Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka hedhur poshtë mundësinë që Behgjet Pacolli të bëhet automatikisht kryeministër i ri i vendit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i shefit të ekzekutivit të vendit.
Hasani ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se nuk qëndron interpretimi që i është bërë Kushtetutës së vendit në media se “pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit, barra e përgjegjësisë bie mbi zv. kryeministrin e parë”.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese madje ka qeshur, duke thënë se kushdo që ka bërë një konstatim të tillë nuk është njohës i mirë i Kushtetutës së Kosovës. Hasani ka theksuar se Kadri Veseli i Partisë Demokratike të Kosovës mund të propozojë dikë për mandatar për kryeministër, nëse për këtë pajtohen edhe partnerët e koalicionit, Haradinaj (si udhëheqës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), dhe Fatmir Limaj (si udhëheqës i Nismës Socialdemokrate).