Nëse dy të punësuar në një familje punojnë me pagë minimale, atyre ju mungojnë edhe 3782 denarë deri në lartësinë e shportës që të mund ti mundësojnë familjes vetëm gjërat e domosdoshme për mbijetesë dhe jo për jetesë normale, thonë nga LSM
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 mars – Rritja e fundit e pagës mesatare në afër 28 mijë denarë, ka shtyrë sindikatat më të mëdha në vend të kërkojnë rritjen e mëtejshme të pagës minimale në Maqedoni. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se angazhohen që paga minimale të arrijë 60 për qind të pagës mesatare apo afër 17 mijë denarë, si tendencë evropiane. Njëherësh, shtojnë se nëse merret parasysh se shporta sindikale minimale në muajin janar të këtij viti ishte 33.650 denarë, prej të cilave vetëm për ushqim dhe pije duhet të ndahen së paku 14.000 denarë, del se punëtori që punon për pagën minimale – fiton vetëm për bukë dhe ujë, ndërsa nëse dy të punësuar në një familje punojnë për pagë minimale, atyre ju mungojnë edhe 3.782 denarë deri në lartësinë e shportës që të mund ti mundësojnë familjes vetëm gjërat e domosdoshme për mbijetesë dhe jo për jetesë normale, thonë nga LSM, shkruan gazeta KOHA.
Nga organizata më e madhe sindikale në vend thonë se në vazhdimësi angazhohen dhe kërkojnë rritjen e pagës minimale me qëllim të përmirësimit të standardit të punëtorëve me paga më të vogla dhe familjeve të tyre. Sindikatat i bëjnë këto kërkesa në periudhën kur pritet edhe mendimi i Këshillit ekonomik-social ku bëjnë pjesë edhe sindikatat, punëdhënësit dhe qeveria, për harmonizimin e pagës minimale. Nga viti 2012, kur në vend për herë të parë është paguar paga minimale në vlerë prej 8050 denarë, ajo është rritur për 6884 denarë, Nga një korriku i vitit 2020 vlera e saj ka arritur në 14.934 denarë, dhe pritet sërish të rritet këtë vit. Në ndërkohë, nga ana e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë thonë se çdo rritje e mëtejshme e pagës minimale në vend duhet të bazohet në tre faktorë siç janë: harxhimet e jetesës, inflacionit dhe produktivitetin e matur me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për shkak se në të kundërtën mund të vijë deri tek më shumë dukuri negative në industri. Rritja e totalit të pagave si ato mesatare, por edhe ato minimale kërkon plotësimin e më shumë kushteve thonë punëdhënësit. “Vetëm përmes rritjes së produktivitetit mund të rriten të ardhurat, ndërsa kjo kërkon ndryshimin e strukturës së ekonomisë me vendosjen e veprimtarive që kanë vlerë më të lartë të shtuar, me çka ato do të jenë më konkurrues në tregjet e jashtme dhe do të krijojnë kushte për rritjen reale të pagave të punëtorëve”, thotë numri një i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov. Sipas tij, përmirësimi i produktivitetit kërkon edhe investime, dhe dituri apo ndryshime në sistemin arsimor, ku studentët dhe maturantët do të duhet të kenë nivel të diturisë që do të mundësojë të kryejnë punë më mirë të paguara.
Në ndërkohë, edhe në shtetet e rajonit po zgjasin debatet për rritjen e mëtejshme apo jo të pagës minimale. Me vendimin e Qeverisë Shqiptare, nga 1 janari 2021 rritet paga minimale në 30 000 lekë, apo afër 15.000 denarë, nga 26000 lekë apo 13.000 denarë. Nga ana tjetër, shoqatat e biznesit thonë se kjo do të rrisë kostot për të vetë punësuarit, biznesin e vogël dhe fasonët, apo fabrikat që qepin për fabrikat evropiane të tekstilit dhe këpucëve me porosi. Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, punonjësit që deklarohen në tatime me pagë minimale 26 mijë lekë përbënin 26 për qind të totalit të punësuarve. Në fushatën zgjedhore në Shqipëri po ofrohen edhe premtime të shumta .Nëse ndodh rotacioni politik dhe Partia Demokratike vjen në pushtet asnjë pagë nuk do të jetë nën 36 mijë lekë. Por, nëse Partia Socialiste fiton sërish zgjedhjet paga minimale do të shkojë në 40 mijë lekë. Kjo rritje sigurisht që favorizon dhjetëra mijë punonjës të fasonerive në Shqipëri, por nga ana tjetër nuk është e pëlqyeshme për biznesin.
Në ndërkohë, në Mal të Zi, qeveria e re me ndryshimin e Ligjit të punës parashikon rritjen e pagës minimale nga 222 euro, që paraqet një të tretën e shportës konsumatore, në 250 euro nga një korriku i këtij viti. Një vendim i tillë sjelle edhe më shumë pagesa për punëdhënësit për tatime dhe kontribute. Shoqata e Punëdhënësve të Malit të zi kërkon nga Parlamenti tërheqjen e këtij ligji për rritjen e pagës minimale dhe kthimin e tij në kuadër të Këshillit Social. Nga Oda Ekonomike e Malit të zi përkrahin rritjes e pagës minimale, por vetëm me kusht të uljes adekuate të kontributeve shoqërore. Sindikatat në Mal të zi vlerësojnë se rritja e paralajmëruar e pagës minimale, paraqet vetëm një nga hapat për avancimin e pozitës socio ekonomike të punëtorëve.
Paga minimale bruto në Kosovë varion nga 130 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Lëvizja Vetëvendosje ka planifikuar që pagën minimale ta rrisë në 250 euro dhe se kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale, si dhe do të rishikohet vit për vit për të reflektuar ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend. Lidhur me këtë, Arian Zeka nga Oda ekonomike Amerikane konsideron se paga minimale duhet të jetë rezultat i një aranzhimi mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe jo i ndërhyrjes së shtetit.“Nëse vetëm duhet të rritet paga minimale, duhet të merren në konsideratë kapacitetet e kompanive të sektorit privat. Ajo që Qeveria duhet të bëjë përtej këtyre premtimeve është që të krijojë një mjedis të favorshëm që ndërmarrjet e sektorit privat të fuqizohen më tej”, thotë Zeka.
Ndryshe, të dhënat tregojnë se pagat minimale në rajon janë shumë më të ulëta në raport me vendet e Bashkimit Evropian. Pagat minimale në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian lëvizin nga 332 euro në muaj në Bullgari deri në 2 202 euro në muaj në Luksemburg. Nga shtetet e rajonit në Slloveni paga minimale është 941 euro, në Kroaci , paga minimale ka arritur në 3400 kuna apo afër 453 euro, në vitin 2021 .Në Serbi planifikohet rritja e pagës minimale sivjet në 272 euro, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë paga minimale është 208 euro me një rritje të premtuar për sivjet, por që akoma nuk është definuar. (koha.mk)