Përfaqësuesit e punëdhënësve vlerësojnë se një rritje më e madhe se 14 mijë denarë do të shkaktonte telashe dhe problem të mëdha për funksionimin e një pjese të konsiderueshme të bizneseve, ndërsa sindikalistët kërkojnë pagë minimale prej së paku 16 mijë denarë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 shtator – Paga minimale në Maqedoninë e Veriut pritet të rritet nga 12.500 denarë në së paku 14 mijë denarë nga muaji nëntor . Përfaqësuesit e punëdhënësve vlerësojnë se një rritje më e madhe se 14 mijë denarë do të shkaktonte telashe dhe problem të mëdha për funksionimin e një pjese të konsiderueshme të bizneseve, ndërsa sindikalistët kërkojnë pagë minimale prej së paku 16 mijë denarë, shkruan gazeta KOHA. “Duke marrë parasysh se paga mesatare është afër 25 mijë denarë, se shporta konsumatore e ka vlerën prej 32. 653 denarë si dhe direktivën evropiane që udhëzon se paga minimale duhet të jetë së paku 60 për qind e pagës mesatare, atëherë nevojitet që të respektohen punëtorët dhe paga minimale të jetë 16 mijë denarë “, thonë nga Lidhja e Konfederatave të lira të Maqedonisë.
Nga ana tjetër punëdhënësit ankohen se sidomos industria e tekstilit ka probleme me rritjen e mëtejshme të pagës minimale. “Kompanitë edhe me 14 mijë denarë si shumë e pagës minimale do të kenë probleme që vlen sidomos për kompanitë e tekstilit, lëkurës dhe këpucëve do të gjenden në situatë të rëndë për shkak se nuk posedojnë kapacitete më të mëdha. Ato kanë probleme me çmimet e ulëta të porosive që i fitojnë nga jashtë si dhe produktivitetin e tyre që nuk ju lejon rritje më të madhe të pagave. Andaj në rast se nuk vendosej subvencionimi ndaj kontributeve për rritjen e pagës me të vërtetë , rritja e pagës do të ishte shumë e vështirë”, vlerëson Angel Dimitrov, kreu i Organizatës së Punëdhënësve.
Në ndërkohë, Sindikata e administratës kërkon rritje më të madhe se pesë për qind si dhe përllogaritje të re të pagave të administratës.
“Pagat e referentëve më të ri, referentëve dhe referentëve të lartë janë aq të ulëta saqë ato lirisht mund të largohen nga puna dhe të aplikojnë për ndihmë sociale. Në dhjetët vitet e kaluara në pagën e tyre janë përllogarritur edhe harxhimet e ushqimit dhe transportit që nevojitet të ndryshohet:”, thonë nga Sindikata e administratës. Nga atje kërkojnë të ngrihet vlera e pikëve të administratorëve që ka vlerën prej 81.1 denarë, me çka do të rriten edhe pagat e tyre nëse rritet paga mesatare dhe anasjelltas. Nëse qeveria nuk heq dorë nga koncepti i saj i pagesës së pagave , ato do të kërkojnë që të bëhet përllogaritja e drejtë e harxhimeve për ushqim dhe transport me çka pagat e tyre do të rriten për mbi 4700 denarë. Njëherazi edhe sindikatat që përfaqëson arsimin në grevën paralajamëruese më dy shtator, kërkuan rritje të pagave në këtë sektor për 25 për qind. Nga atje kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët se në fillimit të tetorit, Sindikata e Arsimit do të vendos do të vendos për hapat e mëtejshëm.
Në ndërkohë, Angel Dimitrov, numri një i Organizatës së Punëdhënësve, vlerëson se masa për subvencionimin e pagave minimale do të rrisë edhe pagën mesatare për shkak se një pjesë e punëdhënësve që praktikonin që një pjesë ta pagës ta japin në dorë për ti ikur pagesës së kontributeve do të destimulohen në të ardhmen të bëjnë diçka të tillë, për shkak se do të paguhet vetëm tatimi personal, ndërsa shteti do të paguajë kontributet. Dimitrov shton më tej se me politikën e shkopit dhe karotës si dhe kontrollet e Drejtorisë për të Ardhura Publike mund të kemi edhe rritje të mëtejshme të pagës mesatare. “Në rritjen e pagave do të ndikojë edhe mungesa e punëtorëve në shtet që bizneset do ti detyrojë të rrisin pagat nëse dëshirojnë të mbajnë punëtorët”, shton më tej ai.
Shteti ka paralajmëruar se do të ndajë ndihmë të pakthyeshme për bizneset që do të risin pagat deri në 500 euro, apo për shumën prej 600 deri 6000 denarë mbi pagat aktuale të të punësuarve, me çka kompanitë do të kenë obligim të paguajnë vetëm tatimin personal në të ardhura ndërsa shteti do të paguajë kontributet për sigurim pensional dhe shëndetësor për shumën për të cilën është lejuar subvencionimi i kontributeve. Në ndërkohë, të dhënat statistikore tregojnë se në vitet e kaluara përkundër ankesave të bizneseve për rritjen e pagës minimale , megjithatë shënohet rritje e numrit të të punësuarve në shtet. Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në shtator të vitit 2017 kur paga minimale u rrit në 12 mijë denarë ka pasur 743.751 të punësuar. Një vit më vonë , apo në muajin shtator të vitit 2018 në shtet ka pasur 16 mijë të punësuar më shumë, përkundër ankesave të vazhdueshme të bizneseve se rritja e pagës minimale do të shkaktojë humbje dhe ulje të numrit të punëtorëve.
Njëherësh edhe të dhënat e agjencisë që kontrollon punën e fondeve pensionale apo “ MAPAS”, tregon se për një vit , apo prej shtatorit të vitit 2017 kur është rritur paga minimale, deri në muajin shtator të vitit 2018, është rritur numri i punëtorëve të siguruar në Shtyllën e dytë pensionale për 31 mijë punëtorë, apo prej 450 mijë në 481 mijë.
Ndryshe, Ligji për pagën minimale zbatohet nga një janari i vitit 2012, kur u përcaktua minimumi prej 8050 denarë. Në vitin 2015 ajo ishte 9600 denarë, ndërsa në vitin 2017, pasi Kuvendi i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për pagën minimale , ajo duke filluar nga muaji shtator i vitit 2017 deri më muajin qershor të vitit 2018 për të gjithë sektorët e ekonomisë është me shumën bruto prej 17.130 denarë apo me shumë neto prej 12 mijë denarë. Në fillim të vitit 2019 , paga minimale u rrit në 12.500 denarë, ndërsa nga qeveria është paralajmëruar se deri në vitin 2020 ajo pritet të rritet në 16 mijë denarë. (koha.mk)