Thashethemet kanë marrë fund dhe tashmë është zyrtarizuar dueli i shumëpritur mes boksierit filipinas Manny Pacquiao dhe atij britanik Amir Khan. “Kjo ishte ajo që fansat dëshironin dhe ne do t’ua japim këtë sfidë. Kemi rënë dakord që përballja të zhvillohet më 23 prill”, ka qenë komenti i dhënë sot nga boksieri filipinas, kampion bote në peshën “welter”, në kategorinë WBO, që konfirmoi sfidën ne afqen e tij zyrtare “Twitter”. Një super-ndeshje, që pritet të zhvillohet në vendet arabe, pas kërkesave të shumta që kanë ardhur nga ky shtet, por vendi ende nuk është zyrtarizuar.
Pacquiao, 38 vjeç, mori sërish titullin kampion në duelin ndaj Jessie Vargas në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa Khan 30 vjeç, nuk zhvillon një sfidë zyrtare që prej majit 2016, kur u mund nga Canelo Alvarez. Më pas ai u operua në dorë dhe vetëm së fundi ka nisur stërvitjen. “Negociatat mes nesh gjetën gjuhën e përbashkët për këtë përballje”, tha më tej Pacquiao, duke hedhur poshtë zërat e mëparshëm për një përballje me australianin Jeff Horn. Për të “gjetur” rivalin, Pacquiao pat lëshuar edhe një sondazh, ku Khan mori shumicën e votave nga fansat e tij, çka ndikoi në këtë zgjedhje.