Bujar KURTAJ
Shkup, 25 maj – Sporti i ping pongut është një lojë tërheqëse, e cila me atraktivitetin e saj ka magjepsur miliona njerëz në botë, por jo edhe Maqedoninë si shtet. Për dallim nga hendbolli, futbolli e basketbolli, ky sport shumë pak, pothuajse aspak nuk është i përfshirë, sidomos tek popullata shqiptare. Në të kaluarën aktiv kanë qenë vetëm tre që janë marr me këtë sport. Dy prej tyre Engjëllush Bajrami nga Struga dhe Skender Murtezani nga Tetova, nuk lanë shumë gjurmë, por kjo vlen edhe për Agon Saitin nga Shkupi, i cili gjatë karrierës së tij fitoi shumë tituj, mbi 100 në gara të ndryshme shtetërore dhe shumë çmime fillimisht me vëllain e tij Valdetin, i cili më pas u tërhoq nga ky sport, dhe më pas vetëm. Agoni gjithashtu 13 herë ka qenë ping pongist i vitit dhe është i ranguar në mesin e 10 sportistëve të vitit në Maqedoni. Por, ajo që i ka mbetur ëndërr e parealizuar, ka qenë pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Ndërsa, si sukses i madh konsiderohet edhe titulli si më i miri pasi doli fitues në turnirin mbarëkombëtar në Kosovë, ku morën pjesë ping pongistët shqiptar nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia dhe një lojtar nga Suedia. Për të gjitha këto dhe për hapat e parë, momentet më të mira, Agon Saiti i tregon në intervistën për gazetën KOHA.
KOHA: Agon, fillimisht a mund të na tregoni se çfarë sporti është ping pongu dhe cilat janë rregullat parimore të këtij sporti?
SAITI: Ping pongu është një lojë tërheqëse, e cila me atraktivitetin e saj ka magjepsur miliona njerëz në mbarë botën. Disa kanë zgjedhur si argëtim rekreacioni, ndërsa të tjerët si sport profesional, në këtë të dytën bëj pjesë dhe unë. Ping pongu edhe pse ndonjëherë luhet në dyshe, në bazë të numrit të pjesëmarrësve, kategorizohet si sport individual. Luhet në tavolinë për ping pong, e cila është në mes është e ndarë me rrjetë. Lojtarët e kanë për qëllim duke e goditur topin e ping pongut me reket, ta dërgojnë nga ana tjetër e tavolinës, te pjesa e kundërshtarit.
KOHA: Prej nga të lind ideja që të merresh më këtë sport, duke marr parasysh se vendin tonë nuk është shumë i përhapur, sidomos tek shqiptarët?
SAITI: Duke e marrë parasysh se rrjedh nga një familje sportistësh (axha Neset Saiti gjimnast dhe boksier i dalluar, axha Nezhdet dhe baba futbollistë) ku sporti dhe bisedat rreth ndodhive sportive kanë qenë çdoherë prezent në familje dhe marrja me sport ka qenë njëfarë mënyre e obliguar. Periudhën e fëmijërisë sime ishte koha para shkatërrimit të Jugosllavisë,dhe në atë kohë jeta sportive organizoheshe kryesisht në sallat sportive të ashtuquajtura ‘Partizan’. Një objekt i tillë sportiv ishte në lagjen e Gjorçe Petrovit me dy salla sportive, ku në njërën kishte ping pong dhe mundje, ndërsa në tjetrën gjimnastikë dhe karate. Së bashku me vëllain Valdetin, filluam me gjimnastikë sepse prindërit mendonin se si sport do jetë i mirë për rritjen dhe zhvillimin tonë të drejtë. Një ditë pas stërvitjes, hymë në sallën tjetër ku baba tash më i ndjerë po luante ping pong në formë rekreacioni. Loja e ping pongut menjëherë na magjepsi dhe ajo ishte mund të them një dashuri në shikim të parë. Së bashku me vëllain vendosëm që ta ndërrojmë sportin dhe të transferohemi në ping pong. Lehtësimi ishte edhe miqësia e babës dhe axhës Nexhdet me trajnerin e asaj kohe të ekipit të ping pongut ‘Gjorçe Petrov’, Dime Tashkovskin.
KOHA: Sa të ka bërë krenar fakti se ke qenë shqiptari i vetëm që je marr me këtë sport. A ke hasur në vështirësi dhe si të kanë pranuar?
