Pak ose aspak denarë për investime, apo realizimin e projekteve në institucione të tilla si Qendra e Kulturës në Tetovë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe, apo Muzeu i Alfabetit në Manastir. Drejtuesit e qendrave pohojnë se kjo politikë e ndjekur nga Ministria e Kulturës ngre shumë pikëpyetje jo vetëm për mënyrën e realizimit të projekteve të tyre, por edhe për funksionimin e vetë institucioneve
Evis HALILI
Shkup, 5 mars – Institucionet nacionale janë nënvlerësuar nga Ministria e Kulturës. Pak ose aspak denarë për investime, apo realizimin e projekteve në institucione të tilla si Qendra e Kulturës në Tetovë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe, apo Muzeu i Alfabetit në Manastir. Drejtuesit e qendrave pohojnë se kjo politikë e ndjekur nga Ministria e Kulturës ngre shumë pikëpyetje jo vetëm për mënyrën e realizimit të projekteve të tyre, por edhe për funksionimin e vetë institucionit. Për drejtorin e Muzeut të Alfabetit, Zait Aliu, është e pashpjegueshme se si mundet që për shënimin e Ditës së Alfabetit, institucionit nacional t’i jepen vetëm 200 mijë denarë, ndërsa shoqatave joqeveritar shuma shumë më të mëdha. Prej gjithsej pesë projekteve të propozuara janë miratuar vetëm tre, por me shumë të përgjysmuar nga ajo që kanë kërkuar.
“Programi u hartua me një paradigmë jo parimore diskriminuese e papëlqyeshme nga ministrja e Kulturës, Stefoska, duke i dhënë përparësi dhe prioritet individëve dhe organizatave pa përvojë adekuate dhe të panjohura. Me këto shuma të vogla vendosemi në një pozitë të vështirë për t’i realizuar. Madje, as Ditën e Alfabetit”, thotë drejtori Aliu. Njëjtë ka reaguar edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe, institucion ky që nuk ka përfituar asgjë nga sektori i investimeve kapitale. Ato kanë kërkuar rishqyrtim të projekteve në sektorin e investimeve kapitale, sepse mospërfillja e këtillë është jo vetëm trajtim jodinitoz për artistët e ansamblit, por dhe një dëmtim për kulturën shqiptare. Në reagim thuhet se Ansambli Nacional meriton të ndërtojë gradualisht kushtet e nevojshme për punë dhe komoditetin për punëtorët e tij që meritojnë shumë më tepër sesa që kanë sot. Drejtori Shkodran Tolaj thotë se me këto kushte – do të jetë një vit me shumë pikëpyetje.
“Nuk është e lehtë të funksionojmë këtë vit. Nuk kemi vetura, përdorim ato private. Për të lëvizur për një turne, qoftë edhe deri në Kosovë, Bullgari…. ne duhet të paguajmë minibus dhe të lëvizim me staf të reduktuar, edhe ansamblet amatore i kanë mjetet e veta. Ambientet e reja që kemi marrë nuk kanë asnjë enterier, as karrige, as tavolina, s’e di sesi do t’i financojmë ato”, thotë Tolaj. Me pak para sa i takon investimeve dhe shumë pak për realizimin e projekteve po përballet edhe Qendra e Kulturës në Tetovë. Dy prej problemeve më të mëdha sa i takon mirëmbajtjes së godinës së amortizuar dhe që prej vitesh është në kushte jashtëzakonisht të këqija janë mbyllur nga Ministria e Kulturës me fonde minimale, nga gjithsej 13 projekte të kërkuara – u janë miratuar 9 projekte (në vlere totale prej 679 mijë denarë dhe projekte kapitale të miratuara me shumë prej 1.250.000 denarëve).
“Posaçërisht në projektet kapitale jemi të zhgënjyer nga shuma e miratuar, për shkak se harxhimet janë të dyfishta, ndërsa neve na janë miratuar vetëm 1.000.000 denarë për rikonstruimin e konstruksionit mbulues, të ashtuquajtur Kupolë dhe 250.000 denarë për furnizim me ekran për shfaqje të filmave, nevojë e domosdoshme dhe e pashmangshme për funksionimin normal të qendrës. Kërkojmë që Ministria e Kulturës të bëjë rishqyrtimin e projekteve të programit për vitin 2021 dhe projekteve kapitale”, thotë drejtori Arlind Huseini. Nga Ministria e Kulturës, edhe përpos reagimeve që vijuan menjëherë pas shpalljes së rezultateve, nuk ka ndonjë qëndrim konkret. Të pakënaqur nga rezultatet janë jo vetëm individë, artistë e shoqata, por edhe institucionet nacionale. (koha.mk)