Laura PAPRANIKU
Shkup, 11 shtator – Për gjitha këto vite të tranzicioni në Maqedoni, në mënyrë konstante për problemet në arsim, qeveritë dhe politikanët fajësojnë njëri – tjetrin. Tani për tani, kjo është gjëja që më së miri kanë ditur ta bëjnë të gjithë, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, kur vjen puna te ndryshimi në aspektin pozitiv, gjërat bëhet thuajse të padukshme. Kështu, ndodhi edhe sivjet. Në përgatitje të fillimit të vitit shkollor 2017/2018, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dështoi të pajisë shkollat të paktën me tekste shkollore. Nxënësit do të hynë në javën e dytë të procesit mësimor për këtë vit dhe nuk kanë ende librat e duhur, kurse shkollat vazhdojnë të merren akoma me furnizimin me tekste shkollore. Do të thotë, nuk është siguruar ende mjeti elementar për realizmin e mësimit, në kohën kur pretendojmë se do të rrisim cilësinë arsimore dhe kur për rezultatet e dobëta të dijeve të nxënësve fajësohen politikat arsimore të qeverisë së kaluar. Shkollat, të cilat ballafaqohen me mungesën e librave janë të shumta. Por, pavarësisht situatës në teren, nga MASH janë optimist se problemi do të zgjidhet shumë shpejt dhe se problemi, sipas tyre, nuk është i madh.
“Sipas informatave me të cilat disponojmë ne për pasjen e shkollave me tekste, është një numër i vogël i shkollave të cilat nuk kanë të gjitha librat”, thotë zëvendësministri Visar Ganiu. Po punohet që të zgjidhet problemeve i paisjes së nxënësve me tekste dhe për një kohë shumë të shumë të shkurtët të gjithë nxënësit do të jenë me kompletet e librave. Sipas tij, furnizimi i shkollave me libra, në ato shkolla ku ka ende mungesa, është në rrjedhë e sipër dhe ky proces do të realizohet nga firma e cila e ka fituar tenderin përkatës. Zëvendësministri Ganiu, shpreson se problemi do të zgjidhet së shpejti, megjithatë nuk dëshiron të jep një datë të saktë.
“Që mos kapemi për fjale, këtë javë ose javën tjetër, do të zgjidhet edhe problemi i pajisjes së shkollave me libra”, shprehet ai.
Jo shumë ditë më parë në një tryezë për cilësinë e arsimit ku edhe u diskutuan rezultatet skandaloze të nxënësve të Maqedonisë në testet e PISA-s, ministria Renata Deskovska, tha se “kjo situatë është për faj të qeverisë paraprake, për mos ndërmarrjen e masave për përmirësimin e arsimit”, kurse nënvizoi se “do i duhet një periudhë më e gjatë kohore për përmirësimin e gjendjes”. Me këtë rast, ministria ka shprehur shqetësimin për shkak të rezultateve të dobëta të arritura në vazhdimësisë në testet PISA për periudhën 2010-2015 dhe meqë rezultatet e testimit të radhës do të publikohen në vitin 2018, Deskovska vërejti se “është me të vërtetë periudhë e shkurtër për të bërë ndryshime të mëdha pozitive në arsim”. Nga ana tjetër, ekspertët e fushës, vërejnë edhe mungesën e teksteve shkollore dhe cilësinë e dobët të tyre si njëri prej shkaqeve që nxënësit nga Maqedonia dalin çdo herë të funtit në testimet ndërkombëtare të PISA-s.
“Natyrisht që tekstet janë mjeti bazë për mësim dhe që nga cilësia e tyre varet edhe niveli i dijeve”, thotë prof. dr. Avzi Mustafa. Paralelisht problemit të testeve shkollore, për të cilin thotë se në Maqedoni në vend që të zgjidhet apo minimizohet, përkeqësohet dhe shtohet, Mustafa radhit edhe nj sërë faktorësh të tjerë. Sipas tij, faktorë që drejtpërdrejt kanë ndikuar në rënien e cilësisë së shkollimit në Maqedoni, përveç problemit me mungesën e librave adekuatë janë edhe punësimet partiake, ndryshimet e shpeshta në ligjet e arsimit, mos aplikimi i metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies, ngarkesa e paraleleve me numër të madh nxënësish dhe kushtet e vështira të shkollave. Testimet ndërkombëtar për vlerësimin e dijeve të nxënësve (PISA) kanë nxjerrë rezultate shumë të dobëta për filloristët e Maqedonisë. Vetëm 25 për qind e nxënësve, janë të aftë që kuptojnë atë që lexojnë. Vetëm 1 për qind e nxënësve kishin treguar rezultate të shkëlqyera, kurse 52.2 për qind rezultate të dobëta. Në listën e 70 shteteve pjesëmarrëse në testimet PISA, Maqedonia është e 67-ta në listë, apo shteti i tretë nga fundi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.