Ekonomistët thonë se së paku sipas statistikës pagat në shtet po rriten, megjithatë shtojnë se mundi punëtorit akoma nuk po çmohet mjaftueshëm. Konkurrenca jo e lakmueshme e ekonomisë vendore ndikon në pagat e ulëta
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 korrik – Pagat në Maqedoninë e Veriut lëvizin nga ato minimale prej afër 250 euro dhe deri 1000 euro. Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se mbi 60 mijë të punësuar në shtet fitojnë pagë prej 14.500 denarë, mbi 130 mijë të punësuar fitojnë afër 20 ijë denarë , mbi 130 mijë fitojnë paga prej 20 deri 30 mijë denarë. Gjithashtu, mbi 80 mijë të punësuar fitojnë paga prej 30 deri 60 mijë denarë, ndërsa mbi 14 mijë të punësuar fitojnë mbi 60 mijë denarë. Këto statistika udhëzojnë se gati 200 mijë punëtorë në shtet fitojnë paga edhe më të ulëta se paga mesatare prej afër 26 mijë denarë.
Ekonomistët thonë se së paku sipas statistikës pagat në shtet po rriten ,megjithatë shtojnë se mundi punëtorit akoma nuk po çmohet mjaftueshëm. “Vetë fakti se disa qindra mijë të punësuar akoma pranojnë pagë më të ulët se ajo mesatare , se një pagë punëtori as nuk i afrohet shportës mesatare prej 32 mijë denarë flet për nivelin e ulët të pagave në total në ekonominë e vendit .Për këtë situatë ekzistojnë më shumë shkaqe duke filluar nga produktiviteti ulët që duhet të rritet , duhet të largojmë dhe përmbyllim legjendat dhe mitet për një fuqi të lirë punëtore që tërheq investitorët e huaj, si dhe jogatishmëria e një pjesë të kompanive që të paguajnë më shumë punëtorët”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi. Sipas tij, edhe kualifikimi i ulët i një pjese të fuqisë punëtore ndikon në nivelin më të ulët të pagave. Turkeshi shton më tej se edhe ambienti ekonomik që ngadalë po përmirësohet si perceptimi i lartë i mitës dhe korrupsioni, kapaciteti i ulët i administratës publike, papunësia e lartë, efikasiteti i ulët i gjyqësorit ndikojnë në rritjen e ngadalshme të pagave. Sipas tij, ndër të tjerash pagat janë edhe një pasqyrë e ekonomisë vendore dhe dobësive të saja strukturore që pak është e orientuar në eksport me prodhime me vlerë të shtuar, që nuk kemi rritje më të madhe ekonomike prej 4-5 për qind për disa vite me radhë që do të sjellë edhe pagesë më të madhe për një të punësuar shton më tej Turkeshi. Sipas tij, sfidë për kompanitë vendore mbetet gjetja e tregjeve të reja dhe rritja e prodhimtarinë, me qëllim që të rrisin edhe konkurrencën e tyre. Njëherazi punëtorët duhet të rrisin produktivitetin e tyre që të mund të ulet kostoja e punës dhe të rritet konkurrenca në tregjet e jashtme.
Ndryshe edhe konkurrenca jo e lakmueshme e ekonomisë vendore ndikon në pagat e ulëta. Shteti po tregon kapacitet të ulët për inovacione. Raporti i Konkurrencës Globale udhëzon se në mes të ndryshimeve të shpejta teknologjike, politike dhe një rimëkëmbje të brishtë ekonomike, vlerësohen dhe zbatohen rrugë të reja për rritjen dhe prosperitetin. Produktiviteti është më së shumti përcaktues i rëndësishëm i rritjes dhe të ardhurave afatgjata konstaton Raporti i Konkurrencës Globale. (koha.mk)