Prishtinë, 13 gusht – Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Bexhet Pacolli, duke e komentuar deklaratën e Grupit të Kuintit, theksoi se Prishtina është e gatshme, si edhe çdoherë për negociata me Serbinë, por vetëm si dy shtete të pavarura.
Pacolli tha se politika e jashtme e Kosovës çdoherë ka qenë e koordinuar dhe në pajtim me qëndrimin e partnerëve strategjikë si SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe italia, dhe atë prej fillimit të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.
“Shtetësia jonë bazohet në orientimin perëndimor dhe e përshëndesim përkushtimin e të gjitha vendeve të Kuintit për t’u normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Pacolli.
Ai potencoi se Kosova çdoherë ka qenë e përkushtuar në vazhdimin e dialogut.
“Ishim të gatshëm t’i vazhdojmë bisedimet, por Serbia ulësen e vet e la zbrazët dhe vazhdimisht shkakton incidente dhe agresion në Kosovë”, shkroi Pacolli në Fejsbuk.
Ambasadat e pesë shteteve më me ndikim në Kosovë, të njohura si Grupi i Kuintit, përmes një deklarate të përbashkët të publikuar nga ana e ambasadës amerikane, u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit t’i evitojnë veprimet të cilat do ta pengonin arritjen e marrëveshjes përfundimtare, e cila, siç ceket, “është e domosdoshme për integrimin e tyre më të madh euroatlantik dhe për përfitimet nga ajo”.
Përfaqësitë diplomatike theksojnë se vendet janë gatshme të forcojnë përpjekjet në përkrahje të procesit të të BE-së, e cila ndërmjetëson në negociata midis Kosovës dhe Serbisë.
“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, përfundon deklarata e përbashkët të pesë ambasadave perëndimore.