Shkup, 25 prill – Sektori i Punëve të Brendshme Shkup, gjegjësisht Njësiti për krim ekonomik dhe kompjuterik, në Prokurorinë Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, parashtroi padi penale kundër ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Kirill Bozhinovski dhe ish-zëvendësministrit, Hristian Delev për shkak të ekzistimit të dyshimit se kanë kryer vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”, me çka i është shkaktuar dëm buxhetit të RM-së në lartësi prej 1.352.400 denarësh.
Ministria e Punëve të Brendshme informoi se sipas njohurive të dokumentuara të zbatimit të veprës penale, gjatë vitit 2016, i ka paraprirë dakordimi i marrëveshjes autoriale midis G.D., i përfaqësuar nga Agjencia për pronësi intelektuale ARTPICK Shkup dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në atë kohë e përfaqësuar nga Bozhinovski, atëherë sekretar i përgjithshëm i Qeverisë së RM-së.
Me këtë marrëveshje G.D., me kërkesë të Qeverisë – Sekretariatit të Përgjithshëm, është obliguar në periudhë prej 28 janarit deri më 28 shkurt 2016, personalisht të përpunojë dhe dorëzojë vepër autoriale “Punë intelektuale – grumbullimin e informacioneve dhe të dhënave, analizë, përgatitjen e raportit dhe elaborimin e tij për burime energjetike nga aspekti i legjislativës juridike”.
Vlera e marrëveshjes së dakorduar është vlerësuar me bruto shumë prej 1.352.400 denarësh, mjete të buxhetit të cilat është dashur t’i paguhen G.D. pasi në afatin e paraparë ta dorëzojë veprën autoriale deri tek porositësi – Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Sekretariati i Përgjithshëm.
I denoncuari i dytë Delev në cilësinë e zëvendësministrit të Ekonomisë, edhe pse e ka ditur se G.D. nuk i ka respektuar kushtet e dakorduara dhe afatet dhe nuk e ka dorëzuar veprën autoriale për të cilën është dakorduar marrëveshja, më 5 prill 2017 ka nënshkruar deklaratë të rrejshme për punën e kryer në pajtim me kërkesat dhe kushtet e dakorduara. Bozhinovski në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë ka nënshkruar dhe ka dhënë urdhër prej llogarisë së buxhetit të Republikës së Maqedonisë në llogarinë e G.D. të paguhen mjete në shumë të përgjithshme prej 1.200.000 denarësh pa TVSH me çka personit i kanë mundësuar dobi pronësore të jashtëligjshme dhe në këtë mënyrë e kanë dëmtuar Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për shumë në të holla prej 1.352.400 denarë.