Nga 614 mijë të punësuar në sektorin privat në shtet, mbi një e treta pranon paga që lëviz prej 250 deri 350 euro. Apo thënë ndryshe, ato paguhen prej 80 deri 130 euro në muaj më pak se paga mesatare neto në shtet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 maj – Paga mesatare neto në muajin mars të këtij viti ka arritur në 26.422 denarë. Megjithatë analizat të bazuara në Entin e Statistikës tregojnë se një pjesë e madhe e të punësuarve marrin paga që lëvizin prej 15 mijë deri 21 mijë denarë. Me fjalë të tjera, nga 614 mijë të punësuar në sektorin privat në shtet, mbi një të tretat pranojnë paga që lëvizin prej 250 deri 350 euro. Apo thënë ndryshe, ato paguhen prej 80 deri 130 euro në muaj më pak se paga mesatare neto në shtet, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat tregojnë se mbi 70 mijë të punësuar në sektorin privat në shtet marrin paga që lëvizin prej 250 deri 300 euro. Sipas statistikës zyrtare, mbi 32 mijë të punësuar në fabrikat e veshmbathjeve fitojnë 17.541 denarë, mbi 5000 të punësuar në industrinë e lëkurës pranojnë paga prej 16.076 denarë, mbi 3000 të punësuar në përpunimin e drurit dhe përpunimeve të drurit fitojnë 19 mijë denarë. Gjithashtu, mbi 4000 të punësuar në industrinë e mobiljeve pranojnë paga prej 17.774 denarë, mbi 20 mijë të punësuar në veprimtaritë e përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit pranojnë 17.940 denarë në muaj dhe mbi 10 mijë të punësuar në veprimtarinë e mbrojtjes pranojnë paga prej 15.439 denarë.
Nga ana tjetër, mbi 111 mijë të punësuar në sektorin e bujqësisë marrin paga prej 21.344 denarë. Edhe në ndërtimtari si një nga sektorët më të rëndësishëm në shtet dhe paraqet një nga bartësit kryesor të zhvillimit ekonomik, mbi 56 mijë të punësuar marrin paga mesatare prej 24.503 denarë, që sërish është për 30 euro më pak se mesatarja në shtet. Të dhënat e fundit të Statistikës zbardhin edhe të dhënat për të ardhurat më të larta mujore në Maqedoninë e Veriut, ku sërish dominojnë profesionistët e teknologjisë informatike apo programuesit me e pagë mesatare neto prej 65.068 denarë në muajin mars të vitit 2020.
Në prodhimtarinë e ilaçeve, paga mesatare ishte afër 47 mijë denarë , në shërbimet financiare apo bankat ajo ishte 47.673 denarë, në sektorin e telekomunikacionit paga mesatare ishte 44 419 denarë , ndërsa në veprimtarinë e furnizimit me energji elektrike , paga ishte 40.944 denarë. Ndryshe, ekonomistët ,vlerësojnë se produktiviteti i ulët në përgjithësi i industrisë përpunuese në Maqedoni, ambienti jostabil me të cilin ndeshet biznesi , shpërndarja jo e barabartë e rritjes ekonomike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, janë ndër shkaqet kryesore pse gati gjysma e të punësuarve në Maqedoni nuk janë të paguar në nivel të pagës mesatare në nivel të shtetit.
Një punëtor në Maqedoni krijon vetëm 43.8 për qind të mesatares së vlerës së shtuar që e krijojnë punëtorët në nivel të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, ekspertët thonë në pagat e ulëta në rajon dhe në Maqedoni ndikojnë edhe perceptimi apo përshtypja e lartë i mitës dhe korrupsioni, kapaciteti i ulët i administratës publike, efikasiteti i ulët i gjyqësorit e kështu me radhë. (koha.mk)