Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë vizitës zyrtare në Turqi ka zhvilluar një takim me Kryeparlamentarin e këtij vendi, Ismail Kahraman, raporton Anadolu Agency (AA). Kahraman, në takimin e zhvilluar në Parlamentin e Turqisë, ka shprehur kënaqësinë e tij nga vizita e Pacollit dhe delegacionit të tij. Në takim Pacolli ka vënë theksin në thellimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai tha se Kosova si një shtet i ri ka nevojë për mbështetjen e shteteve të mëdha dhe të fuqishme mike për të siguruar vendin e duhur në arenën ndërkombëtare. Ai në vijim ka shprehur falënderime për mbështetjen e deritanishme të Turqisë për Kosovën. “Kosova do të vazhdojë të qëndrojë një mik i besueshëm i juaji”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Pacolli. Takimi më tej ka vazhduar i mbyllur për media. Pacolli në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Turqi sot është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. Ndërsa nesër do të pritet nga kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım. Gjithashtu, Pacolli do të takohet edhe me ministrin turk të Zhvillimit, Lütfi Elvan si dhe me afaristë turq.