Paga mesatare më e ulëta në rajon

64

Maqedonia renditet si një nga vendet me pagat më të ulëtat në rajon – 454 euro. Vende të tjera fqinje dhe të rajonit kanë paga mesatare shumë herë më të larta, si Sllovenia me pagë mesatare prej 1181 euro, Kroacia 890 euro, Mali i Zi ka një pagë mesatare prej 525 euro, Serbia 512 euro, Bosnja dhe Hercegovina 490 euro. Sipas ekspertëve, vendi po hyn në shoqëritë me pabarazinë më të lartë

Evis HALILI

Shkup, 23 janar – Pavarësisht se paga mesatare në vend në dy vitet e fundit ka shënuar një rritje të madhe – prej 3000 denarësh, prapëseprapë Maqedonia renditet si një nga vendet me pagat më të ulëtat në rajon. Edhe pse krahasimet mes vendeve nuk janë plotësisht të sakta, për shkak se të gjitha vendet kanë mangësi në të dhënat e pagave dhe baza për llogaritjen e pagave nuk është unike, vende të tjera fqinje dhe të rajonit kanë paga mesatare shumë herë më të larta. Sllovenia ka një pagë mesatare prej 1181 euro, Kroacia 890 euro, Mali i Zi ka një pagë mesatare prej 525 euro, Serbia 512 euro, Bosnja dhe Hercegovina 490 euro, ndërkohë që në Maqedoni është 454 euro, shkruan gazeta KOHA.

Ndonëse standardi i jetesës në Maqedoni është pothuajse i njëjtë me atë të Malit të Zi dhe qytetarët kanë pothuajse të njëjtat kosto kur bëhet fjalë për vendet ku njerëzit jetojnë përgjithmonë, me përjashtim të vendeve turistike, por Mali i Zi, për shembull, është në vendin e tretë për sa i përket pagave, ndryshe nga Maqedonia që renditet tre vende më poshtë. Tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor kanë shumë ngjashmëri, por kushtet specifike në një periudhë të veçantë mund të ndryshojnë ndjeshëm, sqarojnë ekonomistët, kështu që ky presion mund të jetë i ndryshëm.

“Nëse do të veçonim Slloveninë dhe Kroacinë, që sipas nivelit të zhvillimit implikojnë produktivitet më të lartë të punës, janë shumë më lart sesa Maqedonia dhe në tregun e tyre të punës ata operojnë me një shkallë natyrore të papunësisë, që do të thotë se është shumë e ulët. Pra, produktiviteti më i madh i punës aty së bashku me tregun e balancuar të punës determinon një pagë mesatare shumë më të lartë sesa Maqedonia”, thotë eksperti Marjan Petreski. Ai sqaron më tej se paga më e ulët nga perspektiva e saj me vendet e tjera nënkupton se punëtorët janë më pak produktivë sesa punëtorët në vendet e tjera. Shikuar nga ana e kërkesës, pagat varen nga gjendja e përgjithshme e tregut të punës, d.m.th., nëse ekziston një kontingjent i madh i njerëzve të papunë, atëherë pagat nuk do të rriten shpejt, dhe anasjelltas, presioni lart mbi pagat do të krijohet kur nuk do të jetë e lehtë të gjesh një punëtor , sidomos një punëtor të mirë.

Pagat reale duhet të jenë gati sa rritja reale e Bruto Prodhimit Vendor, thotë ish-guvernatori i Bankës popullore Petar Goshev, por duke qenë se Maqedonia ka një rritje të ulët të ekonomisë, edhe shanset për rritjen natyrore të pagave janë të vogla.

“Realiteti i ekonomisë sonë tregon se ne jemi në telashe serioze. Vendi ynë ka rritje të ulët, dhe kjo rritje nuk i jep hapësirë ​​për një rritje të konsiderueshme të standardit të jetesës së të punësuarve, qytetarëve, familjeve, dhe së dyti, ne kemi një shpërndarje jashtëzakonisht të dobët të asaj rritje të ulët dhe për këtë arsye Maqedonia po afrohet, ose tashmë po hyn , dhe madje hyri në shoqëritë me pabarazinë më të lartë”, shpjegon Goshev. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2019, shuma mujore e të ardhurave sipas së cilës vlerësohet se një familje me katër anëtarë (2 të rritur dhe2 fëmijë nën 14 vjeç) është e varfër dhe arrin në vetëm 17.613 denarë. Të dhënat e varfërisë tregojnë se të varfër janë 8.5% e të gjithë të punësuarve, 41.7% nga të gjithë të papunët, nga të gjithë pensionistët 7.7% dhe nga pjesa tjetër joaktive 32.9%. Në rang vendi, shkalla e varfërisë mbetet thuajse e njëjtë, mbi 21 për qind e popullsisë konsiderohen si të varfër. (koha.mk)