Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 shkurt – Amvisëritë janë katër herë më të rregullta se kompanitë në pagesën e borxheve ndaj bankave. Prej shumës së përgjithshme (4.7 miliardë euro) të miratuara të kredive në Maqedoni , kredi kontestuese apo të dyshimta janë afër 325 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Analizat tregojnë se në totalin e kredive prej 6.5 për qind që kanë vështirësi me kthimin e rregullt të borxheve ndaj bankave, dominojnë bizneset ndaj amvisërive, në raportin katër me një. Në ndërkohë, kreditë e miratuara për popullatën deri në muajin tetor të vitit 2017, kanë arritur shifrën prej 2 miliardë e 270 milionë euro, që si shumë i është afruar kreditimit të biznesit me 2 miliardë euro e 370 milionë euro.
Për dallim prej viteve të kaluara kur në kreditim kishte përparësi biznesi, tani bankat i kthehen popullatës me arsyetimin se është rritur rreziku tek kompanitë që janë të goditura nga kriza politike. Ndryshimin e trendeve e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë, sipas të cilave në periudhën dhjetor të vitit 2016 deri në muajin tetor të vitit 2017 është rritur borxhi i qytetarëve në banka nga 129 miliardë denarë në afër 140 miliardë denarë apo afër 2.3 miliardë euro. Në të njëjtën periudhë shënon ulje kreditimi i biznesit prej afër 160 miliardë denarë në afër 146 miliardë denarë apo afër 2.4 miliardë euro.
Bankierët thonë se amvisëritë kanë më pak probleme lidhur me pagesën e kredive në raport me kompanitë për shkak se bëhet fjalë për shuma më të vogla të kredive që janë marrë nga numër më i madh i klientëve në raport me bizneset e ndryshme .
Gjithashtu, kreditë janë të miratuar për qytetarët e punësuar në administratë që kanë paga të rregullta , ose janë të punësuar në kompanitë private që marrin paga më të mëdha se ato mesatare.
“Bankat deri në muajin shtator të vitit 2017 kanë miratuar kredi për një milion e 135.994 qytetarë .Kjo paraqet një rritje për 213.635 klientë të ri për periudhën shtator 2016 – shtator 2017, të cilët mesatarisht kanë borxh prej 2082 euro apo në total kanë borxh prej afër 2.4 miliardë euro” tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Gjysma e borxhit të qytetarëve (afër 1.2 miliardë euro) kanë të bëjnë me kreditë konsumatore, ndërsa afër 630 milion euro janë kredi banesore.
Në ndërkohë bankierët konfirmojnë trendin e preferencës më të madhe të bankave të kreditojnë amvisëritë në raport me bizneset.
“Nevojitet që përmes masave monetare dhe fiskale të orientohen bankat të plasojnë mjete në biznes. Ngjashëm me veprimtaritë e tjera ekonomike edhe në sektorin e bankave, aktivitetet e investimeve çdo herë orientohen atje ku me rrezik më të vogël kemi rendimente më të mëdha, ndërsa për momentin aktivitetet kreditore janë më efikase me plasmanet tek amvisëritë “, thotë Vlladimir Eftimovski, numri një i Stopanska Banka nga Manastiri.
Ndryshe, bankat në menaxhimin me kreditë problematike që vonohen më shumë se 90 ditë, komunikojnë rregullisht me klientët e tyre përmes paralajmërimeve për vonesat. Gjatë takimeve dhe kontakteve përcaktohen shkaqet e vonesave, si dhe kërkohen mënyrat konkrete për zgjidhjen e problemit dhe rregullimin e obligimeve. Një nga mundësitë është edhe reprogramimi i borxheve me kamata më të ulëta se ato ndëshkuese. Bankat në dispozicion kanë edhe përdorimin e mjeteve për pagesë me ndalesë administrative , apo ngritjen e procedurës për pagesë të dhunshme . Procedura e realizimit të pronës, të vendosur në hipotekë, si sigurim për kredinë e shfrytëzuar , fillohet kur janë harxhuar të gjithë mundësitë e tjera për pagesën e borxhit. (koha.mk)