Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, është thirrur të raportojë në Komisionin për Politikë të Jashtme, lidhur me vizitën e tij në Mal të Zi ku ka diskutuar për Demarkacionin, dhe për tërheqjen e aplikimit në Interpol dhe UNESCO. Lidhur me Malin e Zi, Pacolli ka thënë, se pala malazeze i ka thënë se Demarkacioni për ta është temë e mbyllur dhe i panegociushëm, shkruan gazetametro.net.
Pacolli duke e theksuar se Demarkacioni është një temë që po e rëndon politikën e brendshme të vendit, ka thënë se Mali i Zi është i paluhatur për marrëdhënie të mira me Kosovën, por sa i përket temës së kufirit, ata tashmë këtë e konsiderojnë si diçka që i përket të kaluarës. Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se ajo marrëveshje s’ka asnjë mundësi të rinegociiohet.
“Ajo marrëveshje që bazohet në kufijt kadastral të komunave. Janë shpjegime që i kam marrë nga Mali i Zi. Në kohën e ish Jugosllavisë ata kufij i kanë caktuar komunat. Konsiderohet se Demarkacioni me Kosovën është bërë në bazë të hartave katastrale dhe si i tillë paraqet realitetin. I gjithë territori i Kosovës i përcaktuar nga hartat kadastrale, ka mbetur në Kosovë dhe territori i Malit të Zi atje”, ka thënë Pacolli. Duke treguar se çfarë i kanë thënë malazezët, Pacolli ka bërë të ditur se ata i kanë premtuar se janë të gatshëm ta presin Kosovën sa të ketë nevojë, por në fund sërish kjo temë është e mbyllur.