Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 janar – Gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin paga që nuk arrijnë as 200 euro, ndërsa gjysma tjetër marrin paga prej 200 deri në 400 euro, shkruan gazeta KOHA. Sipas analizave të Institutit Fajnens Think, madje 43 përqind e të punësuarve në Maqedoni marrin paga më të vogla se 12 mijë denarë, 8 përqind marrin paga më të mëdha se 25 mijë denarë, ndërsa gjysma e të punësuarve marrin paga prej 12 deri 25 mijë denarë. Nga ana tjetër, edhe pse paga e punëtorëve në Maqedoni janë rritur në dhjetë vitet e kaluara për 60 përqind, megjithatë ato akoma janë më të ulëtat në rajon. Analizat tregojnë se madje 70 përqind e të punësuarve marrin pagë më të ulëta se mesatarja prej 22 mijë denarëve, ndërsa në mesatare stagnon ritja e pagave që në pesë vitet e kaluara është rritur me nga një përqind në vit. “Ritja e pagës neto në përgjithësi i detyrohet rritjes ekonomike, ndryshimit të rregullativës për pagën minimale si dhe ndryshimeve të përllogaritjes së pagës bruto. Në vitin 2009 në pagë neto llogariteshin edhe shtesat për ushqim dhe transport dhe kishim rritje të madhe të pagave neto, megjithatë në Maqedoni gati gjysma e të punësuarve marrin paga deri 12 mijë denarë, ndërsa tetë përqind marrin paga mbi 25 mijë denarë, që tregon se rritjen e pagave nuk e ndjejnë të gjithë njësoj”, thotë drejtoresha e Institutit Fajnance Think, Bllagica Petreski.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e punëdhënësve thonë se shkallët e ulëta të rritjes së pagave janë rrjedhojë e produktivitet të ulët. “Në kushte të inflacionit të ulët dhe kursit stabil të denarit, pagat mund të rriten vetëm në rast se kemi rritje të produktivitetit të kompanive. Çdo rritje më e madhe se rritja e produktivitetit do të ulëte konkurrencën e kompanive tona në treg dhe do të sjellte deri tek mbyllja e kompanive. Fakti se gati gjysma e të punësuarve marrin paga nën 12 mijë denarë dhe vetëm 8 përqind marrin paga mbi 25 mijë denarë, flet se në ekonominë tonë dominojnë veprimtari me intensitet të madh të punës, ku përqindja më e madhe e të punësuarve janë me nivel të ulët të arsimimit dhe punojnë punë të thjeshta manuale. Për paga më të larta nevojitet ndryshimi i strukturës ekonomike dhe rritja e veprimtarive me vlerë më të madhe të shtuar, si për shembull, numri i punëtorëve në veprimtaritë si ajo e pajisjes elektrike, të prodhimeve kompjuterike, elektronike dhe të ngjashme që aktualisht është dhjetë herë më i vogël si ai i të punësuarve në veprimtarinë e veshmbathjes”, thotë kryetari i Organizatës së punëdhënsve Angel Dimitrov. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike në Maqedoni, punëdhënësit edhe pse janë të interesuar të rrisin pagat punëtorëve të tyre, megjithatë nuk kanë mundësi për një gjë të tillë duke marrë parasysh ambientin e vështirësuar ekonomik dhe problemet e shumta që vështirësojnë mbijetesën e tyre pas pagesës së detyrimeve ndaj shtetit dhe mbulimit të harxhimeve të ndryshme. Vlerësohet se kompanitë në Maqedoni thjesht nuk kanë mundësi për rritje më të madhe të pagave, duke marrë parasysh qarkullimin, por edhe realizimin e tyre për çdo muaj dhe në fund të vitit pasi janë të orientuar të punojnë kryesisht në tregun vendor dhe shumë pak në tregun e jashtëm. Sugjerohet stimulimi i degëve të tilla ekonomike që janë të orientuara në eksport, punojnë me teknologji të lartë dhe nesër mund të paguajnë paga më të larta. “Duhet të nxiten kompanitë vendore të marrin pjesë në tregjet globale nëse dëshirojmë rritje më të madhe ekonomike. Gjithashtu, duhet të krijohen prodhime inovative konkurruese, të investohet teknologji e re që do të rrisë produktivitetin që do të ndikojë edhe në pagat”, thotë kryetari i Konfederatës së biznesit, Mile Boshkov. Ndryshe, Maqedonia me 2.2 euro të pagesës mesatare për një orë pune renditet ndër shtetet me fuqinë më pak të paguar punëtore në Evropë. Me fjalë të tjera, çmimi i fuqisë punëtore tek ne është gati dhjetë herë më i vogël në raport me nivelin mesatar të BE-së, ku një punëtor paguhet 25 euro për një orë pune. Madje, punëtorët tanë paguhen edhe më pak se ata në Bullgari që me 4,1 euro ka fuqinë me të lirë punëtore në nivel të Bashkimit Evropian, të pasuar nga punëtori në Rumani që paguhet pesë euro për një orë pune.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.