“Kompanitë që prodhojnë ushqim nuk janë të obliguara, por është mirë që ta posedojnë këtë certifikatë. Procesi për marrjen e saj zgjat gjashtë muaj dhe nuk është i shtrenjtë, duke pasur parasysh përfitimet që sjell”, thotë Emilija Todorovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 korrik – Vetëm 20 kompani, të cilat prodhojnë ushqim në vendin tonë, e zbatojnë standardin ISO 22000, i cili ka të bëjë me menaxhimin e sigurisë së ushqimit dhe nënkupton përcjellje të prodhimit nga ferma deri në tryezë. Ky standard në veçanti është i rëndësishëm për kompanitë që eksportojnë për shkak të konkurrencës, por edhe për ato të cilat e kanë të rëndësishme besimin e konsumatorëve, shkruan gazeta KOHA.
“Kompanitë që prodhojnë ushqim nuk janë të obliguara, por është mirë që ta posedojnë këtë certifikatë. Procesi për marrjen e saj zgjat gjashtë muaj dhe nuk është i shtrenjtë, duke pasur parasysh përfitimet që sjell”, thotë Emilija Todorovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Ajo shton që standardi e ka përparësinë për dallim nga shumë standarde tjera, sepse e mbulon të gjithë organizimin dhe kontribuon të sigurohet siguria e ushqimit nëpër tërë zinxhirin e ushqimit nga ferma deri në tryezë.
“Kjo bëhet e rëndësishme, sepse rreziqet paraqiten në cilën do fazë të zinxhirit të ushqimit. Ky standard i mbështet qëllimet e Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm nëpërmjet uljes së numrit të sëmundjeve në lidhje me ushqimin dhe mbështetje për shëndet më të mirë te njerëzit, sepse 2.2 milionë njerëz në vit vuajnë nga ushqimi dhe uji jo i rregullt”, konsideron Todorovska. Përvojat e kompanive që e kanë futur sistemin ISO 22000 garantojnë prodhim të ushqimit të sigurt, gjë që është e rëndësishme për konkurrencën. “Futja e sistemit na garanton prodhim të sigurt dhe me kualitet të lartë. Përfitim është edhe ajo që kemi optimizëm të punës, kontroll më efikas të prodhimit të ushqimit, konkurrencë më të mirë dhe, gjë që është me rëndësi të madhe, kemi furnizues të sigurt të lëndëve të para, të cilët gjithashtu duhet ta kenë certifikatën”, thekson Zhaklina Georgievska nga kompania e prodhimit të vajit për ushqim “Brilijant” nga Shtipi, e cila punon në përbërjen e “Vitaminka”.
Olga Ristevska nga “Vitaminka” njoftoi se kjo kompani planifikon të fut version përfundimtar të certifikatës në të gjitha tre pjesët e prodhueshmërisë, që nënkupton edhe rindërtim të certifikatës edhe në “Brilijant”. Qëllimi i ISO 22000 është që në nivel global të përputhen kërkesat për menaxhim me sigurinë e ushqimit për kompanitë që janë në zinxhirin e ushqimit. Veçanërisht është e dedikuar për zbatim nga ana e organizatave të cilat kërkojnë sistem më të fokusuar, koherent dhe të integruar për menaxhim me sigurinë e ushqimit ndryshe nga ajo që zakonisht kërkohet me ligj. Kërkohet kompania t`i plotësojë të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullative në lidhje me sigurinë e ushqimit përmes sistemit të saj për menaxhimin me sigurinë e ushqimit. (koha.mk)