Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit janë shkatërruar si jo të sigurta mbi 105 ton ushqime në kuadër të 24 mijë kontrolleve. Përgjatë vitit 2020, inspektorët e veterinarisë dhe ushqimit kanë realizuar 54.382 kontrolle dhe si jo të sigurt kanë shkatërruar afër 238 tonë ushqime
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 dhjetor – Asnjë vend në botë, por edhe në rajon dhe në vendin tonë, nuk mund të thotë se konsumon me 100 për qind ushqim të sigurt. Mirëpo, autoritetet në vend thonë se kanë për qëllim që të sigurojnë një nivel të lartë të sigurisë ushqimore nëpërmjet masave koherente dhe monitorimit të përshtatshëm nga ferma në tryezë, duke siguruar funksionimin efektiv të tregut te brendshëm dhe eksportin e produkteve ushqimore vendore në tregun evropian e me gjerë. Vlerësohet se ushqimi i pasigurt ka qenë një problem për njerëzimin gjithmonë. Megjithëse qeveritë nëpër botë po bëjnë maksimumin e tyre për të përmirësuar sigurinë e zinxhirit ushqimor, rreziqet ushqimore mbesin një çështje me rëndësi të madhe në gjithë shtetet. Me fjalë tjera, ndër objektivat strategjike të kompetentëve në vend është garantimi në shkallën më të lartë të shëndetit të qytetarëve në vend si dhe perfeksionimi i sistemit të mbikëqyrjes dhe garantimit të sigurisë ushqimore, dhe të mbrojtjes shëndetësore dhe të mirëqenies së kafshëve.
Në këtë drejtim, kontrollet po realizohen edhe tek operatorët ekonomik, tek prodhuesit primar si dhe në vendkalimet kufitare. Qytetarët duhet të jenë të sigurt se konsumojnë ushqim të sigurt, edhe pse për fat të keq, çdo herë mund të ndodhin dhe paraqiten edhe lëshime të caktuara, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Në këtë drejtim, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit janë shkatërruar si jo të sigurta mbi 105 ton ushqime në kuadër të 24 mijë kontrolleve. Përgjatë vitit 2020, inspektorët e veterinarisë dhe ushqimit kanë realizuar 54.382 kontrolle dhe si jo të sigurt kanë shkatërruar afër 238 tonë ushqime. “Si institucion po ndërmarrim çdo gjë që është në kompetencën tonë me qëllim që qytetarët tanë të jenë në mundësi të ushqehen me ushqim të shëndetshëm dhe të sigurt”, thotë numri një i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikolçe Babovski. Sipas tij, kontrollet janë të vazhdueshme dhe të përforcuara, po rritet edhe mbikëqyrja si dhe numri i inspektimeve.
Ekzistojnë edhe dërgesa jo të sigurta të ushqimit, por asnjëra prej tyre nuk hyn në treg, për shkak se po veprohet menjëherë dhe në mënyrë shumë profesionale. Prodhimet e tilla në bashkëpunim me operatorët ekonomik tërhiqen nga dyqanet, dhe atë vetëm ajo linjë që është e paraqitur si jo e sigurt. Njëherësh pritet që më së voni për 18 muaj në këtë agjenci të fillojë të funksionojë edhe sistemi i ri i softuerit që me një prekje të tastierës së kompjuterit do të mund të fitohen të dhënat në çdo kohë.
“Po përpiqemi në mënyrë maksimale që të sigurojmë ushqim të sigurt, pa marrë parasysh e blihet në dyqane, objekte hotelerike apo në objektet për ushqim të shpejtë. Qytetarët duhet të dinë se në shitje ndonjëherë mbetet ndonjë markë tregtare, edhe pse një sasi e caktuar e prodhimit, ka qenë e paraqitur si jo e sigurt. Kjo nuk nënkupton se e tërë prodhimtaria nga kjo markë tregtare është e dëmshme, andaj edhe ne përmes kumtesave tregojmë saktë se cili lot nga kjo prodhimtari po tërhiqet”, thekson Babovski. Ai shton më tej se edhe konsumatorët duhet të bëjnë kujdes se çka blejnë duke lexuar me më shumë kujdes edhe deklarimet e prodhimeve ushqimore.
EVROPA NË RRJET PËR TË PARANDALUAR PËRDORIMIN E USHQIMIT JO TË SHËNDETSHËM
Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (European Food Safety Authority – EFSA) është autoriteti evropian është përgjegjës për sigurinë ushqimore. Detyra e tij është vlerësimi shkencor dhe informimi mbi rreziqet që shoqërojnë zinxhirin ushqimor, duke ndihmuar në garantimin e sigurisë ushqimore në Evropë. Puna e autoritetit mbulon të gjitha fushat e zinxhirit ushqimor – sigurinë e artikujve ushqimorë dhe ushqimeve për kafshë, ushqyerjes, shëndetit dhe mirëqenies se kafshëve dhe shëndetit e mbrojtjes së bimëve.
Gjithashtu, Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) është një mjet i shpejtë dhe efektiv për shkëmbimin e informacionit ndërmjet Autoriteteve Kompetente, kur konstatohet risk për shëndetin e njerëzve në zinxhirin ushqimor, edhe tërhiqen nga qarkullimi prodhime të caktuara ushqimore. Kjo mënyrë e shpejtë e shkëmbimit të informacionit i lejon të gjitha shtetet anëtare të rrjetit të verifikojnë menjëherë nëse ato janë gjithashtu të prekura nga ky problem. Megjithëse produkti është akoma në treg dhe mund të mos konsumohet, autoritetet janë në pozicionin që të marrin masa të menjëhershme, përfshirë dhënien e menjëhershme të informacionit ndaj publikut, nëse është e nevojshme. Shkëmbimi i shpejtë i informacionit në lidhje me rrezikun në ushqime për konsum human dhe ushqime për kafshë siguron marrjen e masave të shpejta dhe të sigurta nga të gjithë anëtarët e sistemit RASFF. Ky është një kontribut i rëndësishëm për sigurinë ushqimore. (koha.mk)