Urim HASIPI
Tetovë, 11 tetor – Kombinati Jugohrom në Jegunovcë, së shpejti pritet të rifillojë me punë. Punët për vendosjen e filtrave nuk kanë vazhduar që kur në vjeshtë u hodh gurëthemeli, shkruan gazeta KOHA. Punët janë në pikën zero dhe nuk ka asnjë informatë se kur mund të rifillojë vendosja e filtrave, ndërsa pikërisht mungesa e filtrave ishte shkaku kryesor që kjo fabrikë u mbyll nga inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë. Po ashtu gjatë ditës ka reaguar edhe Lëvizja “Nëna dhe fëmija”, e cila proteston kundër nënshkrimit të një marrëveshje me fabrikën Jugohrom, pa instalimin e filtrave ekologjik. “Lëvizja Nëna dhe Fëmija dhe qytetarët e Tetovës nuk do të lejojnë hapje të fabrikës pa instalimin e filtrave ekologjik që me vite u premtuan dhe asnjëherë nuk u realizuan. Për këtë do të protestojmë, siç kemi protestuar deri më tani, me kërkesë që sa më shpejtë kjo fabrikë të fillojë me procesin e instalimit të filtrave pa tregtuar me shëndetin e fëmijëve tanë dhe banorëve të Komunës së Tetovës dhe më gjerë të rajonit të Pollogut, të cilët kishin impakt direkt nga ajri i ndotur viteve të kaluara. Çdo marrëveshje mes fabrikës Jugohrom si dhe Qeverisë së Maqedonisë pa instalim të filtrave kuptohet si minim direkt i premtimeve të kryeministrit Zoran Zaev dhe partive të koalicionit se qeveria e re do të angazhohet rreth ambientit jetësorë dhe për një Maqedoni më të pastër, duke siguruar ambient dhe ajër të pastër për gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Përkujtojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që prej ditës së mbylljes së Fabrikës Jugohrom, Tetovës, iu kthye çiltërsia e qiellit, ajri i freskët i Malit Sharr, u largua mjegulla e zezë vdekjeprurëse që mbulonte qytetin tonë gjatë këtyre viteve kur Fabrika Jugohrom punonte dhe helmonte qytetarët e Tetovës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Nëna dhe Fëmija.
Në ndërkohë, nga Sindikata e Punëtorëve thonë se presin që gjatë fundjavës të nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë që të rifillojë me punë ky kombinat. Por, kryesindikalisti i punëtorëve të Jugohromit, nuk jep sqarime se pse punët për vendosjen e filtrave janë ndërprerë. “Nuk kam koment se pse nuk kanë vazhduar punët për vendosjen e filtrave. Mendoj se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje një herë e për gjithmonë do zgjidhet problemi i të punësuarve të Jugohromit që të kthehen në vendet e tyre të punës dhe kapitulli tjetër do mbyllet një herë e për gjithmonë dyshimi për ndotjen sa i përket Jugohromit. Në këtë marrëveshje parashihet edhe ndërtimi i filtrave në faza” tha Bajram Hamiti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Jugohromit. Kanë reaguar shoqatat ambientaliste. Arjanit Xhaferi, i cili ka kërkuar që të bëhet publike marrëveshja, në të kundërtën do të ketë sërish revolt të qytetarëve.
“Jugohromi nuk guxon të hapet pa përmbushur standardet ekologjike. Reagimi qytetar do jetë i ashpër, nuk do lejohet rihapja e Jugohromit pa plotësim të standardeve. Do kërkojmë po ashtu zbardhjen e marrëveshjes në detaje për të parë se për çka do merren vesh ata dhe do kërkojmë edhe monitorim të pavarur duke angazhuar edhe ekspertë tanë. Zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli, tha se rifillimi i Jugohromit është pjesë e angazhimeve të qeverisë që të gjithë kapacitetet industriale në vend të funksionojnë, por me obligime të plotësuara për mbrojtjen e ambientit. Ai madje tha se Qeveria e kaluar VMRO-BDI ka shantazhuar dhe bërë presion ndaj Jugohromit. Pritet që në fundjavë të nënshkruhet marrëveshje mes qeverisë, menaxhmentit të fabrikës dhe sindikatës për rihapjen e kombinatit. (koha.mk)