Reformat e paralajmëruara në arsim nga ish ministrja e arsimit Deskoska, që duheshin të realizoheshin këtë vit, mbetëm vetën temë diskutimi pasi që ky vit shkollor filloi pa ndryshime të mëdha. Nga MASH deklaruan se edhe përkundër faktit se kush është ministër, reformat e premtuara në arsim do të realizohen sepse janë pjesë e programit të qeverisë
Remzije BILALLI
Viti i ri shkollor filloi pa ndryshime të mëdha strukturore të cilat u paralajmëruan nga ministrja e mëparshme e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskoska. Risitë kishin të bënin me arsimin fillor , risi e cila mbeti vetëm në nivel të bisedimeve, pasi që autoritetet nuk arritën ti sjellin këto në fillim të këtij viti shkollor. Gjithashtu ishte i paraparë edhe ligj i ri për shkollat e mesme. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte njoftuar shumë ndryshime në vitin akademik 2018/19 të cilat janë shpallur në mandatin e ministres Deskoska, ku parashihej plotësim më i thjeshtë i ditarit elektronik,numri i orëve mësimore do të shkurtohej,të shtunat nuk do të punoheshin,do të ulej numri i nxënësve nëpër klasa dhe shumë ndryshime të tjera. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) deklaruan se do të punojnë për zbatimin e këtyre reformave të shpallura në arsim, që nga fillimi i mandatit të qeverisë së re, pa përjashtim se cili ministër do të jetë . Disa nga aktivitetet janë në përgatitje, ndërsa një numër aktivitetesh dot fillojnë që të përgatiten në vijim.
“Të gjitha premtimet e mëparshme do të realizohen sepse janë të siguruar me Ligjin për Arsim Fillor. Këto janë premtime kryesore të programit të qeverisë për reformat në arsim dhe sigurisht se do të realizohen. Bëhet fjalë për reformë të guximshme që përfshin ndërrime më serioze në sistemin arsimor dhe për këtë arsye është e nevojshme që Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shkollat të jenë plotësisht të përgatitura përpara se të paraqesin reformat e shpallura në procesin arsimor. Reduktimi i orëve dhe numri i fëmijëve në klasa krijon sfida serioze organizative. Koncepti parasheh mentorimin e mësuesve më me përvojë mbi ata më me pak përvojë, si dhe kryerjen e detyrave të caktuara administrative në shkollë,me anë të së cilës do të plotësohen të gjitha orët që mësimdhënësit i kishin para reduktimit të orëve në mënyrë që reforma të sigurojë sigurinë e të gjithë të interesuarve në procesin arsimor” deklaruan MASH për Gazetën KOHA.
Në lidhje me këtë mësimdhënësit thonë se janë më se të nevojshme që të bëhen disa nga këto ndryshime sidomos në programin e Kembrixhit. Ata presin që premtimi nga MASH të realizohet, sidomos për ndryshimin e programeve sepse nuk mund të vazhdojnë dhe nuk kanë progres me këtë program. “Ne jemi të pajtimit që të bëhet ndryshime në programin Kembrixh sepse nuk korespodojnë me atë çka mësohet në shkollat e mesme ,kurse në shkollat e mesme është larguar programi i Kembrixhit dhe ne duhet që të ligjërojmë plus tema nga plan programi i paraparë që nxënësit të jenë të përgatitur dhe në rrjedha në të ardhmen. Presim edhe shkurtimin e orëve mësimore sepse ne mbajmë edhe orë plotësuese që janë angazhim i madhë për ne. Sa i përket ditarit elektronik vlerësojmë që së paku njeri të hiqet ,kemi punë të dyfishtë dhe ndonjëherë duhet ti lëmë nxënësit anash duke u angazhuar me ditarin elektronik,pra të kemi vetëm një ditarë mjafton për evidentim” u shpreh Salahudin Hamiti zëvendësdrejtor i shkollës fillore “Panajot Ginovski” në Shkup. Mes të tjerash mësimdhënësit u shprehen të pakënaqur edhe për mungesën e furnizimin me tekstet shkollore që sipas tyre çdo vit hasin në problemin e njëjtë edhe pse në kohë dërgohet tek MASH numri i nxënësve për libra. Ndërkohë, MASH përsëri njoftoi se programet mësimore të Kembrixhit nuk do të përdoren më në shkollat e mesme ,ndërsa shkollat fillore do të mësojnë me të njëjtin program sikurse vitet e kaluara .