Stacioni policor – Prilep parashtroi padi penale kundër ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe për një avokat shtetëror aktual dhe një ish avokat shtetëror dhe për një noter, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Personat M.J (39) nga Shkupi, D.R (64) nga Prilepi, S.T (63) nga Prilepi dhe V.J (51) nga Prilepi, janë nën dyshimin se kanë kryer vepër penale ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit’, i paraparë dhe dënuar me nenin 353 paragrafi 1, 3 dhe 5 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë”, citohet në padinë e parashtruar deri te Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shkup.
I denoncuari i parë, siç kumtoi sot MPB-ja, në periudhën kohore prej vitit 2007 deri në vitin 2010, në cilësinë e ministrit të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në mënyrë që në kundërshtim me dispozitat e parapara në Ligjin për shitjen e banesave sociale, gjegjësisht pa Vendim të Qeverisë si pronar i banesave nr. 16 dhe 12 të ndodhura në a.q “ndërtesën e pensionistëve” në Prilep, e cila gjendet në rr “Dimo Narednikot” si përfaqësues i autorizuar i Qeverisë, ka lidhur marrëveshje për shitblerje të banesave të kësaj lënde me personat Z.A dhe D.R, banesa të cilat personat i kanë shfrytëzuar në bazë të vendimeve të dhëna nga ish Lidhja e Luftëtarëve dhe Lidhja e Pensionistëve.
I denoncuari i dytë me profesion noter, i denoncuari i tretë ish avokat shtetëror dhe i denoncuari i katërt avokat aktual shtetëror në cilësinë e personave të autorizuar të cilët është dashur ta hetojnë ligjshmërinë dhe lejen e lidhjes së marrëveshjeve, nuk kanë ndërmarrë masa dhe kanë humbur mbikëqyrjen për mbrojtjen e pronës shtetërore të Republikës së Maqedonisë, me ç’ka u është mundësuar këtyre personave të bëjnë shitblerjen e banesave me çmime të autorizuara, me çka e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Maqedonisë në vlerë të përgjithshme prej 2.595.976 .00 denarë, theksohet në kumtesën e MPB-së.