Qytetarët mund të kenë përfitim nga Ligji për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore të vitit 2016, por për këtë është i domosdoshëm zgjerimi i listës së situatave që mund të trajtohen me vajin e kanabisit, si dhe dekriminalizimi i kultivimit dhe konsumit të kanabisit për përdorim personal.
Kjo është biseduar në debatin publik në temën “Përfitimet ekonomike dhe shëndetësore nga legalizimi i kanabisit” që u mbajt javën e kaluar në kuadër të Komisionit parlamentar për çështje ekonomike në Kuvend dhe në të cilin morën pjesë deputetë, avokatë, profesorë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit civil.
Është i domosdoshëm azhurnimi i listës së sëmundjeve që trajtohen me kanabis
Qëkur janë miratuar ndryshimet në ligjin e vitit 2016 dhe në rregulloren për situata që mund të trajtohen janë vetëm HIV-i, multipleks skleroza, epilepsia dhe kanceri, dhe kjo listë deri tani asnjëherë nuk është rishikuar. Në Gjermani kanabisi përdoret për rreth 40 situata, në SHBA për mbi 100 dhe azhurnohet në nivel vjetor. Te ne në praktikë vetëm tre mjekë specialistë kanë të drejtë të përshkruajnë marihuanë për qëllime mjekësore.
Davor Angellovski, i cili punon në edukimin e personave mjekësor, në të shumtën e rasteve doktorë dhe farmacistë, për përdorimin e kanabisit dhe ekstrakteve të kanabisit, shprehet se ende ka stigmë për këtë çështje dhe doktorët ende e konsiderojnë kanabisin si drogë.
“Kanabisi ka rreth 400 përbërës shërues, rreth 113 -117 kanabinoidë, e prej tyre vetëm një është psikoaktiv. Ky është THC. Po, bëhet fjalë për kanabinoid psikoaktiv, por nuk do të thotë se duhet të kemi frikë. Në botë deri tani nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes nga kanabisi”, tha Angellovski.
Lidhur me Ligjin për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, konsideron se është kufizues dhe mjaftë i ngushtë.
“Janë të paktë në numër mjekët të cikët mund ta përshkruajnë. Neurologë, infektologë dhe onkologë dhe ajo që e vërej dhe që konsideroj se është kundërthënëse është se nuk mund ta përshkruajnë të punësuarit nga institucionet private. Diçka që nuk mund ta kuptoj, meqë si pacient kam të drejtën e zgjedhjes se ku do të kurohem. Lidhur me sëmundjet, nuk janë vetëm ato katër sëmundje që momentalisht i kemi dhe tri lloje të specialistëve që mund t’i përshkruajnë, kështu që ekziston mundësia që t’i zgjerojmë sëmundjet dhe doktorët të cilët mund ta përshkruajnë këtë”, thekson Angellovski.
Nevojitet dekriminalizim i përdorimit personal të kanabisit. Duhet të bëhet një model real që do t’u përshtatet nevojave.
“Konsideroj se duhet të lejohet kultivim për nevoja personale dhe kjo duhet të bëhet në metër katror, e jo në një numër të caktuar të bimëve. Konsideroj se policia, sikurse deri tani, duhet të vazhdojë punën e saj dhe duket të kërkojë dëshmi për shitjen dhe dëshmitarë. Konsideroj se kufizimi në një shifër të tillë qesharake është joproduktiv. E para dhe themelorja që mund ta bëni për pacientët në Maqedoni të cilët i përfaqësoj sot është që ta dekriminalizoni përdorimin personal dhe të mos kenë frikë nëse do të përfundojnë në burg ose do të kenë çfarëdo pasojash ata që vetëm konsumojnë kanabis”, tha Angellovski.
Çmimi i lartë i kanabisit mjekësor e “mban” në lojë tregun e zi
Doktor Niko Beqarovski nga Klinika Universitare për Toksikologji, udhëheqës i Departamentit për Sëmundje të Varshmërisë dhe Detoksikimit dhe sekretar i Shoqatës së Toksikologëve Klinik të RM-së, shprehet se Ligji për legalizimin e kanabisit për përdorim në mjekësi tashmë dy vite është tërësisht i vjetruar.
“Ne jemi sjellë në situatë që vetëm një grup i caktuar mjekësh specialistë të mund të përshkruajë ilaç që është i sigurt. Plotë 29 vjet punoj në Klinikën për Toksikologji dhe qëkur është miratuar ligji numri është zvogëluar, nuk është rritur. Të mos kemi frikë, jo vetëm që ne nuk kemi parë komplikime serioze, por edhe në botë nuk ka dhe nuk mund të ketë rast të vdekjes vetëm nga marihuana”, tha Beqarovski.
Nga ana tjetër, bën të ditur Beqarovski, vetëm vitin e kaluar 137 pacientë kanë përfunduar në Klinikën për Toksikologji, si rezultat i sulmeve epileptike dhe dozimit të tepruar me tramadol.
