Nëse llogarisim se dy paga minimale do të arrijnë prej dhjetorit vlerën prej 29 mijë denarë që është për 3600 denarë më pak se shporta minimale sindikale, atëherë shtrohet çështja se ku mbeti jeta me dinjitet e punëtorit që duhet të jetojë nga puna dhe djersa e tij
Nga Fisnik PASHOLLI
Paga minimale në vend pritet të rrite prej muajit dhjetor të këtij viti në 14.500 denarë. Një rritje e tillë u kundërshtua si haptas ashtu edhe heshtas nga një pjesë e bizneseve në vend. Arsyetimi i tyre ishte se një rritje e tillë e rëndon punën e tyre. Në fakt një pjesë e fabrikave të tekstilit kanë kërkuar subvencionimin e eksportit për shkak të kursit fiks të denarit si dhe zgjatjen për gjysmë orë të orarit të punës.
Mirëpo, nëse llogarisim se dy paga minimale do të arrijnë prej dhjetorit, vlerën prej 29 mijë denarë që është për 3600 denarë më pak se shporta minimale sindikale, atëherë shtrohet çështja se ku mbeti jeta me dinjitet e punëtorit që duhet të jetojë nga puna dhe djersa e tij.
Thënë ndryshe , çdo kund në botë kur flitet për mirëqenien e qytetarëve merret parasysh fuqia blerëse apo fakti se çka mund të blihet më një pagë. Tek ne , edhe me dy paga minimale që nuk arrijnë as 500 euro, një punëtor sipas shportës sindikale vetëm se do të mbijetojë muajin. Në favor të rritjes së mëtejshme të pagës si minimale , ashtu edhe mesatare flasin edhe të dhënat se shpesh standardin e qytetarëve e vlerësojnë sipas pagës mesatare prej 400 euro , ndërsa në realitet një pjesë e madhe e të punësuarve kanë paga që lëvizin prej 15 mijë, 18 mijë apo 21 mijë denarë , apo nuk arrijnë as pagën mesatare në shtet.
Tani rritja e nivelit të pagave në shtet gradualisht do të zbusë edhe varfërinë, jo barazinë në të ardhura etj.
Po edhe pronarët e bizneseve kanë të drejtë të ankohen për rritjen e kostos së punës , ndërsa shteti duhet të krijojë ambient që ato më lehtë të tejkalojnë dhe kapërcejnë problemet e ndryshme duke ju lehtësuar punën , duke ju ulur kompensimet që paguajnë në arkën e shtetit, duke ju zgjatur ndoshta kohëzgjatjen e viteve që shtetit do të paguajë për pagat e rritura prej tre në pesë vite. Duke ju ofruar ndihmë që të jenë konkurrent në treg me modernizimin e procesit të punës. Sigurisht se punëtorët në fabrikat e tekstilit në Maqedoni vështirë se mund të arrijnë pagat prej 1500 marka, apo 750 euro në kohën e ish shtetit jugosllav për shkak të humbjes së tregjeve, vonesës së modernizimin e makinerisë , e kështu me radhë mirëpo mbetet që t’ju ndihmohet të arrijnë së paku pagën prej 18 mijë denarë për një të punësuar në një fabrikë tekstili, apo të jetë 300 euro paga minimale në shtet, që si shumë është e njëjtë me koston e ushqimit, transportit dhe komunaleve e shportës minimale sindikale. Njëherazi ia vlen të mendohet edhe për lehtësimet fiskale , apo për uljen e tatimeve për afaristët që do të rrisin pagat e punëtorëve.
Ndoshta paga minimale po rritet nga pak edhe në mënyrë administrative dhe politike, por për një shtet si Maqedonia që ngjashëm si shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor po kalon një tranzicion të vështirë nga një sistem ku shteti përkujdesej për shumë gjëra, në një sistem ku shteti duhet të jetë rregullator dhe të krijojë ambient më të mirë për biznes. Me një të kaluar shoqërore të kapitalizmit edhe të egër ku shpesh edhe nuk janë respektuar mjaftueshëm të drejtat e punëtorit, ku nuk është paguar as puna shtesë, apo ajo e ditëve të vikendit. Në një sistem ekonomik me sindikata të fuqishme që do të mbrojnë punëtorin, apo edhe me institucione më të organizuara që do të sigurojnë thjesht një ambient ku punëtorit do ti paguhet mjaftueshëm mundi, ndërsa biznesi nuk do të brengoset për zgjidhjen e problemeve të ndryshme .Një një sistem ku punëtori do të jetë i lumtur dhe i kënaqur në punë, ndërsa afaristi do të mendojë si të rrisë punën , të punësojë më shumë punëtorë të ri dhe të paguajë edhe më shumë të dhëna në arkën e shtetit. (koha.mk)