Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 gusht – Që të përmirësojë standardin e qytetarëve të saj, Maqedonia nevojitet që në periudhën e ardhshme të ketë rritje më dinamike dhe më të shpejtë të ekonomisë, shkruan gazeta KOHA. Shkallë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto që të mundësojnë rritje të mirëqenies në raport me rritjen ekonomike prej 2 deri 3 për qind në mesatare. Analistët ekonomike thonë se vetëm me hapjen e vendeve të reja të punës nga kompanitë ekzistuese vendore dhe të huaja, por edhe kompanitë e reja si të jashtme ashtu edhe vendore – mund të presim jetesë më të mirë për të gjithë qytetarët në shtet. Në ndërkohë, ekzekutivi i ri ka premtuar rritje ekonomike prej 5 për qind në mesatare, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, pagë mesatare prej 23 mijë në 30 mijë denarë në muaj deri në fund të mandatit. Nga masat e ndryshme ekonomike, deri tani është realizuar ajo për rritjen nga 9000 në 12 mijë denarë të pagës minimale prej muajit shtator që në mënyrë indirekte – vitin e ardhshëm do të ndikojë edhe në rritjen e pagës minimale. Pritet të vendoset tarifa e lirë e rrymës, si dhe të hiqet pagesa e taksës radiodifuzive. Njëherazi parashikohet që rreth 3000 persona të fitojnë 7596 denarë në muaj, e të cilëve ju është ndërprerë marrëdhënia e punës në firmat me pronësi shtetërore pas janarit të viti 1995 deri në 31 dhjetor të vitit 2016. Ekonomistët thonë se vitet e ardhshme është e mundshme rritja ekonomike prej 5 për qind që duhet të bëhet edhe qëllim strategjik i Qeverisë së re.
Vlerësohet se çelësi i rritjes ekonomike më të madhe në Maqedoni që nënkupton përmirësimin më të shpejtë të mirëqenies së qytetarëve dhe uljen e papunësisë qëndron tek investimet vendore dhe të huaja, që do të hapin edhe vende të reja të punës.
Sipas analistit ekonomik Ljupço Zikov, rritja më e madhe ekonomike mund të arrihet vetëm përmes hapjes së bizneseve të reja, rritjes së eksportit si dhe investimeve në sektorë të ndryshëm si energjetikë, teknologjinë informatike, industrinë ushqimore, bujqësi, transport, ndërtimtari, industri metalike, turizëm dhe sektorin e shërbimeve. “Rritja ekonomike prej së paku pesë për qind nuk mund të mbështetet në konsumin personal të qytetarëve, por në harxhimet për investime që do ti bëjnë kompanitë aktive në treg si dhe firmat e reja që do të hapen si dhe nga investitorët e huaj. Na nevojiten kompani tërësisht të reja që do të krijojnë edhe vlerë të re të shtuar për çka nevojiten edhe programe të veçanta jo vetëm për përkrahjen e bizneseve ekzistuese, por edhe për stimulimin e sipërmarrësve të rinj . Shteti duhet të përkrahë këto investime përmes Bankës së Maqedonisë për Përkrahje të Zhvillimit , përmes fondeve të veçanta për rritjen e sipërmarrjes , garancive të ndryshme shtetërore, stimulimeve eksportuese , si dhe investimeve tej-kufitare sidomos të fokusuara në investimet e kompanive vendore që do të marrin guximin dhe do të dalin të punojnë në tregun rajonal ballkanik”, thekson për KOHA, Zikov.
Sipas tij, potenciale të pashfrytëzuara për investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës ekzistojnë sidomos në industrinë ushqimore dhe bujqësi që do të orientohet më shumë në eksportin e prodhimeve industriale siç janë për shembull përpunimet e mishit si dhe turizëm ku për shembull të gjitha kapacitete akomoduese në Maqedoni numërojnë 25 mijë krevat, ndërsa vetëm në qendrën dimërore të Bullgarisë, Bansko ka 27 mijë krevate për bujtje të turistëve. Potenciale të mëdha ekzistojnë edhe në sektorin e teknologjisë informative që në vitin e kaluar ka realizuar eksport të vlefshëm 70 milion euro , ku për shembull me hapjen e zonës së veçantë ku do të punonin bizneset si vendore ashtu edhe të jashtme me favore të njejta me siguri se do të rritej edhe eksporti i shërbimeve dhe prodhimeve të ndryshme të teknologjisë informatike shton më tej Zikov. Në ndërkohë sivjet pritet rritje prej afër 2.2 për qind e ngjashme me atë prej 2.4 për qind të vitit 2016. Në vitin e kaluar si rrjedhojë e ngërçit politik u shënuan ulje e investimeve të firmave të brengosura nga gjendja politike në shtet. Andaj rritja ekonomike kryesisht u mbështet nga konsumi i amvisërive si rritja e punësimit, pagat, pensionet ,dhe kreditë konsumatore, Një faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike ishte edhe ndërtimtaria e përkrahur në një pjesë të madhe nga investimet në autostradat e reja.
Ekonomistët thonë se mund të arrihen shkallë më të larta ekonomike në rast se plotësohen edhe kushtet e ndryshme siç janë rikthimi i stabilitetit politik që të mund të ketë rritje më të madhe ekonomike. Gjithashtu vlerësohet se do të duhet të realizohen reforma të thella dhe rrënjësore që të krijohen kushte për rritjen më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto duke filluar nga gjyqësori, sundimi i së drejtës , qasjes më të lehtë ndaj financave për bizneset e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, probleme me rritjen më të madhe ekonomike si dhe papunësinë e lartë, varfërinë e madhe, demokracinë e brishtë , institucionet e dobëta, gjyqësorin joefikas , borxhin e lartë publik si dhe ikjen e madhe e të rinjve, nuk e ka vetëm Maqedonia por pa përjashtim të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor.
Ndryshe, qëllimet më të shpeshta të rritjes ekonomike në shtetet e pazhvilluara sa duhet në aspektin ekonomik janë ulja e varfërisë dhe e papunësisë si dhe shpërndarja e barabartë e të ardhurave. Andaj, rritja më e lartë ekonomike në Maqedoni duhet të zgjidh edhe problemin e shpërndarjes jo të barabartë të të ardhurave të qytetarëve që e mbështesin edhe hulumtimet e ndryshme të huaja. Të dhënat e bankës Kredit Suis gjithashtu dëshmojnë një gjë të tillë. Sipas kësaj analize, 73 për qind e qytetarëve të rritur në Maqedoni posedojnë një pasuri më të ulët se 10 mijë dollarë. Pasuri ndërmjet 10 mijë dhe 100 mijë dollarë posedojnë 26.4 për qind të qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa vetëm 0.8 për qind e tyre posedojnë pasuri prej 100 mijë deri një milion dollarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.