Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 maj – Maqedonia në dhjetë vitet e fundit në mesatare harxhon gati 150 milionë euro në vit për importin e energjisë elektrike. Vitet e fundit gjithashtu rritet kërkesa për rrymë që nuk mund të kënaqet nga prodhimtaria vendore, andaj rritet edhe rëndësia e burimeve të rinovueshme për prodhimin e energjisë, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët e energjetikës vlerësojnë se Maqedonia ka mundësi që tërësisht nevojat e saja për energji elektrike ti fitojë nga burimet e rinovueshme si uji, era , dielli, biomasa apo ujërat gjeotermal .Megjithatë një gjë ë tillë nuk është aspak e lehtë, por as edhe e lirë shtojnë ekspertët. Burimet e rinovueshme të energjisë në vitin 2013 kanë marrë pjesë me 17 për qind në konsumin e përgjithshëm të energjisë në shtet, ndërsa në vitet e kaluara me mbështetjen qeveritare si tarifat e privilegjuara për energjinë e prodhuar nga burimet ekologjike, janë ndërtuar edhe mjaft hidrocentrale të vogla, termoelektrana me biogas , elektrana të erës e kështu me radhë, megjithatë ka mundësi shumë më të madhe për shfrytëzimin e tyre.
Sipas profesorit universitetar, Konstantin Dimitrov, nuk mungojnë angazhimet në nivel të shtetit që të importi i rrymës të zëvendësohet me energjinë nga burimet e rinovueshme , por megjithatë një gjë e tillë kërkon kohë dhe më shumë investime. “Të gjitha planet tona strategjike për zhvillimin e energjetikës , efikasitetin energjetik dhe për burimet e rinovueshme të energjisë kanë për qëllim të lirohemi nga një import i energjisë elektrike dhe ndoshta jo në 5- 6 vitet e ardhshme , por në 20 vitet e ardhshme nëse mundemi të lirohemi nga importi i energjenseve. Një e gjë e tillë nuk është lehtë dhe e lirë, por sjell përfitime të shumta lidhur me lirimin nga vartësia politike, dhe rritjen e sovranitetit të shtetit. Edhe pse dikush këtë mund të quajë si utopi , megjithatë kjo duhet një udhërrëfim kah duhet të lëvizë zhvillimi energjetik i shtetit”, vlerëson për KOHA, Dimitrov. Në ndërkohë, ekspertët e tjerë vlerësojnë se me rritjen e prodhimtarisë ë së energjisë nga burimet ekologjike, Maqedonia jo vetëm do të lirohet nga importi i energjisë elektrike por edhe dukshëm do të zvogëlojë edhe ndotjen e ambientit. Karina Barnhold Kleper, këshilltare në Këshillin norvegjez të ministrave thotë se Maqedonia ka potencial të madh tek burimet e rinovueshme të energjisë si uji, dielli dhe era. “Maqedonia ka potencial të madh ujor, prej ku vjen pjesa më e madhe e energjisë, filluat edhe shfrytëzimin e energjisë së erës me instalimin në Bogdanci, keni potencial të madh edhe për shfrytëzimin e diellit, pyjeve, si dhe mjaft deponi prej nga mund të nxirret biomasa për ta shndërruar në bioenergji. Megjithatë , nuk duhet harruar se investimi në burimet e rinovueshme të energjisë kushton më shumë se investimet në burimet fosile të energjisë, megjithatë është e rëndësishme që ato të realizohen për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe zhvillimin e shoqërisë”, thekson Kleper. Në ndërkohë, ekspertët e tjerë të energjetikës thonë se gjatë investimit në impiantet e ndryshme për prodhimin e energjisë nga burimet natyrore falas duhet marrë parasysh edhe problemet e ndryshme teknike si dhe ekonomike të kyçjes së tyre në sistemin e tërësishëm elektro-energjetik të një shteti.
“Me shfrytëzimin e potencialit të burimeve të rinovuehsme të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike fitohen më shumë përfitime siç janë pavarësia nga importi i rrymës, ndikim pozitiv në ekonominë nacionale, hapen vende të reja të punës në impiantet për prodhimin e energjisë si dhe fitohet energji e pastër me një ambient më të pastër. Por, megjithatë në praktikë përdorimi i tyre ka edhe sfida të ndryshme siç janë problemet e natyrës teknike për shkak të disperzimit apo shpërndarjes së tyre që vështirëson menaxhimin dhe mbrojtjen e sistemeve për transmetim të energjisë. Probleme shtesë të natyrës ekonomike mund të vijnë edhe si rezultat i jobarazisë së madhe të disponueshmërisë së tyre apo jo parashikueshmërisë relativisht të madhe të burimeve të rinovueshme të energjisë që imponon nevojën e kapaciteteve shtesë prodhuese të tipit klasik”, thotë eksperti Dragan Mitanovski. Sipas tij, për dallim prej teknologjive të tjera për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si ato të erës apo të sistemeve fotovoltaike që shndërrojnë energjinë rrezatuese të diellit në energji elektrike, centralet solare mund të adaptojnë prodhimtarinë ndaj ndryshimeve ditore të ngarkesës për konsumatorët, gjegjësisht të japin energji atëherë kur më së shumti kanë nevojë harxhuesit e energjisë elektrike, si dhe mund të magazinojnë energjinë e ngrohjes .Nga ana tjetër energjia elektrike e fituar nga sistemet fotovoltaike është shumë më e lartë se çmimi aktual i energjisë elektrike nga rrjeti distributiv në Maqedoni, kështu që në aspektin ekonomik pa lehtësime fiskale dhe subvencione, instalimi i një sistemi fotovoltaik nuk është një investim i arsyeshëm. Gjithashtu, për shkak të paraqitjes së erërave me intensitet të paparashikueshëm, elektranat e erës në sistemin elektro-energjetik trajtohen si burime që mund ta japin energji shtesë, por nuk mund të llogaritet në fuqinë e tyre gjatë planifikimit të furnizimit të shtetit me rrymë. Andaj rekomandohet që duke marrë parasysh më shumë faktorë teknik dhe ekonomik në aspektin e punës së sigurt të sistemit elektro-energjetik që fuqia e instaluar e elektranave me erë në sistem të jetë 10 për qind e fuqisë së instaluar të pjesës së mbetur të sistemit elektro-energjetik të përbërë nga hidro dhe termoelektranat. Elektranat me biomasë nuk shkaktojnë probleme në sistemin elektroenergjetik për shkak të parashikueshmërisë së madhe të disponueshëmrisë së lëndës së parë primare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara