Disa studiues në MIT Media Lab kanë dalë me një pajisje shumë interesante. Dhe ajo duket si një maskë e Bane e gërshetuar me një kallamar. Ose nëse preferoni: si një përbindësh i filmave horror, i cili ngadalë e pushton nofullën para se të zvarritet në gojën tuaj.
Hulumtuesit e prezantuan punën e tyre në International Conference on Intelligent User Interfaces (po, një gjë e tillë ekziston) në mars në Tokyo. Sa herë që mendoni për fjalët, ato në heshtje, pa perceptim, transmetohen në gojën tuaj. Më konkretisht, sinjalet arrijnë në muskujt që e kontrollojnë gojën tuaj. Dhe këto sinjale nuk janë të paperceptueshme për një kompjuter shumë të ndjeshëm, shkruan Koha Ditore.
Studiuesit e quajnë këtë pajisje AlterEgo. Ajo i ka shtatë elektroda të vendosura rreth gojës për t’i regjistruar këto sinjale. Të dhënat që i marrin elektrodat kalojnë nëpër disa raunde të procesimit përpara se të transmetohen me valë në një pajisje që pret udhëzime në afërsi. Oh, dhe pajisja ka kufje asht-përçuese në mënyrë që pajisjet të mundë të reagojnë.
Shkencëtarët e testuan prototipin e tyre në disa persona të cilët e trajnuan softuerin për t’i njohur të dhënat që korrespondonin me komanda të ndryshme (“thirrje” (call), “përgjigje” (reply), “shto” (add)), pastaj disa të tjera për të parë se sa i saktë ishte. Rezultatet ishin premtuese, edhe pse nuk është gati për të shkuar në prodhim masiv.