Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito pati një përplasje mjaft të ashpër me MarSello Niçin, shefin e shoqatës së arbitrave në Itali. I zhgënjyer nga gabimet e arbitrave, edhe pse kanë ndihmën e VAR-it, presidenti i Lacios nuk e ka mbajtur zemërimin ndaj Niçit.
“Më shpjego VAR-in! Pa gabimet e arbitrave, tani Lacio do të ishte në vendin e parë”, iu hakërrye Lotito, Niçit, ndërsa ky i fundit reagoi duke thënë se VAR po funksionon, por kjo nuk i përjashton gabimet. Lacio është penalizuar shpesh këtë sezon, veçanërisht në ndeshjen me Fiorentinën, kur arbitri akordoi në shtesë një penallti inekzistente për “violët”, që solli edhe barazimin, por edhe në humbjen në derbi me Romën. Rasti më i fundit i penalizimit të lacialëve ishte në sfidën ndaj Milanit, kur Kutrone shënoi golin e avantazhit, pas një devijimi me dorë, që i shpëtoi jo vetëm kryesorit, por edhe VAR-it.