PABLO ESCOBAR, 25 vjet më parë u vra super-trafikanti i drogës! (FOTO)

Disa e kujtojnë si “Robin Hood”-i i Kolumbisë, por për shkak të tij në 20 vjet humbën jetën mijëra persona. Vila e tij bunker, do të bëhet një park lojërash në kujtim të viktimave

Ka përfunduar në një tarracë të Medelinit, në 2 dhjetor të vitit 1993 historia më e madhe e narko-trafikantit në botë: nën goditjet me armë të policisë, 25 vjet më parë do të vritej Pablo Escobar, baron i kokainës. Një skenë që është portretizuar edhe në një pikturë të famshme të kolumbianit Fernando Botero.

Atë ditë, një ditë pas 44-vjetorit të lindjes dhe pesë muaj pasi u shfaq në për të shtatën herë në listën e “Forbes”, për njerëzit më të pasur të planetit – trupi i gjakosur i Escobar-it që ndodhej mbi tarracë, shfaqej nga televizionet dhe u konsiderua nga policia si një “trofe”. Që atëherë, përvjetori është përjetuar në Kolumbi si një përzierje mes urrejtjes dhe adhurimit, dhimbjes dhe mirënjohjes.

25 vjet më vonë, autoritetet po përgatiten të prishin ndërtesën e Monakos, selia-bunker e mbretit të trafikut të drogës, në rrethin e El Poblado. Në vend të saj do të ndërtohet një park publik i dedikuar për mijëra njerëz të vrarë në Kolumbi nga ‘narkoterrorizmi’, pra në luftën midis karteleve të drogës që luftuan njëra me tjetrën dhe kundër shtetit në vitet ’80 dhe ’90.

I mallkuar, i pranuar me turp, ndonjëherë i nderuar, por kurrë nuk u injorua. “Shefi” përgjegjës për mijëra vdekje është bërë një fenomen që tejkalon kufijtë e Kolumbisë. Trafiku i drogës shkaktoi të paktën 3 mijë të vdekur dhe frika mbizotëronte jetën e përditshme në ato vite, por Escobar mishëroi një model të “hakmarrjes sociale për të varfrit”, të cilëve iu dha “shtëpi, punë, para dhe bizhuteri”, thotë Omar Rincon, ekspert i Universitetit të Los Andes. Aq shumë që shumë e kujtojnë atë si “Robin Hood kolumbian”.

Për Escobar-in shkroi fituesi i çmimit “Nobel”, Gabriel Garcia Marquez në “Notizia di un sequestro” e tij dhe kohët e fundit historia e tij ka frymëzuar “Netflix”-in me serinë televizive “Narcos”. E veja dhe fëmijët e tij, si dhe vëllai dhe e dashura më e njohur, shkruan për jetën e tyre pranë tij; si dhe policët që luftuan kundër tij dhe ish-krahu i tij i djathtë, Popeye.

Në fund, shijet ekstravagante të atyre që nga një kriminel i mitur, u bë një nga njerëzit më të pasur në botë, nuk e kontaminuan vetëm mafien: sot ata që shëtisin me makina luksoze, veshin këmisha me jakë të hapur, që zbulojnë zinxhirët e floririt në qafë, ndoshta duke mbajtur afër një bionde të lyer, ato janë për shumë njerëz simbole të suksesit.

“Ne nuk duam që të ketë fëmijë që thonë se duan të jenë si Pablo Escobar kur të rriten”, – shpjegon Manuel Villa, Kancelari i qytetit të Medellin, i cili ka nisur numërimin së prapthi para shkatërrimit të ndërtesës Monako. Pallati gjigant i bardhë tetë-katësh, ku Escobar ka përjetuar periudhën e fundit, simbol dekadent dhe pasuri e mafies kolumbiane në vitet ‘80 dhe ‘90, ka rënë në gjendje e keqe në vitet pas vdekjes së trafikantit më të madh të drogës.

Ai mbart ende plagët e sulmit të parë me bomba të makinave në Kolumbi në vitin 1988, që shënoi fillimin e një lufte të përgjakshme ndërmjet karteleve rivale të drogës. Prishja është caktuar për në muajin shkurt 2019. “Monako është bërë një vend i faljes për krimin dhe terrorizmin. Më shumë se shkatërrimi i asaj ndërtese, prishja ka të bëjë me shkatërrimin e një strukture në aspektin mendor”, thotë Villa.

Sipas autoriteteve të Medellinit, në dhunën e trafikut të drogës janë vrarë 46,612 persona në mes të vitit 1983 dhe 1994. Parku do të ndërtohet në vend të ndërtesës dhe do të kushtojë 2,5 milionë $, ndërsa rinovimi i shtëpisë së shkatërruar do të kushtojë 11 milionë dollarë.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com