përmendin kushtet më të mira që ofrohen si cilësinë e arsimit, jetën studentore dhe perspektivën që mund ta fitojnë në ato vende ku studiojnë. Në ndërkohë, çdo ditë e më shumë po nisen drejt Turqisë, Sllovenisë, Gjermanisë, Italisë e SHBA-ve
Zenel MIFTARI
Shkup, 16 janar – Është rritur nga viti në vit numri i të rinjve, të cilët vendosin që studimet ti kryejnë jashtë shtetit. Studentët që largohen nga vendi për të gjetur një studim më cilësor jashtë vendit, numërojnë arsyeje të shumta, ndërsa to edhe mos vlerësimin e punës së tyre, mungesën e mjeteve teknologjike në universitete dhe paaftësinë e sistemit arsimor. Një fenomen i tillë nga profesionistët dhe njohësit e çështjes së arsimit llogaritet shqetësues dhe ikje e trurit nga vendi ynë. Në universitetet e Turqisë, 911 studentë nga Maqedonia tashmë kanë nisur studimet, në Bullgari kemi 751 studentë, në Slloveni 747 studentë, në Itali 562, në Gjermani 487, në Austri 282, në SHBA 226 dhe në Francë 156 studentë.
Ish-profesori universitar, Xheladin Murati, për gazetën KOHA, ka deklaruar se kur të rinjtë mendojnë të gjejnë rrugë alternative për ta kryer një studim më cilësor – kjo është veprim pozitiv, sepse arsimimi jashtë vendit premton dije, cilësi dhe ushtrim të praktikës. “Megjithatë, shqetësues është fakti se të rinjtë të cilët po largohen vetëm me pretekstin e studimit jashtë vendit, po mbesin atje dhe nuk po kthehen më këtu për ta dhënë kontributin e tyre në vendin ku kanë lindur”, shprehet Murati. Numri më i madh i studentëve që largohen jashtë vendit për të studiuar zakonisht përmendin kushtet më të mira që ofrohen, cilësinë e arsimit, jetën studentore dhe perspektivën që mund ta fitojnë në ato vende ku studiojnë.
Burbuqe Shaqirvela nga Tetova, e cila studion në Australi, për KOHA ka treguar arsyet e saja se pse ka vendosur të studiojë jashtë vendit. Ajo tregon se universitetet jashtë Maqedonisë kanë renditje më të mirë në listat botërore dhe ofrojnë mundësi të shumta. “Fillimisht kishte disa arsye pse unë vendosa të studiojë jashtë shtetit. Universitet që renditen në Top 100 ofrojnë mundësi shumë më të mira, në veçanti për drejtimet siç është inxhinieria, si në aspektin e hapësirave laboratorike, ashtu edhe në ushtrimet e profesionit nëpërmjet praktikave të ndryshme në kompanitë relevante”, thotë Shaqirleva. Ajo shton se meqenëse ishte e interesuar të bëjë punë kërkimore në “Quantum Computing”( Informatikë kuantike) dhe kjo fushë fatkeqësisht nuk është aspak e zhvilluar në vendin tonë, por as në Ballkan, atëherë ka vendosur të udhëtojë për në Australi.
“Një nder arsyet tjera që më shtyu të zgjedh një vend siç është Australia, është eksperienca unike the kualiteti i jetës studentore që ky vend ofron”, tregon ajo. Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Nxënëseve të Shkollave të Mesme (UNSHM), për gazetën KOHA, është shprehur se numri me i madh i nxënëseve që largohen nga vendi ynë është se vendet tjera u sigurojnë më shumë perspektivë dhe të ardhme më të mirë se vendi ynë. “Arsyet më të zakonshme të studentëve që largohen nga vendi ynë janë se në Maqedoninë e Veriut, nuk u jepet mundësia të depërtojnë në profesionet e tyre dhe detyrohen të punojnë diçka tjetër. Ndërsa në vendet tjera trajtohen me dinjitet dhe respekt”, nënvizoi Hodai. Ai në fund tha se Maqedonia e Veriut, duhet të investojë më shumë që të mos ikë truri nga vendi ynë, këtë ta bëjë duke e luftuar nepotizmin, korrupsionin dhe vetit tjera të këqija të shoqërisë tonë.
Ndryshe, Universiteti më i mirë në Maqedoninë e Veriut, sipas listës së Shangait, është “Shën Kirili dhe Metodi”, i cili renditet në vendin e 1568 në nivel botëror. Ndërkohë në vendin e dytë në vendin tonë renditet Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev” (3279), i treti Universiteti i UEJL-së (3881) , i katërti Universiteti Shtetëror i Tetovës (4912), ndërsa i pesti është Universiteti i Manastirit “Shën Klimenti i Ohrit” (5697). Lista e Shangait, që çdo vit publikohet nga Universiteti “Ciao Tonf” nga Shangai, është një nga listat më me ndikim e cila i klasifikon universitet më të mira në botë. Kriteret kryesore për renditjen e universiteteve, midis të tjerave, numërohen punimet shkencore të publikuara në revistat ndërkombëtare, numri i fituesve të Çmimeve Nobel dhe Medaljet Fildsov, për ata që kanë studiuar në universitet ose që punojnë atje. (koha.mk)