SAITI: Në fillimet e mija kishte dy shqiptarë më të moshuar se unë që luanin ping pong, njëri ishte Engjëllush Bajrami nga Struga dhe Skender Murtezani ngaTetova. Që të dy garonin me sukses. Murtezani shumë herët migroj në Amerikë dhe me të dëgjuar thuhet se ka bërë karrierë të mirë si kirurg, ndërsa Engjëllush Bajrami për shkaqe private, edhe ai u tërhoq në moshë relativisht të re. Si shqiptar, ku në atë edhe kohë politika ishte e orientuar kundër neve shqiptarëve, kam pasur mjaft vështirësi. Mirëpo, do të them se pikërisht ato vështirësi dhe padrejtësi të cilët nuk dua që t’i kujtoj, më kanë dhënë kurajo dhe më kanë ndihmuar, duke ndikuar kështu në disa momente edhe më tepër në sukseset e mija dhe kjo më ka bërë gjithmonë të lumtur dhe krenar.
KOHA: Sa të kenë përkrahur familja kur fillove të merresh me ping pongun?
SAITI: Është një thënie ‘pas burrit të suksesshëm qëndron grua e suksesshme’. Ndoshta jo çdoherë, por në rastin tim kisha thënë: mbas sportistit të suksesshëm qëndron përkrahja e pastër dhe e pakushtëzuar familjare. Kam pas prind të cilët asnjëherë se kanë kursyer veten për mua dhe vëllain, përkrahja e tyre ka qenë kyçe për sukseset tona. Nuk mbaj mend se baba ndonjëherë ka munguar në ndonjë kampionat, çdoherë ka qenë aty me mua edhe në humbje edhe në fitore. Ndërsa nëna, ajo gatuante ushqim special për mua, çdoherë më përcjellke në stërvitje dhe gara i larë dhe të hekurosur. Vetëm njëherë më vizitoj në një kampionat në qytetin e Velesit, ku unë si junior humba në finale, aq shumë u emocionua dhe më nuk erdhi më kurrë.
KOHA: A mund të na tregosh cilat janë sukseset më të mëdha në garat vendore?
SAITI: Nuk i kam numëruar por me siguri kam mbi 100 tituj si kampion në gara të ndryshme shtetërore. Do i cek ato që i mbaj mend. Në kategorinë pionierë: kampion individual republikan, me vëllain Valdetin kampion republikan ekipor dhe në dyshe/çifte, kampion edhe në dyshe të përziera/vajzë djalë, fitues edhe i garave të ashtuquajtura top 8 . Në një turne të madh shtetëror ku morën pjesë të gjithë lojtarët më të mirë nga Jugosllavia, u kualifikova në tetë më të mirët. Pas kësaj gare kisha ftesë nga një ekip i Vojvodinës për të vazhdoj karrierën atje, mirëpo fatkeqësisht ose fatmirësisht nuk u realizua. Përndryshe Vojvodina ishte një ndër qendrat më të rëndësishme të ping pongut në atë kohë në Jugosllavi, ku njëri ndër lojtarët më të njohur Jugosllav Ilija Lupulesku ishte produkt i po asaj qendre. Në kategorinë junior: fitova të njëjtat çmime si në kategorinë e pionierëve, përveçse nuk arrita të bëhem kampion ekipor sepse vëllai Valdeti u tërhoq nga ping pongu dhe ju përkushtua shkollimit. Në kategorinë për të rritur ose senior: kampion 13 herë shtetëror individual, shumë herë kampion ekipor me ekipet e ‘Student’ ‘Termo Skopje’, ‘Vardarit’, ‘Floraskopit’ si dhe me ekipin e ‘Bregallnicës’ nga Shtipi. Kampion shtetëror i shumëfish në dyshe dhe dyshe të përziera, fitues edhe i shumë turneve Top 8 dhe Top 12. Ka edhe shumë çmime dhe shpërblime tjera që kam marrë nga asociacionet sportive, gazetat sportive dhe josportive:fitues i çmimit ‘13 Nëntorit’, 13 herë i shpallur si pingpongist i vitit, kam qenë poashtu i ranguar edhe ne 10 sportistët më të mirë të Maqedonisë.
KOHA: Po ato në arenën ndërkombëtare. Cili është suksesi më i madh që e ka arritur dhe ku ka qenë ajo?
SAITI: Në skenën ndërkombëtare edhe pse kam marr pjesë në disa kampionate Evropiane dhe Botërore, nuk kam fituar asnjë vend. Si sukses e konsideroj 7 fitoret dhe 2 humbjet në kampionatin Botëror ekipor që u mbajt në Kuala Lumpur të Malajzisë. Mbas kësaj gare fitova aq shumë pikë sa që u rangova në vendin 323 te renditjen Botërore. Të kisha vazhduar të marr pjesë në turnet që sjellin pika për këtë rang listë, me siguri se do kisha arritur të ngjitem ne top 100 e parë. Kjo do kishte qenë me siguri sukses shumë i madh duke e marrë parasysh se vetë Kina i ka diku njëqind milion lojtarë të regjistruar. Përndryshe kam fituar shumë turne me karakter regjional. Mundem gjithashtu mund ta quaj veten si kampion mbarëkombëtar ku në Ferizaj u bëra i pari, a morën pjesë të gjithë lojtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe një shqiptarë nga Suedia, karriera e të cilit sa po ja kishte filluar.
