Nga Njësia kundër zjarrit në Dibër na informojnë se në ndërtesat e reja kolektive ka hidrantë, por mungojnë pajisjet sekondare të hidrantëve
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 korrik – Dekadën e fundit në qytetin e Dibrës janë ndërtuar shumë ndërtesa për banim kolektiv. Është një interesim i madh për të banuar në këto ndërtesa jo vetëm nga mërgimtarët, por edhe nga vet banorët që jetojnë në qytet dhe në fshatrat përreth. Numri i ndërtesave kolektive rritet nga viti në vit dhe aktualisht në Dibër ka afro 60 ndërtesa kolektive. Por, qëndron fakti se kur është në pyetje mbrojtja nga zjarret pajisjet në ndërtesat në fjalë ose janë jofunksionale ose nuk janë fare. Të mos flasim për përgatitjen e banorëve për të përdorur këto pajisje, meqë sipas banorëve nuk kanë njohuri fillestare për këtë çështje.
Nga Njësia kundër zjarrit në Dibër na informojnë se në ndërtesat e reja kolektive ka hidrantë, por mungojnë pajisjet sekondare të hidrantëve. Njësia në fjalë po ashtu thekson se nevojiten edhe pajisje plotësuese në përputhje me ligjin kundër zjarreve. Komisari i Njësisë së zjarrfikësve, Xhetan Miftaroski, thotë se njësia me vëmendje ndjekë situatën rreth pajisjeve të nevojshme që duhet t’i kenë ndërtesat për banim kolektiv. Por sipas tij, është fakt se shumë pajisje janë jofunksionale, kurse në disa ndërtesa as nuk ekzistojnë. Për këtë problem informohen banorët e ndërtesave kolektive me qëllim që të ndërmarrin masa për të përmirësuar situatën në lidhje me mbrojtjen nga zjarret. “Në shumë banesa ka hidrantë, por nuk ka zorrë”, thotë ai dhe shton se dukuria në fjalë shpeshherë mund të pamundësojë intervenimin adekuat të Njësisë së zjarrfikësve në Dibër.
Kjo problematikë është prezent edhe nëpër disa institucione, prandaj kjo problematikë i takon edhe inspektorit kundër zjarreve të cilin e kemi informuar në kontinuitet. Në lidhje me pajisjet kundër zjarreve, në banesat kolektive biseduam edhe me Arben Fidën, zjarrfikës i njohur dibran, i cili ka patur angazhime edhe si shpëtimtar gjatë tërmeteve në Durrës dhe disa vende të tjera. “Në ndërtesat kolektive në Dibër bie në sy mungesa e shkallëve metalike. Janë shkallë të cilat janë teje të nevojshme për mbrojtjen nga zjarret për banorët që jetojnë në këto ndërtesa. Në shumë ndërtesa mungojnë zorrët që përdoren për shuarjen e zjarreve me hidrolikët. Po ashtu disa pajisje nuk funksionojnë fare dhe janë sa për sy e faqe. Ne si zjarrfikës po ashtu jemi të mendimit se gjatë intervenimeve për shuarjen e zjarreve, jo vetëm në ndërtesat kolektive, por edhe në ndërtesat individuale popullata duhet të ketë informata të përgjithshme se si nuk duhet t’i pengojnë zjarrfikësit gjatë intervenimeve edhe pse ata si banorë kanë dëshirë të madhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit”, thekson Fida.
Duke marrë parasysh problemin në fjalë, në ndërtesat për banim kolektiv, sipas ligjit, duhet të ketë person për kontakt me Njësinë e zjarrfikësve. Këta persona për fat të keq nuk janë përzgjedhur, thonë nga Njësia e zjarrfikësve në Dibër, e cila me aktivitete e saj mbulon komunat Dibër dhe Qendër Zhupë dhe shpeshherë edhe intervenon në shuarjen e zjarreve në vendbanimet kufitare të Shqipërisë. Po ashtu kjo njësi gjithmonë në kohë informon banorët për t’i tejkaluar mangësitë rreth pajisjeve kundër zjarreve. Një problem shumë i madh është edhe ndërtimi i ndërtesave kolektive, të cilat kanë vetëm një hyrje dhe dalje. Nga Njësia e zjarrfikësve sugjerojnë që gjatë ndërtimit të ndërtesave kolektive të merret respektimi i tërësishëm edhe i elementeve që kanë për qëllim mbrojtjen nga zjarret.