“Tradamadolin mund ta përshkruaj secili mjek. Tramadoli është i kapshëm në çdo barnatore, madje edhe pa recetë, ndërsa ndodhin probleme të tmerrshme me trurin. Ky është një narkoanalgjetik. Pra, formula kimike e tramadolit, për dallim nga heroina, dallon vetëm në dy grupe radikale. Paracetamolin mund ta blini në shitore. Brenda vitit 1.700 njerëz në Evropë përfundojnë me insuficiencë hepatale, e cila kërkon transplantim të mëlçisë. Larg asaj se bëhet fjalë për ilaçe që janë të sigurt dhe të pasigurt. Secili ilaç ka veprime të tyre të dëshiruara dhe të padëshiruara. Mirëpo, puna kryesore që një doktor mund ta bëjë për pacientin e tij është që ta ulë dhimbjen”, deklaroi Beqarovski.
Ai thekson se për çdo ditë te ai vijnë dhjetëra pacientë të sëmurë nga kanceri në mitër, në gji ose në vezorë.
“Besoni se prej këtyre dhjetëve, tre-katër përdorin vaj të kanabisit. Ajo që është tragjike është se thuajse 90 për qind e tyre ende e blejnë në tregun e zi. Pse ndodh kjo? Së pari për shkak të mosbesimit në atë që ofrohet momentalisht në treg, e së dyti, për shkak të çmimit. Bëhet fjalë për preparate që ende janë skajshmërisht të shtrenjta”, tha Beqarovski.
Lidhur me vajin CBD është dakord se i qetëson dhimbjet, por që t’i qetësoni dhimbjet, një paketim kushton 1.200 denarë.
“Me 1.200 denarë do t’i qetësoni dhimbjet tre-katër ditë. Paracetamoli është dhjetë denarë, analgini është 20 denarë. Pikërisht për shkak të kësaj së paku prodhimtaria e CBD-së, e cila nuk ka kurrfarë efektesh negative, pse nevojiten të gjitha ato barriera të mëdha për prodhimtarinë e konopit të egër. Prodhimtaria më masive do ta ulë çmimin dhe do ta bëjë më të kapshëm në treg”, tha Beqarovski.
Theksoi se në sistemin tonë arsimor ka mësuar se përdorimi i marihuanës në mënyrë të pashmangshme më vonë rezulton me përdorim të heroinës, por sot në botë ka studime që tregojnë se kurimi i varësisë nga heroina mbështetet në marihuanën.
Dekriminalizimi i kanabisit dhe destigmatizimi i përdoruesve
Avokati dhe themeluesi i shoqatës për kanabis dhe politika të gjelbra “Bima”, Janaki Mitrovski, shprehet se politika e gabuar shtetërore krijon një gjendje paradoksale, me ç’rast në qoftë se ndonjë qytetar ose i huaj ka mjete të konsiderueshme do të jetë biznesmen dhe mund të kultivojë kanabis pa kufizime, e nëse ndonjë qytetar ka njeri të afërt me familjen dhe diagnoza që mund të trajtohet me kanabis, ndërsa nuk ka mjete të mbjellë dhe kultivojë kanabis në shtëpi do të ndiqet ashpër dhe i kërcënohet dënim prej tre deri dhjetë vite burgim.
“Konsiderojmë se është i domosdoshëm ndryshimi ligjor që do të mundësojë secili qytetar që ka gjendje shëndetësore që dallohet nga ana e shtetit, e që mund të trajtohet me kanabis të mund të mbjellë në shtëpi kanabis në një numër të caktuar të bimëve dhe të jetë i licencuar në Ministrinë e Bujqësisë”, deklaroi Mitrovski.
Thekson se nuk ka kurrfarë problemi që persona komercialë të realizojnë përfitime, por ku është përfitimi për qytetarët.
“Ky shtet mundësoi “pulë të artë” afariste për një grup të vogël të personave juridik, ndërsa qytetarët, pacientët nuk kanë përfitim, e as që janë të obliguar të japin produkte në tregun tonë. Nga ana tjetër, paralelja është se qytetarët dhe atë që janë hasur në hall ndiqen”, theksoi Mitrovski.
Konsideron se është i domosdoshëm ndryshimi i plotë i politikave shtetërore në raport me kanabisin dhe dekriminalizimin e tij, veçanërisht për shkak të faktit se ligjdhënësi nuk ka definuar se çfarë nënkupton me sasi më të vogël dhe kjo keqpërdoret në praktikë.
“Iniciojmë ndryshime në Kodin Penal me të cilat në mënyrë ligjore do të përcaktohet se cilën sasi shteti e konsideron për përdorim personal në kushte kur nuk ka elemente tjera në shitje. Çfarë solli deri te gjendja e sundimit të së drejtës, destigmatizimi i përdoruesve të kanabisit dhe dekriminalizimi i tyre, por edhe do të sjellë përfitime direkte dhe indirekte ekonomike për shtetin, i cili tashmë nuk do t’i përdorë në mënyrë të panevojshme resurset edhe ashtu modeste dhe të angazhojë inspektorë me arsim të lartë, ekspertizë të kanabisit, prokuror dhe avokatë”, shprehet Mitrovski.
Për përfitimet ekonomike nga legalizimi i marihuanës lexoni në pjesën e dytë të temës.(koha.mk)