Pa pastrimin total të gjithë asaj politike që është ngritur mbi grumbujt e plehut, është iluzore të presim ndonjë hair në procesin e vettingut në gjyqësi dhe prokurori
Nga Emin AZEMI
Vettingu në gjyqësi dhe prokurori, si një proces kompleks dhe vëllimor, i cili sipas ekspertëve, mund të zgjasë jo më pak se dy vjet, a mund të shikohet i veçuar dhe krejt i izoluar nga konteksti politik e social në të cilin ndodhet aktualisht vendi? Ndryshe thënë, çfarë vettingu mund të bëhet në një vend, ku politika nuk pëson transformim në vetvete, ku njerëzit e vjetër mundohen të sjellin ndryshime të reja.
Ko gati se është e pamundur, dhe ata që flasin për vetting në sistemin e drejtësisë, le të bëhen gati për reforma në radhët e veta. Sepse çfarëdo sistemi ideal të drejtësisë të shpikim, do të jetë sërish politika e keqe ajo që do ta infektojë me virusin e pashëruar të korrupsionit, nepotizmit, dallavereve, e kështu me radhë, ashtu siç ndodhi me Prokurorinë Speciale Publike, e cila edhe pse ishte proklamuar si një Titanik që çan dallgët e trazuara, ai sërish u fundos në fund të detit, pikërisht për shkak të përplasjes me aizbergun e quajtur politikë.
Në Maqedoni politika e formoi PSP-në dhe politika e shkatërroi atë. Politikës iu desh një shou mediatik me gjoja procese gjyqësore kundër peshqve të mëdhenj, por në fund doli se një aferë pederash është më e fuqishme se çfarëdo lloj reforme që inicion politika në sistemin e drejtësisë. PSP është shembull shkollor se si në një shtet është e pamundur të bashkëjetojë edhe politika e keqe edhe sistemi i reformuar gjyqësor e prokurorial.
Nëse këtu vërtetë ka vullnet të ngrihet një sistem i shëndosh drejtësie, atëherë reformat duhet filluar që nga politika. Vetëm me politikan të ndershëm e të paprekur nga tundimet që të jep paraja dhe pushteti, mund të krijohen parakushte për pavarësi të plotë të gjyqësorit.
Kjo fazë e pastrimit të politikës nga idiotët që mbijetojnë me paratë publike, ka qenë sfidë e madhe edhe për shumë shtete e shoqëri të mëdha tash e një qind vite më parë, si në Amerikë, ashtu edhe në Europë dhe gjithkund ku demokracia ka qenë lajtmotivi i të gjitha ndryshimeve rrënjësore.
Por, atëherë kur në politikë erdhën njerëz që kishin ideal ngritjen e atdheut mbi gërmadhat e traditave të këqija, vetëm atëherë u bë e mundur që një prokuror lokal të fus në birucë cilindo politikan hundëpërpjetë që guxonte të keqpërdor djersën e popullit. Një sistem drejtësie është i fuqishëm vetëm atëherë kur prangos politikan dhe oligark të lidhur me pushtetin. Në Amerikë lufta kundër mafias ishte gati e humbur përderisa prokurorët e guximshëm nuk shkëputën lidhjet e saj me politikën. Kështu kishte ndodhur edhe në Itali, prandaj atje ishin të shpeshta atentatet kundër prokurorëve e gjyqtarëve të cilët ia prishnin foletë mafias në sallonet e politikës.
Te ne mafia ende hedh valle krah për krah me politikën, si ajo që flet maqedonisht, por edhe ajo që flet shqip ngandonjëherë.
Mafia i ka rrënjët e padukshme sepse ajo është e kamufluar në formë të bizneseve e projekteve që zakonisht udhëhiqen nga njerëz të afërt me pushtetin dhe pikërisht kjo lloj aleance e nëndheshme krijon parakushte ideale për lulëzimin e mafias. Në Amerikë Al Capone nuk ndiqej pse bënte tregti me pije alkoolike, por pse këtë tregti e bënte në mënyrë të paligjshme dhe duke iu ikur taksave.
Në pikat e caktuara doganore në Maqedoni ndodhë të fiken kamerat pas mesnatës dhe kamionë të tërë fusin mall që i ikin akcizave e tatimeve.
Në Maqedoni ndodhë që tenderë për biznese të caktuara, të përfundojnë në duart e njerëzve të afërt me pushtetin.
Në Maqedoni ka monopole për prodhim dhe distribuim të produkteve të caktuara, dhe kjo iu mundësohet vetëm njerëzve që janë ose brenda pushtetit, ose shumë afër tij.
Kur të mblidhen krejt këto dhe raste dhe t’i nënshtrohen një analize sipërfaqësore, del që mafia është një fryt që zhvillohet vetëm në një truall ku pushteti bën ‘plehnimin’ paraprak me preparate që stimulojnë tregtinë e paligjshme dhe të gjitha trajtat e shkeljeve doganore e fiskale.
Tani t’i kthehemi vettingut në gjyqësi e prokurori. Si mund të ndodhë ky proces, nëse mbeten grumbujt me pleh të politikës nëpër institucionet tona? Si mundet një prokuror a gjykatës të jetë krejtësisht i pavarur, nëse në mbrëmje ai nuk thirret në raport nga X politikani për ta amnistuar filanin a fistekun që ka qëlluar të jetë i ngatërruar në ndonjë biznes të parregullt, apo në ndonjë aferë ku çantat me para përfundojnë në duart e ndonjë prokurori, gjyqtari, apo mos e bën Zot, e ndonjë politikani.
Prandaj, pa pastrimin total të gjithë asaj politike që është ngritur mbi grumbujt e plehut, është iluzore të presim ndonjë hair në procesin e vettingut në gjyqësi dhe prokurori. (koha.mk)