Politikanët bëjnë veprime, deklarata dhe mohime për të cilat ndonjëherë njeriut do ti vinte turp ti bënte para shokëve të shkollës fillore. Ballkani i vitit 2019 ka patur shumë ngjarje dhe prapë ata që e kanë jetuar dhe kanë qenë të vetëdijshëm para nja dy dekadash besoj se janë të stepur me mos ndryshimin e gjërave në logjikën e tyre. Shumë ngjarje dhe jeta në Ballkan ka vetëm kuptim satirik dhe asgjë tjetër
Nga Idro SEFERI
“Njerëzit do ta kenë ndjenjën se janë të lirë, të pasur dhe të lumtur”, kështu shkruante një parullë të një ideologjie totalitare që kishte sunduar në ish-Jugosllavi. Në disa poster, që nga pushteti nazist dhe qeveritë lokale të atëhershme, pra kolaboracinistët, e deri tek komunistët, pra të gjithë rivalët e këtij nënqielli, gjej parullën interesante. Ajo që më bëri përshtypje këtu është që këta të paktën mundoheshin. Por, aj që mbi të gjitha ishte për analizë ishte shprehja “do ta kenë ndjenjën se”, pra që mund të mos jetë një ndjenjë reale, por një ndjenjë mbi ndjesinë e krijuar.
Kështu shumica e ballkanasve që nuk e shohin situatën e “kanë ndjenjën se kanë shtet”. Pjesa tjetër që jo, por nuk besojnë se këtu bënë edhe ndryshe. Nëse analizon të gjithë popujt ballkanik, të gjithë thonë “Këtu është Kosovë, kështu e ki”, “Këtu është Shqipëri…”, “këtu është Maqedoni…”, “Tako ti to u Srbiji”, e kështu me radhë. Kur duan ti dhënë dhe vule tjetër i shtojnë edhe emrin e qytetit si shembull “kështu e ke në Vlorë, po spate mik vdes”.Por, përse ballkanasit kanë gjithmonë një situatë të njëjtë në jetë që pak a shumë stoliset me pajisje teknologjike, por që në thelb relacioni jetë-atdhe bëhet i mundimshëm.
Ndoshta, në vend të urimeve, njerëzit që janë pjesë e opinionit publik dhe pak a shumë drejtojnë mendimet e diskurset që kanë të bëjnë me ndonjë gjë të rëndësishme, mund të kërkonin falje për lexuesit dhe shikuesit. Është kohë festash dhe nuk bënë të mërzitemi shumë. Festave i rezistojnë pak njerëz në botë, pavarësisht se për çfarë janë ato. Të paktën të gjithë i dimë ditëlindjet tona, festat fetare dhe Vitin e Ri. Kjo festë dallon shumë për nga festat e tjera për nga niveli i euforisë. Nuk ka asgjë të keqe që njerëzit të gëzohen ndonjë herë. Viti i Ri ka gjithmonë një numër të madh gjërash që e përcjellin, por edhe një lloj kontabiliteti njerëzorë me jetën e secilit. Kështu disi vrulli i fundvitit zbrazet në ato çastet e ndriçueshme kur gjithçka e zezë kthehet në magji. E ku të jesh këtë ditë? Me kë përpara, në cilin vend e shtet, në cilin qytet, ku është magjia më e madhe?
Ku po e pret Vitin e Ri, pyesin edhe shqiptarët gjithandej ku ndodhen? Pavarësisht se ballkanasit që jetojnë në vendlindje, për dallim prej diasporës, nuk i kanë as hallet e qytetarëve të vendeve të zhvilluara. Për disa pyetja se mos e shfrytëzon këtë hapësirë kohore për të bërë diçka që se ke bërë kurrë- shembull pritjen e Vitit të Ri në një plazh të ngrohtë. Kjo ndoshta është e shëndetshme pasi ua mundëson njerëzve që të mos kenë shumë stres për “minutat e fundit” të udhëtimit. Por, të gjithë vërsulen nëpër autostradat e Ballkanit dhe shumica në ato të Serbisë. Dyndje pafund. Shqiptarët e Maqedonisë Veriore kthehen nëpër shtëpi, ata të Luginës shkëputën më herët dhe në të gjitha pikëkalimet kufitare shohin ku ka më pak njerëz edhe cilën pikë nuk e kanë zbuluar tërësisht. Në drejtim të Kosovës si milingona vërshohen qindra mijëra makina në disa pikëkalime. Fatet e tyre ndahen dhe disa kalojnë më lehtë, e të tjerë presin me orë të tëra. Bëhet gjithçka si dyndje refugjatësh. Këndej udhëtojnë edhe shqiptarë të Shqipërisë që udhëtojnë për në Diber, Maqellare, Pogradec e vende të tjera që“trupimi” nëpër Maqedoni u bie më mirë nga Italia, Austria e vende të tjera. Kështu disi zhvillohet gjithçka dhe përse jo fundja, se mos po bëjnë qejf herë të tjera? Ata bëjnë sakrificë të gjithë, ata që kthehen për festa dhe ata që qëndrojnë për të jetuar të përballur me kushte të dobëta dhe jo më shumë mundësi për ndryshim. Sa mbajnë mend jetë, kështu ka qenë kjo dhe edhe aq pak qejf t’ua prish dikush? Përse? Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë! Dhe, andaj ata që janë qytetarë të këtyre vendeve duhet të dëgjojnë një kërkim falje për stresin që u shkaktohet cdo ditë, për presionin që u bëhet dhe për duart që u futen deri në pjata! Na falni, të paktën mua në emër personal, nëse kemi harruar që ju ekzistoni. Kështu është Ballkani.
