Dallimet e mëdha në paga që fshihen pas pagës mesatare dhe fitimi i një pasqyre të vërtetë të nivelit real të pagave në shtet mund të arrihet me matjen e fitimeve përmes pagës së mesme
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 gusht – Një pjesë e ekspertëve ekonomik thonë se dallimet e mëdha në paga që fshihen pas pagës mesatare dhe fitimi i një pasqyre të vërtetë të nivelit real të pagave në shtet mund të arrihet me matjen e fitimeve përmes pagës së mesme. Ata e mbështesin këtë me faktin se përkundër asaj se për shembull paga mesatare për një të punësuar në shtet në muajin maj ka qenë 25.270 – denarë, megjithatë paga në sektorë të ndryshëm të prodhimtarisë , ka qenë prej 15.336 denarë në prodhimtarinë e lëkurës – 19 805 denarë në industrinë e ushqimit – 25.775 denarë në ndërtimin e ndërtesave, dhe deri 37 mijë denarë për xehetarët, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Zdravko Savevskit nga e Majta, në shtet nevojitet të bëhet dallimi midis pagës së mesme dhe asaj mesatare ,ndërsa sipas tij pasqyra e vërtetë e gjendjes me pagat fitohet pikërisht përmes matjes së “pagës së mesme”. “Paga mesatare nuk tregon shumë për gjendjen e vërtetë lidhur me lartësinë e pagave, për shkak se paga mesatare nuk është paga që e pranojnë gjysma e qytetarëve, por është mesatarja e të gjitha pagave. Me fjalë të tjera, e dimë se 80 për qind e të punësuarve marrin paga më të ulëta se mesatarja, ndërsa të tjerët janë ato që ngrenë këtë mesatare, andaj edhe paga mesatare nuk mund të jetë tregues i gjendjes reale të mirëqenies së qytetarëve, andaj nevojitet që krahas pagës mesatare të publikohet edhe paga e mesme”, shton Savevski.
Sipas tij, paga e mesme i merr parasysh edhe lartësinë e pagave dhe përqindjen e punësuarve dhe nivelit të pagave të tyre. Nëse përcaktohet gjysma apo mbi 50 për qind si pikë referimi nën të cilën pranohen lartësia e caktuar e pagave si dhe pika e referimit nën 50 për qind mbi të cilën pranohen paga më të larta, do të fitohet pasqyrë e qartë e gjendjes me pagat në vend.
Savevski më tej thotë se paga mesatare mund të rritet edhe në rastin se menaxherët më të paguar në shtet ju rritet paga për shembull nga 200 mijë në 250 mijë euro në muaj, mirëpo një lëvizje e tillë nuk përmirëson edhe standardin e qytetarëve. Ndryshe, të dhënat më të reja të Entit të Statistikës tregojnë se pagat më të larta në prodhimtari marrin punëtorët në fabrikat e ilaçeve me afër 45 mijë denarë në muajin maj, ndërsa paga të larta me 39 mijë denarë marrin edhe të punësuarit në sektorin e furnizimit me rrymë dhe gaz.
Pagat ndër më të lartat në shtet marrin programuesit me afër 59 mijë denarë, të punësuarit në sektorin financiar me 51 mijë denar, të punësuarit në transportin ajror me afër 48 mijë denarë. Nga ana tjetër më pak të paguar me 15 mijë denarë në muaj janë punëtorët në kultivimin e peshqve me 15 mijë denarë, prodhimin e veshmbathjes me 16 mijë denarë, të mobiljes me 16.600 denarë, përgatitjen e ushqimit me 16 mijë denarë etj. (koha.mk)