Pagat e të punësuarve në sektorin e arsimit në shtator janë rritur me 5 për qind, përqindje e cila ishte e papranueshme nga Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës (SPAS), ndërsa të njëjtin mendim ndajnë edhe njohësit e fushës së arsimit. Maqedonia e Veriut momentalisht, sa i përket pagës së mësimdhënësve, gjendet në fund të listës
Remzije BILALLI
Shkup, 14 shtator – Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet shteti me pagë më të vogla në rajon për mësimdhënësit. Të dhënat e fundit tregojnë se pagat e mësimdhënësve në rajon të llogaritura me fond të plot të orëve janë: Shqipëria me 427 euro për ciklin e ulët, 507 euro cikli i lartë dhe 508 euro arsimi i mesëm, më pas vijon Kosova me 478 euro për arsimin fillor dhe 549.7 euro arsimi i mesëm ndërsa në fund rreshtohet Maqedonia me 352 euro për arsimin fillor dhe 365 euro për arsimin e mesëm, shkruan gazeta KOHA. Vendet e tjera të Ballkanit si Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe të tjerët kanë pagë më të lartë për mësimdhënësit duke i lënë pas këto shtete si tri shtete të fundit sa i përket pagave.
Njohësit e rrethanave në fushën e arsimit mendojnë se një rrogë e tillë nuk është e mjaftueshme për ti përmbushur nevojat jetësore. Është evidente se pagat në arsim në të gjitha nivelet një kohë të gjatë nuk kanë lëvizje, përveç një rritje të vogël prej pesë për qind nga një vit më parë.
“Rritja e paralajmëruar e pagave prej 5% për arsimtarët nuk është zgjidhja për problemet e arsimit. Punonjësit e arsimit në të gjitha nivelet janë në kufijtë e ekzistencës dhe motivimi i tyre në punë po zvogëlohet dita ditës. Është e papranueshme rroga e arsimtarëve në shkollat fillore dhe të mesme të jetë nën mesataren e pagës mesatare në vend. Shporta e shpenzimeve për një familje katër anëtarëshe është 33.000 denarë, kurse arsimtarët marrin të ardhura personale diku afër 11.000 më pakë se shporta e shpenzimeve prej afër 33.000 denarë. Kjo tregon se me këto paga punonjësit e arsimit janë në krizë ekzistenciale”, theksoi për gazetën KOHA akademiku Izet Zeqiri.
Zeqiri mes te tjerash u shpreh se përmirësimi i kushteve të nxënësve dhe cilësia e realizimit të arsimit fillor, të mesëm dhe universitar nuk arrihet pa motivimin e punonjëseve të arsimit sepse vetëm arsimtari është ai që krijon kushte për të përmirësuar efikasitetin e procesit të zhvillimit të mësimit. Ai theksoi se një ndër problemet për zvarritje e rritjes së pagave mund të jenë pikërisht problemet ekonomike dhe borxhet e mëdha që ka Maqedonia e Veriut.
“Maqedonia e Veriut është në kondicion të dobët ekonomik edhe me gjithë këto probleme ekonomike dhe ngarkese në borxhe, nuk mundet të bëjë rritje të rrogave për arsimtarët në të gjitha nivelet”, tha Zeqiri.
Ditë më parë ministri i Arsimi dhe Shkencës (MASH), Arbër Ademi deklaroi se do të jenë në bisedime me SPAS për hartimin e një plani i cili ka për qëllim rritjen e pagave në vazhdim. Mirëpo të pyetur nga gazeta KOHA se cili është qëndrimi i tyre sa i përket radhitjes së Maqedonisë së Veriut si e fund të listë dhe se cili është shkaktari, nuk arritëm të marrim asnjë përgjigje nga MASH. (koha.mk)