Prishtinë, 28 shkurt – Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i diplomacisë Behgjet Pacolli, përmes faqes së tij të Fejsbukut, i dërgoi letër të hapur presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, të cilit i bëri thirrje që të merr guxim dhe ta pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Pacolli në letrën, të cilën e shkroi pas takimit të Vuçiqit me përfaqësues të serbëve të Kosovës, porosit se pavarësia e Kosovës është realitet të cilin Serbia duhet ta pranojë.
“Serbia ka pasur shumë liderë të cilët e kanë ditur që historia i ka rezervuar Kosovës atributet e shtetësisë, ndërkombëtarisht, por asnjëri nga ta nuk ka pasur kurajon që këtë ta pranojë publikisht këtë fakt. Uroj që Ju të shiheni si Presidenti i parë i Serbisë, i cili merr guximin të përballet me të vërtetën, njohjen e Republikës së Kosovës, dhe që nuk ikën nga kjo e vërtetë me takime të improvizuara sikurse ky i fundit mes Jush dhe disa serbëve të Kosovës në vizitë tek ju në Beograd. Kontribuoni për paqen zotëri President i Serbisë”, i shkuan Pacolli Vuçiqit.
Shefi i diplomacisë së Kosovës, në letrën të cilën e quan si “letër e vullnetit të mirë”, thotë se “Kosova është shtet i cili qëndron në lirë, demokraci dhe mirëqenie” dhe se “Serbët në Kosovë jetojnë në rrethinë të sigurt dhe në pajtueshmëri me rendin juridik dhe institucional”.
“Mohimi i fakteve nga ana Juaj është mëkat, përderisa të kërkohet nga serbët që ta refuzojnë këtë, paraqet edhe mëkat dhe vuajtje. Është koha që Serbia t’iu lejojë serbëve që ta jetojnë jetën e tyre të çliruar nga përzierja e saj”, i shkruan Pacolli presidentit Vuçiq.