Disi, diçka që nuk ndryshon, sepse disi askush nuk dëshiron që resurset e këtij vendi, përfshirë ato humane, ti rivendos në forca të reja dhe t’ua gjejë vendin atyre për të krijuar një mundësi për jetë. Por, përse të bëhet diçka më ndryshe, nuk e kam fjalën për festa, por për jetën para dhe më pas. Përse ndonjëherë është e vështirë të shkruhet diçka?Këto javën e fundit disa herë kam nisur të shkruar nga një editorial duke menduar miqësisht të kërkoj falje përse nuk mund të bëhem shumë më kreativ. Kam shkruar shpesh dhe gjithçka, por a ia vlen të merresh me imtësi politike? Kjo është një gjë që e shkel çdo kreativitet dhe përse ende diçka si njësoj ndodh dhe gjithmonë disi rutinë. Ka ndodhur shpesh ta kem nisur një shkrim dhe më pas kam ngelë “pa tekst”. Është e pamundur ta analizosh shpejt dhe saktë politikën në Ballkan, konfliktet, njerëzit, ngjarjet dhe lëvizjet shoqërore. Ajo ndryshon rrufeshëm gjatë ditës, por jo në thelb. Nacionalizmat vijnë e ngriten, bien dhe shkelen, çohen sërish, ashtu si valë-valë ndjehet trupi nën presionin e temperaturës së ngritur. Si të shkruhet diçka serioze? Ka kaluar shumë kohë që nuk jam marrë me raste konkrete, persona të përveçëm, parti politike apo edhe ngjarje të detajuara, përveç disa rrëfimeve si nevojë sociale për të shtruar një debat në një nivel më të ndjeshëm. Ballkani ka ende vetëm ritransmetime.
Dikur, kur njerëzit e kishin ndjenjën se ishin “të lirë, të pasur dhe të lumtur”, festoj viti ri me gjithë ritransmetime. Edhe nëpër hotelet komuniste organizohej “nata e parë, e dytë dhe e tretë e Vitit të Ri”.Tani është një rrëmujë kolektive e cila sjellë për hare, për të harruar gati çdo lloj dhimbje dhe pamundësi gjatë vitit dhe një numër suksesesh të arritura me vështirësi. Personalisht nuk jam shumë fans i euforisë. Por, as i mohimit të festave që dhurojnë një shenjë shprese për njeriun. Por, gjithmonë mundohem të kujtoj ngjarje të para 20 vitesh kur jetoja shembull në Kosovë dhe duhej të vinte Viti i Ri, ai viti i një mileniumi të ri për të cilin thuhej se do të vinte bashkë me fundin e botës dhe parashikimet e ndryshme nëpër botë. Por, asgjë nuk ndodhi për shkak të euforisë së njerëzve se si do të ishte kjo ngjarje, më kometa apo vullkane apo do na përpinte një vrimë e zezë?! Në Kosovë, atëherë për shumë prej nesh festa bëhej për herë të parë pas luftës, me të gjitha anët e veta, viktimat, shtëpitë e djegura dhe gjithcka që e rrethon një kartolinë të tillë post-tragjedi.
Por, besonim se ende kishte shpresë dhe se tani ky do të ishte një fillim ku do të ndërtohej ëndrra e kamotshme-liria, por edhe përveç asaj fizike, liria atëherë nënkuptonte një mundësi absolute për zhvillim, një shoqëri pa pengesa dhe me dëshira të pafundme. Dhe, shembulli i Kosovës me qindra mijëra njerëz të larguar në këto vite, pas luftës, vlen gjithandej në Ballkanin e pa integruar në BE dhe njerëzit edhe sot mezi presin leje pune, viza, martesa me njerëz “me letra”.
Ende është arsimi nën nivelin e kohës së luftës, nën mundësitë për punësim, për prodhim ekspertësh, por tani vetëm ndahen në ata që janë sistemuar dhe në ata që kanë ngelur në anën tjetër të përroskës që nuk kalohet lehtë. Pa dashur ta ndikoj ndjenjën për festë dhe pa përcaktuar a është më mirë se sa që e kemi menduar dy dekada më parë apo është më keq, thjesht vjen pyetja për të gjithë ata që e mbajnë mend ndërrimin e mileniumit a është kjo që e kanë pritur se do të ndodh në vitin 2020 dhe a është kjo ajo që atëherë e kanë parë ëndërr apo është një film tjetër? Dhe, deri kur ballkanasit ti gëzohen një darke më të begatë dhe jo pushimeve që si rrjedhojë e punës së lodhshme mund të quhen si meritore? A ndjeheni më të “lirë, të pasur dhe të lumtur”? Gëzuar!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)