Shkup, 31 korrik – Tridhjetë e gjashtë persona me aftësi të kufizuara trupore sot kanë marrë pajisje më bashkëkohore, më funksionale dhe më të sigurta të cilat duhet ta lehtësojnë lëvizjen dhe mobilitetin e tyre. Pajisjet janë siguruar nga Lidhja kombëtare e personave me invaliditet trupor – Mobilitet Maqedoni, nga mjetet në vlerë prej 1,6 milionë denarë, që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ia ndan Lidhjes në harmonizim me programin për punë dhe planin e miratuar financiar për vitin 2018.
Ministrja e Punës dhe Politikës Social, Mila Carovska, e cila sot mori pjesë në ndarjen e pajisjeve ortopedike, theksoi se kjo tregon se paratë shpenzohen me dedikim dhe shkojnë për t’i kënaqur nevojat e këtyre personave.
“MPPS kujdeset për të gjithë qytetarët me aftësi të caktuara ose invaliditet trupor që të mund të bëjmë maksimum edhe në pjesën e të drejtave edhe në pjesën e shërbimeve që me të vërtetë të përmirësohet cilësia e jetës së tyre. Ministria bën përpjekje me sigurimin e mjeteve të nevojshme për funksionimin e Lidhjes kombëtare të organizatave invalidore dhe Lidhjes kombëtare të personave me invaliditet trupor të Maqedonisë – Mobilitet Maqedoni për ta nxitur punën në fushën e dukshmërisë së personave me aftësi të kufizuara, ndërsa me këto pajisje ortopedike dhe lehtësimin e lëvizjes, prania e personave me aftësi të kufizuara në jetën sociale do të jetë një përditshmëri”, deklaroi ministrja Carovska.
Me mjetet që i kanë marrë nga MPPS, Lidhja ka furnizuar 19 lajnerë silikoni për personat të cilët kanë amputacion në ekstremitet, 20 pajisje elektrike të cilat mund të instalohen në cilin do lloj karroce invalidore dhe për ta shpejtuar dhe lehtësuar lëvizjen nëpër qytet, shtatë këpucë ortopedike me lartësi prej gjashtë centimetra, ndërsa rreth 271 mijë denarë janë ndarë për ndihmë të anëtarëve gjatë mjekimit dhe furnizimit të pajisjeve ortopedike.