Prishtinë, 25 shtator – Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, nesër do të qëndrojë në Mal të Zi, ku pritet të bisedohet për çështjen e demarkacionit të kufirit kosovar-malazes. “Nesër do të udhëtoj në Malin e Zi për një seri vizitash zyrtare. Përveç takimit me homologun tim, Sërgjan Darmanoviq, Ministër i Punëve të Jashtme i Malit të Zi do të takojë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Zoran Pazhin si dhe Ivan Brajoviqin, kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi. Pasdite do të takohem edhe me presidentin malazez, Filip Vujanoviq”, shkroi Pacolli në profilin e tij në Facebook. Sipas tij takimin e radhës do ta ketë me drejtuesit e Partive Politike Shqiptare në Mal të Zi. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit kosovar-malazes është nënshkruar në Bruksel nga fundi i gushtit të vitit 2015. Koalicioni paraprak qeveritar nuk e pati shumicën e nevojshme të dy të tretave për ratifikimin e tij. Haradinaj, ditën e parë pas zgjedhjeve të Qeverisë, si kryeministër, e shkarkoi komisionin i cili e përgatiti dokumentin dhe formoi të ri. Nga ana tjetër kryetari i Komisionit malazes për shënimin e kufirit me Kosovën, Milan Paunoviq, këto ditë deklaroi se pret që kjo çështje të përfundojë sipas tashmë marrëveshjes së arritur nga të dyja palët. Versionin aktual të marrëveshjes e përkrahin edhe diplomatët e huaj në Prishtinë.