Evis HALILI
Shkup, 12 prill – Edicioni i 29-të i Librit ka shënuar prezantimin më të dobët të librit shqip. Pak shtëpi botuese si nga vendi, ashtu edhe jashtë dhe asnjë ngjarje apo aktivitet i organizuar prej tyre gjatë të gjithë javës sa zgjati panairi, shkruan gazeta KOHA. Logos-A, në stendën e të cilëve numri i titujve të prezantuar ishte dyfish më i madh sesa në ato të tjerat pohojnë se këtë vit kanë pasur më shumë shitje, por edhe një numër më të madh vizitorësh. Librat që janë blerë më shumë janë “Qytetet dhe qytetërimet” nga Ahmet Dautoglu, “Mukadime” nga Ibën Haldun, “Kurani”, i përkthyer në shqip, “Mesazhi i Kuranit”, “Çështje kozmike” nga Gyrsel Donmez, apo “Dyzet net” nga Metin Izeti. “Edhe pse ka pasur pak libra shqip, këtë vit në stendën tonë ka pasur më shumë shitje librash dhe interesim, rreth 600. Vitet e kaluara na ka qëlluar që të rrimë me dy-tre orë dhe të mos ketë asnjë vizitor, por këtë herë ka qenë ndryshe. Kryesisht interesimi më i madh ka qenë për ato libra që i kemi promovuar si tituj të rinj, librat që kanë qenë me ulje çmimi deri në 50 për qind më lirë, por edhe për ato për fëmijë, atlase, e të tjera”, thotë Mensure Ibraimi nga sektori i shitjeve së Logos-A. Stenda e shtëpisë së vetme botuese nga Shqipëria, ajo e Diturisë qëndroi e hapur vetëm për pak ditë. Nga kjo shtëpi botuese thonë se kanë mbërritur me vonesë, për shkak të disa problemeve që kanë pasur, ndërsa nuk japin ndonjë hollësi lidhur me vizitimin e stendës dhe librat më të shitur.
“Kjo nuk është hera e parë që jemi prezent në këtë panair dhe përveç prezantimit të librave kemi pasur si qëllim edhe prezantimin e një projekti që e realizojmë me BE – Storytelling the life”, thonë nga shtëpia botuese Dituria. Në panair, po ashtu u paraqitën në dy stenda më të vogla jashtë listës së prezantuar nga organizatorët edhe ato me shumë pak libra, UET (Universiteti Evropian të Tiranës) dhe e Misionit Adventist. Ndërsa shtëpi të tjera botuese ishin Albas, kryesisht me tituj për fëmijë dhe të rinj, si edhe Nun – R dhe Furkan. Dallimi më i madh në këtë panair mes librit shqip dhe atij në gjuhë të tjera vërehej sidomos në shumëllojshmërinë e librave për fëmijë dhe ngjarjeve që lidheshin me to. Panairi si asnjëherë më parë ka prezantuar shumë libra për fëmijë nga autorë të huaj dhe vendas, po ashtu edhe numri i aktiviteteve, si promovime, prezantime, debate, punëtori për fëmijë, takime me autorë e të tjera kanë bërë që numri i vizitorëve të vegjël të jetë jashtëzakonisht i madh. Shtëpi botuese të tilla si Ars-lamina, Prosvetno delo, Antolog, Edukamak, Jeni Balkan, Ambasada Suedeze e të tjera kanë pasur një program të pasur me aktivitete, gjatë të gjithë ditës. Madje edhe nxënësit shqiptarë të disa shkollave kanë qenë pjesë e këtyre manifestimeve, në mungesë të atyre nga shtëpitë botuese shqiptare. Në këtë edicion të Panairit të Librit merrnin pjesë rreth 80 botuesve nga vendi dhe numri i aktiviteteve të zhvilluara prej tyre ishte 60, kryesisht promovime librash dhe autorësh, debate për librin dhe letërsinë bashkëkohore. Çmimet e librave arrin nga 50 deri në tre mijë denarë, ndërsa uljet e çmimeve në disa stenda ishin deri në 70 për qind nga çmimi i shitjes në librari. Gjatë datave 6-8 prill, në Arena Metropolis u zhvilluan edhe dy panaire të tjera, “Ditët e arsimit dhe karrierës”, si edhe “Ditët e Turizmit”, ku në asnjë prej tyre nuk ishin prezent as universitet, por as agjenci turistike shqiptare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara