Shkup, 29 janar – Nënkryeministrja Radmilla Shekerinska dhe Oliver Spasovski, si dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, emrat e të cilëve përmenden si kandidatë të mundshëm për president të Republikës së Maqedonisë sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve as nuk donin të konfirmonin dhe as nuk donin që të mohonin këto informacione.
“Bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm që përfshin konsultime dhe vendime në nivel partiak, me partnerët e koalicionit dhe me qytetarët. Është nder për mua që të më përmendet emri si kandidat i mundshëm. Jam i bindur se koalicioni do të dalë me kandidatë që do të fitojë në zgjedhjet dhe do të ketë partneritet të shëndoshë me qeverinë që të plotësohen prioritetet e vendit”, tha Dimitrov.
Nënkryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes Shekerinska tha se fokusi i të gjithëve në qeveri është orientuar drejt zgjidhjes së problemeve në Maqedoni.
“Kush ku do të jetë dhe cilin funksion do të kryejë është çështje e nivelit të dytë. Patëm sukses sepse punonim së bashku dhe jo si kandidatë për diçka”, tha ajo.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe nënkryeministri Spasovski tha se duhet që të sillet vendim se çfarë presidenti meriton Maqedonia dhe nëse kryesia e LSDMN-së është e orientuar drejt këtij qëllimi.
“Kërkojmë zgjidhje e cila do të jetë krejtësisht e kundërta e asaj që kishim sot. Na nevojitet një njeri i guximshëm, vizionar dhe i vendosur i cili do të mendojë për të ardhmen e Maqedonisë. Sukseset vijnë nëse ekziston ekip, në tërë procesin janë të rëndësishme këto parime. Ndjenjat personale dhe ambiciet nuk janë më të rëndësishme se e ardhmja e vendit. Jam i bindur se Maqedonia do të ketë president ashtu siç e meriton”, tha Spasovski.
Nënkryeministri i angazhuar për Eurointegrimet, i pyetur se cili kandidat do të jetë i pranueshëm për BDI-në theksoi se qëndrimi i partisë është se Maqedonia duhet që të ketë një kandidat konsensual.
“Kjo ide u përmend edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale me arsyetimin se roli i presidentit është që të jetë një faktor koheziv në shoqëri, zëri i arsyes në periudha kritike, që deri tani ka munguar. Kjo ide i tejkalon mandatet politike dhe konsideroj se në Maqedoni duhet që të zbatohet një president konsensual, i cili duhet që t’i përfaqësojë vullnetin e të dy komuniteteve më të mëdha etnike, por edhe të gjithë të tjerët”, tha Osmani. Ai shtoi se për këtë ide kanë biseduar me partnerin e koalicionit dhe se ka pajtueshmëri parimore.