Bujar KURTAJ
Shkup, 15 shkurt – Pasioni për futbolli si gjithë të tjerëve edhe Nijas Lenës i kishte lindur qysh si fëmijë. I inspiruar me faktin se babai i tij ishte marr disa vite me sport, por edhe të afërmit e tij gjithashtu, Lena me futboll filloi të merret prej moshës 12 vjeçare. Edhe pse në shkollë ka qenë nxënës i shkëlqyer, kishte vendosur që në rend të parë ta len futbollin, duke marr parasysh se ky sport kërkonte përkushtim më të madh. Dhe nuk gaboi që zgjedhjen e tij, duke marr parasysh se sot është një futbollist i njohur, me një karrierë të pasur dhe tituj dhe kupa të fituar. Hapat e parë i ka bërë në klubin e Vllazrimit nga Struga, ndërsa ka luajtur edhe për Karaormanin, Napredokun, Renovën, Makedonia Gj.P., Flamurtarin e Vlorës, Teutën, ndërsa me sukses tani është duke e bartur edhe fanellën e Kukësit. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, Lena ka fituar shumë tituj dhe Kupa. Me Renovën shpallet kampion në Ligën e dytë duke arritur për herë të parë ta ngjitin klubin në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, pastaj me Makedonija Gj.P. ka fituar titullin e kampionit të Maqedonisë (2008-2009), me Flamurtatin nga Vlora në vitin 2013 fiton Kupën e Shqipërisë, ndërsa me Kukësin e nis mbarë, ku arrin të fitojë Superkupën e Shqipërisë dhe është në rrugë të mirë që të fitojë edhe titullin e kampionit. Për të gjitha këto dhe për karrierën e tij, mesfushori 31 vjeçar nga Struga i rrëfen në intervistë dhënë gazetës KOHA.
KOHA: Kush ka qenë shtysa kryesore që t’i hyni futbollit dhe sa ju kanë mbështetur prindërit në pasionin tuaj?
LENA: Pasioni për futbollin e kam pas që në fëmijëri dhe për asnjë moment nuk kam heq dorë se një ditë do të bëhesha profesionist. Patjetër që kam pas përkrahje shumë të madhe nga prindërit dhe vazhdoj ta kem akoma!
KOHA: E keni nisur karrierën qysh prej moshës 12 vjeçare. Keni luajtur për shumë klube si Vllazrimi nga Struga, Flamurtari Ladorisht, Karaormani, Napredoku, Renova, Makedonija Gj.P., Flamurtari Vlorë Teuta dhe aktualisht jeni te Kukësi. Cilën prej këtyre eksperiencave cilësoni si më të veçantën?
LENA: Në Maqedoni kam kaluar shumë momente të paharrueshme. Sigurisht ka pas dhe momente jo të mira, sidomos në kohën që KF Renova më la në rrugë pas një dëmtimi të rëndë që e pësova, por fal karakterit, forcës dhe dëshirës për tu rikthyer më i fortë se më parë, jam këtu ku jam aktualisht. Pa dyshim se për këtë ka meritë edhe trajneri Toni Jakimovski, që e falënderoj për përkrahjen që ma ka dhënë gjatë gjithë asaj periudhe.
KOHA: Tek cili ekip ruani kujtimet më të bukura?
LENA: Pothuajse në të gjitha ekipet kam pas momente të bukura, por do veçoja pak më shumë në ekipin e Makedonija Gj.P., ku arrita të fitoj Kampionatin dhe të jem finalist i Kupës së Maqedonisë duke arritur edhe në kualifikimet për Ligën e kampionëve.
KOHA: Aktualisht jeni futbollist i Kukësit. Si jeni gjendur dhe si ndjeheni në këtë ekip?
LENA: Te ekipi i Kukësit është sezoni i par për mua. Në fillim nuk e kam pas të lehtë, pasi vija në një ekip ku konkurrenca ishte shumë e fort, ndërsa mentaliteti i ekipit ishte ndryshe nga ai që isha vitin e kaluar. Për tu ambientuar më kanë ndihmuar shokët e ekipit drejtuesit, trajneri ma bëri më të lehtë dhe tani gjithçka është në rregull.
KOHA: Meqë jeni në pozitën e parë dhe jeni në garë për titullin e kampionit. A mendoni se do t’ia arrini qëllimit në fund?
