Urim HASIPI
Tetovë, 15 mars – “Ndotja dëmton rëndë shëndetin, kërkoni dëmshpërblim” ishte tema e debatit të djeshëm që është organizuar nga Lëvizja Eco Guerilla në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës në hapësirat e këtij Universiteti, ku kanë marrë pjesë ekspertë nga fusha e ambientit jetësor, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe studentë. Arianit Xhaferi nga Lëvizja “Eco Guerilla” në këtë debat prezantoi dëshmi të pasojave të ndotjes në kohën kur ka punuar Jugohromi, ndotësi më i madh i ajrit në Tetovë dhe rrethinë.
Xhafëri theksoi se në bashkëpunim me avokatë, ekspertë juridikë dhe të ambientit, do të ndihmojnë të gjithë qytetarët e dëmtuar për paditë civile për kompensim të dëmit të shkaktuar.
“Më 21 shkurt, i premtuam opinionit se të shtjellojmë pak më thellë, prandaj sot jemi këtu me ekspert të lëmive të ndryshme, të cilët do tregojnë atë të cilën ne e thamë. Ideja e këtij paneli është që pasi të thonë fjalën e tyre ekspertë dhe mjekët do të tregojnë gjitha ato problemet që i ndodh organizmit të qytetarit tonë të Tetovës. Në fund, kemi një avokate mjedisore, e cila do sqarojë procedurat se në çfarë mënyre do të ngriten paditë civile apo kallëzimet penale kundër ndotësve, kundër institucioneve, kundër Komunës dhe Qeverisë, pavarësisht cilin prej tyre qytetarët do të konsiderojnë për fajtorë”, tha Xhaferi.
Mjeku Naser Durimishi, pjesëmarrës në debat, theksoi se pasojat e ndotjes së ajrit do t’i vuajnë edhe gjeneratat që do të vijnë më pas. Sipas tij, ndotja që ka pasur Tetova këto 10 vitet do të trashëgohet brez pas brezi dhe shumë vështirë do të përmirësohet. Ai tha se dikush duhet të marrë përgjegjësi për atë çka ka ndodhur këto vitet e fundit. “Pasojat do të jenë afatgjate me paraqitjen e kancerit, fertilitetit dhe dëmtimin e organeve të frymëmarrjes. Institucionet duhet patjetër të ndërmarrin aktivitete për ndryshimin e ambientit dhe zvogëlimin e pasojave”, tha Durmishi. Profesori Afrim Osmani tha se organet gjyqësore kanë qenë shumë pasive në këtë drejtim dhe prandaj – tash e tutje, sipas tij, kujdesi dhe vëmendja në të ardhmen duhet të kthehet nga qytetarët dhe të fillohet me hapjen e procedurave për pasojat nga ndotja.
Në këtë debat, nga Lëvizja “Eco Guerilla” theksuan se do të ketë edhe kallëzime penal në prokurori për ata që kanë lejuar dhe shkaktuar këtë vrasje të ngadaltë të qytetarëve të Tetovës. Nga kjo Lëvizje besojnë që prokuroria dhe gjykatat tanimë janë në një tjetër fazë, janë të pavarura, dhe do të respektojnë Kushtetutën, do të marrin në konsideratë paditë e qytetarëve, dhe do të jenë në anën e së vërtetës. Në këtë debat u theksua se Tetova pa Jugohromin është më pak e ndotur edhe pse në nivel vjetor ende vazhdon të jetë e ndotur pasi grimcat PM10 janë në nivelin 61. Në këtë debat u nënvizua se sëmundjet janë të shumta si pasojë e ndotjes enorme të ajrit, por më së shumti për njerëzit më sëmundje kardiovaskulare. (koha.mk)