Ndërfaqet e bartshme njeri-makinë – pajisje që mund të mbledhin dhe ruajnë informacione të rëndësishme shëndetësore në lidhje me bartësin, ndër përdorime të tjera – kanë përfituar nga përparimet në elektronikë, materiale dhe dizajnime mekanike. Por modelet aktuale mund të jenë akoma të mëdha dhe të parehatshme, dhe ato jo gjithmonë mund të trajtojnë funksione të shumta njëkohësisht.
Hulumtuesit raportuan ditë më parë për zbulimin e një pajisjeje elektronike të bartshme ultra të hollë shumëfunksionale, e cila është e paperceptueshme për bartësin.
Pajisja ia mundëson bartësit që të lëvizë natyrshëm dhe është më pak e dukshme sesa bartja e një plasteri, tha Cunjiang Yu, profesor i asociuar i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Houston dhe autor kryesor i punimit të publikuar si artikull kryesor në Science Advances.
“Gjithçka është shumë e hollë, vetëm disa mikronë e trashë”, tha Yu, i cili gjithashtu është hulumtues kryesor në Qendrën e Texasit për Superpërçueshmëri në UH. “Nuk do të jeni në gjendje ta ndieni atë”.
Pajisja e ka potencialin të punojë si një lëkurë protetike për një dorë robotike ose pajisje të tjera robotike, me një ndërfaqe të fuqishme njeri-makinë që i mundëson të mbledhë automatikisht informacionin dhe ta transferojë atë tek bartësi.
Kjo ka aplikime në kujdesin shëndetësor – “Çfarë nëse kur i shtrëngoni duart me një dorë robotike, ajo do të ishte në gjendje ta konfirmonte menjëherë gjendjen fizike?” pyeti Yu – si dhe për situatat si rrjedhjet kimike, të cilat janë të rrezikshme për njerëzit, por kërkojnë vendimmarrje njerëzore bazuar në inspektimin fizik.
Derisa pajisjet e tanishme po fitojnë popullaritet, hulumtuesit thanë që ato mund të jenë të rënda për t’u bartur, ofrojnë kohë të ngadalta reagimi dhe e kanë një rënie të performancës me kalimin e kohës, shkruan Koha Ditore. Versionet më fleksibile nuk janë në gjendje të ofrojnë funksione të shumta menjëherë – duke e ndierë dhe ndërruar, për shembull, stimulimin dhe ruajtjen e të dhënave – dhe zakonisht janë të shtrenjta dhe të ndërlikuara për t’u prodhuar.
Pajisja e përshkruar në letër, një gjysmëpërçues oksidi metalik në një bazë polimeri, ofron avantazhe prodhuese dhe mund të përpunohet në temperatura më të ulëta se 300 gradë Celsius.
“Po sjellim një pajisje ultra të hollë, mekanikisht të paperceptueshme dhe fleksibile HMI (ndërfaqe njeri-makinë), e cila bartet në lëkurën e njeriut për t’i regjistruar të dhënat e shumta fizike dhe gjithashtu në një robot për të ofruar reagime inteligjente, duke e formuar kështu një HMI me qark të mbyllur”, shkruajnë hulumtuesit. “Pajisja e butë dhe elastike multifunksionale HMI është e bazuar në një elektronikë nanomembrane gjysmëpërçuese të oksidit të indit të zinkut sol-xhel-në-polimer të procesuar me një hap”.