“Pas përfundimit të hetimeve, do t’ju informojmë”, ishte përgjigja e MPB-së nëse është iniciuar ndonjë procedurë konkrete për pjesëtarë të policisë, të cilët në video të ndryshme në rrjetet sociale, shihen se si hedhin me gurë dhe sende tjera në drejtim të protestuesve
Omer XHAFERI
Shkup, 1 mars – Përgjatë nëntë viteve të kaluara, që kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës dhe pas aksionit kontrovers policor “Monstra”, përpos të akuzuarve, kanë pësuar edhe dhjetëra qytetarë. Protestat e zhvilluara kundër vendimeve të gjykatave të vendit kanë ndikuar që pjesërisht të zvogëlohet numri i të akuzuarve për rastin “Monstra”, mirëpo nga ana tjetër – është shtuar numri i atyre qytetarëve, të cilët janë përndjekur penalisht për pjesëmarrje në protesta. Deri më tani, duke filluar nga protestat e zhvilluara në vitin 2012 e deri në protestat e fundit të zhvilluar me 26 shkurt, mbi 30 qytetarë shqiptarë janë dënuar me gjoba ose me burg. Nga protestat e korrikut të vitit 2014 u arrestuan dhjetëra qytetarë me çka gjashtë prej tyre u dënuan me nga tre vite burg nën arsyetimin se e kanë dëmtuar objektin e Gjykatës Civile në Shkup. Së fundmi, Prokuroria e Shkupit, ka kërkuar paraburgim edhe për dy persona të moshës 22 dhe 19 vjeç, të cilët kanë marrë pjesë në protestat e ditës së premte. Sipas njoftimit të prokurorisë, personat në fjalë ngarkohen për vepër penale “pjesëmarrje në turmë”. Mes tjerash, nga prokuroria kanë bërë të ditur se pasi MPB t’i kompletojë paditë penale edhe për personat tjerë, të cilët sipas tyre, kanë kryer veprime të dhunshme në protestë, ndaj tyre si institucion do të iniciojnë procedurë penale.
Nëpunësit policor pas protestës së 26 shkurtit arrestuan tetë protestues të cilët ngarkohet për shkaktim të dhunës dhe sulm ndaj pjesëtarëve të MPB-së. Megjithatë, policia e shtetit ka bërë të ditur se hetimet për zbulimin e identitetit të protestuesve tjerë që kanë shkelur ligjin, po vazhdojnë më tej.
Përpos një pjesë të protestuesve, shkelje të rregullave në protestë siç mund të shihej ditën e premten ishin regjistruar edhe nga vetë pjesëtarët e policisë, konkretisht nga nëpunësit e Njësisë për Shpërndarje të Shpejtë. Hedhja me gurë në drejtim të protestuesve në vend të ruajtjes së qetësisë dhe rendit publike, si dhe goditja me shqelma të qytetarëve të rëndomtë ishin vetëm disa nga skenat e pahijshme ku kishin marrë pjesë pjesëtarë të kësaj njësie elite të MPB-së. Lidhur me përgjegjësinë eventuale për këto veprime të kundërligjshme të pjesëtarëve të policisë, nga kjo ministri kanë thënë se është procedurë e zakonshme që pas ngjarjeve të këtilla të hetohen edhe veprimet e MPB. Por, të njëjtit nuk kanë qenë aq efektiv në procedimin e rasteve brenda policisë siç është rasti me zbulimin, arrestimin dhe ngritjen e padive penale për protestuesit e 26 shkurtit.
“Pas përfundimit të hetimeve, do t’ju informojmë”, ishte përgjigja e MPB-së nëse është iniciuar ndonjë procedurë konkrete për pjesëtarë të policisë, të cilët në video të ndryshme në rrjetet sociale, shihen se si hedhin me gurë dhe sende tjera në drejtim të protestuesve. Skena të ngjashme ku pjesëtarët e MPB-së “dalin nga kontrolli” dhe në vend të kryerjes së detyrës së tyre i provokojnë protestuesit, kanë qenë prezentë edhe në protestat e mëhershme për rastin “Monstra”. Përgjegjësi për këso veprimesh nuk mbahet mend se ka bartur ndonjë nëpunës policor. Ndryshe, protesta e 26 shkurtit për rastin “Monstra”, u realizua pas vendimit të Gjykatës Penale të Shkupit, e cila tre të akuzuar në këtë lëndë (Halil Demirin dhe vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailloviq) i dënoi me burg të përjetshëm, respektivisht Fejzi Azirin me 15 vite burg dhe Haki Azirin me nëntë vite burg. Në mungesë të provave nga akuza u lirua Sami Luta, i cili paraprakisht ishte i dënuar me burg në përjetshëm. Protesta e organizuar nga familjarët e të dënuarave parashihej të zhvillohej para godinës së GJPSH-së dhe Qeverisë së RMV-së. Mirëpo, e njëjta për arsye ende të pa njohura zyrtare u ndalu të zhvillohet në lokacionet e caktuara. (koha.mk)