Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 dhjetor – Pas rritjes prej as 1 për qind për vitin që po kalon, Maqedonia është në pritje që me stabilizimin e skenës politike në vitit 2018, të arrijë rritje ekonomike prej 3.2 për qind. Banka Popullore e Maqedonisë parashikon që sivjet – rritja ekonomike e Maqedonisë të jetë vetëm 0.5 për qind në vend të shkallës së parashikuar prej 2.5 për qind si rrjedhojë e krizës politike që ka zvogëluar aktivitetin ekonomik dhe investimet, shkruan gazeta KOHA. Rritja ekonomike vitin e ardhshëm do të arrijë 3.2 për qind e mbështetur nga aktivitetet e kapaciteteve të reja të huaja të orientuara në eksport, investimet publike në infrastrukturën rrugore që duhet të fitojë në intensitet pas ngadalësimit në vitin 2017, si dhe pritjet stabile të konsumit të amvisërive, thonë nga BPRM. Në ndërkohë, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se krahas konsumit të amvisërive, çelësi i rritjes ekonomike më të madhe në Maqedoni që nënkupton përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe uljen e papunësisë, qëndron tek investimet vendore dhe të huaja të orientuara në eksport. Ekonomistët thonë se mund të arrihen shkallë më të larta ekonomike në rast se plotësohen kushtet e ndryshme siç janë rikthimi i stabilitetit politik që të mund të ketë rritje më të madhe ekonomike. Gjithashtu, vlerësohet se do të duhet të realizohen reforma të thella dhe rrënjësore që të krijohen kushte për rritjen më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke filluar nga gjyqësori, sundimi i së drejtës, qasjes më të lehtë ndaj financave për bizneset… e kështu me radhë. Kërkohet edhe përzierja sa më e vogël e shtetit në biznes dhe ulje maksimale e rolit të tij si punëdhënësi dhe kontraktori më i madh. “Për rritjen ekonomike të Maqedonisë, kryesorja është përkrahja ndaj kompanive vendore, të cilat prodhimet e tyre duhet ti shesin në tregjet e jashtme. Andaj nevojitet të investohet në projekte inovative, në procese shkencore-teknologjike, si dhe të zbatohen masat aktive për punësim. Investimet e huaja dhe teknologjia që ata sjellin është e mirëseardhur, por megjithatë shteti nevojitet të ketë potencialin e vet sipërmarrës”, thotë eksperti ekonomik Vlladimir Gligorov. Ekonomistët nga ana tjetër thonë se në çdo shtet në botë, në parim, ekonomia rritet përmes eksportit të fuqishëm, jo vetëm nga investitorët e huaj, por edhe nga kompanitë vendore, si dhe nga konsumi i amvisërive. Në Maqedoni, këtë vit konsumi ka qenë stabil, ndërsa investimet e kompanive vendore, por edhe të huaja kanë ngecur si rrjedhojë e ndryshimit të pushtetit, krizës politike dhe politikave akoma të paqarta për biznesin lidhur me ndryshimin e tatimeve, mënyrave të ndryshme të përkrahjes për biznesin për investimet e reja e kështu me radhë.
“Me qëllim që një shtet të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ekonomi të fuqishme, struktura e tij duhet sigurojë bazë të tillë ku do të ketë rritje të vazhdueshme të investimeve me rol udhëheqës të atyre private. Tek ne u tregua se nëse ndalen apo ngadalësohen investimet publike dhe punësimet në sektorin publik, kemi efekte të mëdha ndaj ekonomisë që dëshmon se ajo varet në një pjesë të caktuar nga shteti, ndërsa në të ardhmen – investimet private duhet të jenë më të mëdha dhe më të rëndësishme”, thotë profesori universitar Borçe Trenovski.
Nga ana tjetër, plani qeveritar për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardit të qytetarëve bazohet në përkrahjen ndaj biznesit, investimet në infrastrukturë dhe stabilitetin energjetik të Maqedonisë. “Qëllimi kryesor i Qeverisë është të krijohet biznes ambient stabil për investitorët dhe kornizë juridike, ku çdo investitor do të mund të jetë i sigurt se investimi i tij është i mbrojtur dhe se ligjet vlejnë për të gjithë njësoj. Qeveria është e hapur dhe transparente, me Planin për rritje ekonomike sigurohet qëndrueshmëri e ekonomisë, ndërsa çdo investitor do të dijë që përpara se çfarë përkrahje do të mund të pres prej Qeverisë, pa pasur nevojë të ketë ndonjë marrëveshje me përfaqësuesit e pushtetit”, thotë zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Sipas tij, në përkrahje të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.2 për qind në vitin 2018, janë parashikuar më shumë masa siç është edhe niveli i lartë i investimeve kapitale prej mbi 24 miliardë denarë apo afër 400 milion euro ku qeveria do të angazhohet fuqishëm që së paku 80 për qind e tyre të realizohen në praktikë përgjatë vitit të ardhshëm. Ndryshe, ekzekutivi i ri ka premtuar se përgjatë mandatit të tyre në mesatare do të ketë pesë për qind të rritjes ekonomike, rritje të pagës minimale në 16 mijë dhe të asaj mesatare në 30 mijë denarë. (koha.mk)