KOHA: Duke marr parasysh se ping pongu është edhe sport olimpik. A ke qenë ndonjëherë afër që të jesh pjesë e Lojërave Olimpike?
SAITI: Jo, sepse Maqedonia asnjëherë nuk ka marr pjesë në gara të cilat rangohet për Lojërat Olimpike.
KOHA: Kur dhe kur e përfundove karrierën – dhe sa ka qenë vështirë që të sjellësh një vendim të tillë?
SAITI: Pas kampionatit Botëror në Roterdam të Holandës në vitin 2011, nuk jam futur në sallë të ping pongut. U ndërlidhën obligimet jetësore me problemet shëndetësore, vendimi ishte i vështirë por i prerë. Edhe pse nuk kanë munguar ftesat nga ekipet e ndryshme si dhe nga federata e Ping Pongut të Maqedonisë për rikthimin tim, unë akoma qëndroj në vendimin e 2011, tash për tash.
KOHA: A të kë mbetur peng diçka që ke dashur ta arrish dhe nuk ke arritur ta bësh?
SAITI: Në kampionatin shtetërorë i mbajtur në Shtip ku sa po i mbusha 16 vjet, arrita në finale pa asnjë set të humbur. Në finalen mu bë një padrejtësi ku iu lejua kundërshtarit të servojë në mënyrë të paregullt. Loja u ndërpre nga ana e trajnerit tim, kur e pamë se nuk mundëm të ndryshojmë asgjë, vazhduam lojën dhe në fund humba me rezultat 2:1 ne sete. Në aspirata e mia në planin ndërkombëtar, më ka mbetur peng mungesa e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike.
KOHA: Tani që nuk merresh profesionalisht – a praktikon që në kohën e lirë të luash ping pong?
SAITI: Kohën e lirë preferoj të praktikoj aktivitete tjera, si peshkim, bjeshkatari, not, ndonjëherë edhe ndonjë futboll ose basketboll me shoqëri. Me ping pong fare nuk jam marr duke u druajtur mos ti kthehem ping pongut profesional.
KOHA: A ke menduar ndonjëherë që këtë sport ta zhvillosh më shumë tek shqiptarët – duke menduar të hapësh ndonjë klub?
SAITI: Sigurisht që po, mirëpo deri tani nuk kam pasur asnjë ftesë ose iniciativë konkrete nga krerët komunal ku kryetarët kanë qenë shqiptar. Ping pongu nuk është sport profitabil, për atë shumë vështire mundet ti dilet në fund pa ndihmesën e shtetit.
KOHA: Sa është profitabil dhe sa është i shtrenjtë që të merresh me këtë sport?
SAITI: E bukura e ping pongut është pikërisht te çmimi, gjithçka çka që të duhet, janë reketi, tavolina e ping pongut dhe veshjet sportive, ku e gjithë kjo kushton shumë pak. Ndërsa, e keqja e këtij sporti është se vetëm një numër i vogël ping pongistësh, mundet profesionalisht të jetojnë me pagat e mara nga ping pongu, kuptohet krahasuar me sportet tjera.
KOHA: Cilat shtete dhe cilët ping-pongist do ti kishe veçuar dhe që janë aktual për momentet në skenën evropiane dhe botërore?
SAITI: Edhe pse nuk jam aktiv me ping pongun, skenën ndërkombëtare vazhdoj ta përcjell. Në atë Evropjane, momentalisht e kisha veçuar reprezentacionin e Portugalisë, e cila më herët nuk ka pasur ndonjë traditë aq të madhe, ndërsa në kampionatin e fundit arritën të marrin vendin e parë duke e mposhtur edhe një Gjermani në finale. Në skenën Botërore, padyshim ne vend të parë e kisha vendosur Kinën. Si lojtar, për momentin ja adhuroj agresivitetin në lojë kinezit Fang Zhendong.
KOHA: Kush është në jetën private Agon Saiti?
SAITI: Agoni është njeri familjar, i martuar me Ganimeten. Punoj si profesor i lëndës së sportit dhe aktiviteteve sportive në gjimnazin ‘Zef Lush Marku’. Në përfundimin e sipër edhe të Disertacionit të doktoraturës pranë Universitetit ‘Shën Kirili dhe Metodij’, në Fakultetin e Kulturës Fizike në Shkup.