kryer veprimtari tregtare në tregun e gjelbër në Tetovë, vitin e kaluar janë ballafaquar me një sërë problemesh, shkruan gazeta KOHA. Pa parkingje të mjaftueshëm për blerësit, me trotuar të dëmtuar, gjegjësisht gërmuar që paraqet rrezik për lëvizjen e kalimtarëve, me një numër të madh të tezgave të improvizuara, dhe shitës të egër, kjo është fotografia e njërit prej tregjeve më të mëdha në vend. Tetovarët konsiderojnë se autoritetet komunale duhet që të përkujdesen më shumë për tregun e gjelbër dhe të vendosin rend dhe kontroll. Komuna e Tetovës para dy viteve ndërmori një aksion për rregullimin e hapësirave publike, përreth tregut të gjelbër. Për pronarët e shitoreve autoritetet komunale shënuan hapësirat deri ku ata lejohen që të ekspozojnë produktet e tyre, vendparkimet e parapara për automjete ishin të lira për parkim, me çka kishte hapësira për lëvizjen e lirë të blerësve. Me kalimin e kohës ky rend u prish, dhe përveç paraqitjes së problemeve të njëjta u paraqitën edhe disa probleme të reja. Nga Komuna e Tetovë thonë se rregullimi i trotuarit para tregut të gjelbër në Tetovë po vonohet për shkak të problemit me sigurimin, furnizimin e pllakava të bekatonit sipas projektit të paraparë. Sapo të arrijnë pllakat e reja të begatonit, do të vazhdojnë punimet për rregullimin e trotuareve edhe në pjesën e tregut të gjelbër.
“Sa i përket punimeve në këtë drejtim jemi duke shkuar si duhet, edhe pse kemi hasur në pengesa të cilat po mënjanohen , fillimisht punimet kanë filluar në mars të këtij viti dhe ka qenë faza e parë e shtrimit të trotuareve me pllaka përgjatë bulevardit, rrugës Ilirija dhe Mareshal Tito, të qendrës së qytetit, më pas është bërë një edhe një plotësim shtesë i afatit të fillimit të punëve në qershor të këtij viti, më pas edhe në muajin gusht është kryer një pjesë e punëve e gjithë kjo për shkak të kërkesave shtesë të banorëve të kësaj zone, sepse gjatë punimeve kemi hasur në disa kërkesa shtesë të qytetarëve , ne si sektorë më saktësisht komuna e Tetovës është në kontakt të vazhdueshëm me kryerësin e punëve që po bëjnë në shtruarjen e pllakave në rregullimin e trotuareve dhe në anën tjetër me qytetarët që në afat sa më të shpejtë të përfundojë ky projekt që në periudhën e ardhshme të mos hasim në probleme të ngjashme në këtë drejtim”, deklaroi Arsim Nuredini, nga Sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës. Pas vendosjes së pllakave të bekatonit në hapësirat përreth tregut të gjelbër në Tetovë sërish do të shënohet hapësira e lejuar për pronarët e dyqaneve deri ku ata do të mund të ekspozojnë produktet e tyre, dhe kjo edhe më tutje do të kontrollohet nga shërbimet tona, njoftojnë nga komuna e Tetovës. Në pranverën e këtij viti kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi paralajmëroi trotuare modern, por k y projekt ende nuk ka përfunduar.
“Ky projekt do të ofrojë një pamje të re estetike dhe funksionale të hapësirave për qarkullim të këmbësorëve përgjatë bulevardit Iliria, dhe pjesës së bulevardit të Ilindenit në pjesën e Postës në Tetovë. Gjithsej do bëhet fjalë për rregullim të hapësirës publike në sipërfaqe prej 15.000 m2, ku përveç shtigjeve dhe zhardinjerë të ngritura për gjelbërim do të bëhet edhe vendosja e gjithsej 73 shtyllave për ndriçim publik, 12 fontanave me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e druve, 22 shporta për mbeturina, 32 konstruksione për parkim të biçikletave si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët”, tha në atë kohë Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës. (koha.mk)