LENA: Patjetër që jemi shumë afër titullit kampion. Jemi ekipi që nuk është mundur asnjëherë në 21 ndeshje. Kemi mbrojtjen më të mirë dhe sulmin më të mirë. Prandaj nuk shikoj asnjë pengesë edhe pse do jetë e vështirë, por që ky është viti i ekipit të Kukësit për tu shpallur kampion!
KOHA: Te Kukësi keni edhe Izair Eminin. Mendoni se jeni një dyshe e frikshme për kundërshtarët?
LENA: Me Eminin njihemi që te ekipi Renoves. Patjetër që jemi dyshe që e njohim shumë mirë njeri tjetrin dhe si në fushë, poashtu dhe jashtë fushe. Ai ka veti vrasëse para portës. Kemi fat që e kemi në ekip.
KOHA: Flitej se do largoheshit nga Kukësi për t’iu bashkuar skuadrës së Gaziantepspor. Çfarë ndodhi në fakt pse nuk u realizua ky transferim?
LENA: Sa i përket transferimit për te ekipi Gaziantep, kishte një interesim serioz nga ky ekip pasi i panë dy ndeshjet e mia në fazën përgatitore në Turqi. Për fatin tim jo të mirë, mund të them se klubet nuk ranë dakord për dëmshpërblimin që kërkonte ekipi Kukësit.
KOHA: A keni nisur të mendoni për të ardhmen tuaj, pas këtij sezoni? Do të jetë ajo sërish te Kukësi, apo keni planifikuar ndonjë eksperiencë jashtë vendit?
LENA: Jo un, por të gjithë ne nuk e dimë se çka na pret e nesërmja. Kontrata ime me ekipin e Kukësit mbaron në fund të sezonit. Momentalisht jam i përqendruar dhe këtë pjesë te ngelur të sezonit për të arritur objektivat që ka klubi, pastaj të shikojmë se çdo të ndodh në të ardhmen.
KOHA: Jeni pajisur me pasaportë shqiptare, si ndiheni me këtë ndryshim?
LENA: Është e vërtetë që jam pajisur me pasaportën shqiptare. Është ndjenjë shumë e veçantë. Jo vetëm un, po të gjithë ne shqiptarët e Maqedonisë e kemi ëndërr ta kemi një të tillë.
KOHA: Keni jetuar në Vlorë, Durrës dhe tani në Tiranë. Cilët nga këto tre qytete do ta veçonit dhe pse?
LENA: Te tre këto qytete janë të veçanta për mua. Secila nga këto qytete, i karakterizon kultura qytetare në radhë të par dhe dashuria e tyre për futbollin dhe për ekipin e tyre të zemrës .
KOHA: Ndeshja më e veçantë e karrierës suaj, apo ndonjë gol që keni shënuar dhe që e kujtoni si diçka mbresëlënëse?
LENA: Ka pas shumë ndeshje në karrierën time që kam mbresa të bukura. Mund të veçoja fitimin e Kupës së Shqipërisë me Flamurtarin, ku në tribuna kisha nënën time, ndërsa pas përfundimit të ndeshja ia dhurova fanellën.
KOHA: Pas përfundimit të karrierës si futbollist, me çfarë do të merreni?
LENA: Mendoj se kam për të luajtur dhe disa vite si futbollist. Pasi të mbyll karrierën, jeta ime do vazhdoj që të merrem përsëri me futboll, pasi pa këtë nuk e imagjinoj dot të ardhmen!
KOHA: Keni ndonjë eksperiencë të hidhur gjatë gjithë këtyre viteve sa je në Shqipëri?
LENA: Si të gjithë futbollistet, dhe un kam pas momente jo të mira në karrierën time. Kjo më ka ndodh në Vlorë, por me qetësi dhe punë kam arrit t’i kaloj këto momente të vështira. Tani gjithçka është në rregull dhe për këtë falënderoj Zotin.
KOHA: Si e kaloni kohën e lirë dhe a keni shumë miq?
LENA: Kohen e lirë mundohem t’i përkushtohem familjes, të afërmve, shokëve që i kam në Maqedoni, respektivisht në Ladorishtë.
KOHA: Kur do ti jepni fund beqarisë. A ka hyrë dikush në jetën tënde?
LENA: Beqarisë do ti jap fund atëherë kur ti jap fund dhe futbollit si profesionist. Po, është dikush që ka hyr në jetën time dhe shpresoj mos të dal më deri në përjetësi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.