Shkup, 3 korrik – Për sulmin brutal të deputetëve dhe gazetarëve që më 27 prill ndodhi në Parlament, Prokuroria e Shkupit së fundmi e ka shqyrtuar hapjen e procedurës hetimore për dhunuesin e deputetes Radmilla Shekerinska, shkruan gazeta KOHA. Ngjashëm si shumica e të akuzuarve, edhe ky sulmues nga ana e Prokurorisë ngarkohet për vepër penale “dhunë”, për të cilën Kodi Penal i Maqedonisë ka paraparë heqje lirie prej tre deri ne pesë vite burg. Pas përfundimit të kësaj procedure hetimore, Prokuroria e Shkupit deri te Gjykata Penale e Shkupit ka dorëzuar aktakuzë kundër personit të dyshuar për sulmin ndaj ministres aktuale të Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. Sipas përshkrimit të akuzës, sulmuesi ngarkohet se gjatë kohës kur ka ndodhur thyerja brutale e dyerve të Parlamentit, ai ka kryer dhunë brutale, me çka e ka kapur për flokësh deputeten e Parlamentit të Maqedonisë. Me këtë rast, e dëmtuara ka pësuar lëndime të lehta trupore. (koha.mk)