Laura PAPRANIKU
Shkup, 23 maj – Gjysma e lëndëve të arsimit profesional në Maqedoni nuk kanë tekste shkollore, ndërkaq edhe ato libra që janë në dispozicion të nxënësve jo çdo herë ofrojnë cilësinë e nevojshme, shkruan gazeta KOHA. Nuk është asgjë e re të thuhet se për nga cilësia çalojnë jashtëzakonisht shumë tekste në gjuhën shqipe, pasi të njëjta përkthehen nga gjuha maqedonase me shumë gabime logjike dhe drejtshkrimore dhe nga shtëpi botuese të cilët nuk kanë të punësuar asnjë përkthyes profesionist. Kjo është një arsye më shumë që shkollat të mos mund të shërbehen edhe me ato libra, të cilat figurojnë si tekste shkollore numerikisht, gjë e cila rëndon edhe më shumë procesin e mësimdhënies nëpër shkolla ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë të Shkollës së Mesme të Ekonomisë “Arseni Jovkov” në Shkup ankohen se nuk kanë libra për të gjithë lëndët. Për shembull, nxënësit e viteve të treta të drejtimi “Sekretar afarist” kanë libra vetëm për gjashtë lëndë, ndërsa këtë vit mësojnë 14 lëndë gjithsej.
“Për lëndët ku nuk kemi libra, mbajmë shënime gjatë orës së mësimit. E kemi shumë rëndë, pasi nuk kemi kohë të mësojmë gjatë orës së mësimit. Gjitha ora na ikën duke mbajtur shënime”, tregon Erzana, nxënëse e paraleles shqipe në drejtimin “Sekretar afarist”. Librat na mungonin për shumë lëndë edhe në vite parë dhe të dytë, plotëson më tej ajo, ndërsa thotë se shoqet e saja të cilat mësojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase nuk i kanë këto probleme. Nxënësit tregojnë gjithashtu se nuk janë cilësor, edhe ata libra të cilët janë të dedikuara për arsimin e mesëm profesional të ekonomisë, Disa profesorë thonë për KOHA se kanë nxjerrë skripta, për t’u ardhur në ndihmë nxënësve. Edhe pse kjo formë mësimi nuk është e lejuar, prapëseprapë ato u janë mirënjohës profesorëve të cilët i kanë “shpëtuar” nga diktimi i materialit gjatë orës së mësimit.
Të gjitha këta probleme me të cilat ballafaqohen nxënësit e shkollave të mesme profesionale në Maqedoni, zgjasin tani e një kohë, 10 – 15 vite, edhe atë në kohën kur botues i vetëm i teksteve shkollore, në kuptimin e të drejtës së autorit, është Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Por, përtej problemeve që kanë librat me cilësinë e përkthimeve dhe përmbajtjeve, probleme ende më të rëndë paraqesin shkollat e mesme profesionale, të cilat ballafaqohen me mungesën e shumë teksteve shkollore. Ka lëndë, për të cilat nuk është botuar asnjëherë deri tani tekst shkollor në gjuhën shqipe. Në gjuhën maqedonase gjithashtu nuk ka botime të reja për këta lëndë, mirëpo në mungesë tyre nxënësit dhe profesorët maqedonas shërbehen me librat e vjetër, të cilat edhe pse nuk kanë përputhshmëri të plotë me programet përkatëse mësimore, prapëseprapë shërbejnë si mjet mësimi. Në këtë mënyrë sajohen edhe paralelet me mësim në gjuhën shqipe, për lëndët në të cilat ka pasur libra para shumë viteve. Mirëpo me zgjerimin e arsimit të mesëm në gjuhën shqipe, në më shuam drejtime dhe profile, u thellua ende më shumë mungesa e teksteve shkollore. Përveç drejtimeve të ekonomisë, libra nuk ka edhe për pjesën dërmuese të lëndëve në arsimin e mesëm profesional të mjekësisë, elektroteknikës, makinerisë, arkitekturës, telekomunikacionit, kimike-teknologjike dhe të ngjashme.
Në MASH arsyetohen me mungesën e interesimit të autorëve për të konkurruar në thirrjet publike që bëhen enkas me dorëshkrimet për përpilimin e teksteve shkollore të lëndëve profesionale. Sipas tyre, autorët e teksteve shkollore nuk kanë interesim të bëjnë tekste për lëndë të caktuar. Ndërkaq, këta të fundit sqarojnë se kanë humbur interesimin, pasi “MASH nuk paguan mundin eter intelektual, por orët e mësimit”. Konkretisht në bazë të rregulloreve me të cilën MASH blen të drejtën e autorëve për teksteve shkollore, vlerësimi i tekstit bëhet sipas numrit të orëve që nxënësit mësojnë në atë lëndë. Kjo, ka bërë që tekst-shkruesit të orientohen për librat e lëndëve që mësohen nga tre-katër orë në javë. Për lëndët që mësohen nga një or në javë, për shembull, tekst-shkruesit nuk e gjejnë të udhës të ulen dhe të hartojnë një tekst shkollor. Puna dhe vështirësia e një libri me 26 njësi mësimore dhe e një tjetër me 14 njësi mësimore është thuajse e njëjtë. Dallimi në çmimin me të cilin vlerësohen njëri dhe tjetri është shumë i madh. Për këtë arsye, askush nuk dëshiron që të hartojë libra që paguhen pak, në kohën kur volumi i punës që bëjnë është i njëjtë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara