Ekspertët ekonomik vlerësojnë se pas 14 vitesh procesi i deçentralizimit të komunave në Maqedoninë e Veriut ka nevojë për një rivlerësim apo rishqyrtim, për shkak të problemeve të mëdha që kanë vetëqeverisjet lokale në funksionimin e tyre të përditshëm
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 mars – Ekspertët ekonomik vlerësojnë se pas 14 vitesh, procesi i decentralizimit të komunave në Maqedoninë e Veriut, ka nevojë për një rivlerësim apo rishqyrtim, për shkak të problemeve të mëdha që kanë vetëqeverisjet lokale në funksionimin e tyre të përditshëm .
Nuk ka nevojë të shpiket ujii ngrohët, vetëm nevojitet që të ‘ndizet bojleri’, duke i adaptuar dhe përshtatur ndaj nevojave dhe specifikave modelet e sukesshme të decentalizimit nga shtetet perëndimore, vlerëson profesori universitetar , Mislim Zendeli, shkruan gazeta KOHA.
“Komunat në Maqedoninë e Veriut kanë plot kompetenca në sfera të ndryshme , megjithatë për dhënien me sukses të shërbimeve për banorët ju nevojiten më shumë financa përmes shpërndarjes më të madh të kulaçit të tatimeve që paguhen në buxhet.Nevojitet që të bëhet edhe një ndarje e re teritoriale që do të jetë në favor të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit, duke marrë parasysh çështjet ekonomike, etnike, demografike, si dhe të mbijetesës së mjaft komunave rurale”, shton më tej Zendeli. Sipas tij, nevojitet të analizohen më mirë edhe kapacitetet e komunave që të menaxhojnë si duhet shërbimet e ndryshme që ju ofrojnë qytetarëve, si dhe të shqyrtohen edhe kapacitetet kadrovike dhe qëndrueshmëria ekonomike e tyre.
NGECJA E ZHVILLIMIT TË BARABARTË RAJONAL
Edhe analizat e mëparshme kanë konstatuar se mungesa e financave për përmirësimin e jetesës së qytetarëve, paraqet problemin numër një për komunat në Maqedoni.
“Problemet më të mëdha të decentralizimit duke filluar nga viti 2005 edhe më tej mbeten mungesa e fondeve për 81 për qind të komunave, legjislacioni i paqartë ose joadekuat me 46 për qind dhe niveli i ulët i përkrahjes dhe bashkëpunimit nga pushteti qendror me 36 për qind. Edhe pse pritej se në bazë të inercionit, që mungesa e mjeteve të jetë edhe më lartë e pozicionuar në listën e problemeve, për momentin problemi në mënyrë dominante rezulton me bllok dotacionet joadekuate nga pushteti qendror që janë të dedikuara për ngrohjen e shkollave dhe transportin e nxënësve. Kjo, gjithashtu mund të jetë edhe shkaku për rritjen e pakënaqësisë nga ana e komunave në raport me cilësinë e legjislacionit dhe nivelit të bashkëpunimit me institucionet e pushtetit qendror , që gjithsesi paraqet sinjal për rritje të brengosjes”, thuhet në raportin analitik të OSBE e kushtuar decentralizimit në Maqedoni të publikuar në vitin 2014.
Analiza më tej në bazë të kërkesave të komunave lidhur me decentralizimin udhëzon se duhet të redizajnohet formula e distriubimit të të ardhurave të TVSH-së për njësitë e vetëqeverisjes lokale duke rritur përqindjen deri në 30 për qind të ardhurave të përgjithshme të TVSH-së.
Gjatë dhjetë viteve të decentralizimit në Maqedoninë e Veriut, komunat akoma janë të pakënaqura me ndarjen e kulaçit financiar, mungesën e kompetencave si dhe ngecjen e zhvillimit të barabartë rajonal . Analiza e QKQ tregon se të gjithë komunat në Maqedoni në vitin, 2016 kanë harxhuar 248 milionë euro për paga që është si shumë gati e barabartë me 254 milionë euro, sa do të harxhojnë për investimet në infrastrukturë.
Kryetarët e komunave të organizuara në BJNVL, thonë se në vitet e kaluara është minimizuar procesi i decentralizimit, dhe kërkojnë të sigurohet pavarësi më e madhe e komunave ngjashëm me komunat evropiane. Gjithashtu, komunat kërkojnë edhe rritjen e bllok dotacioneve për realizimin cilësor të kompetencave të ndryshme
MASAT E REJA ME NDIHMËN E BANKËS BOTËRORE
“Nevojitet një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare , që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra , që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare. Njëherazi kërkohet edhe rritja graduale e të ardhurave për komunat nga Tatimi i Vlerës së shtuar nga 4.5 për qind në 10 për qind si dhe rritje e tatimit personal nga 3 në 50 për qind”, thonë nga BNJVL.
Nga atje, shtojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të komunave, apo më shumë se 60 për qind vijnë nga transferet e pushtetit lokal, që sipas kryetarëve të komunave paraqet bazë për të rrezikuar pavarësinë, andaj një gjë e tillë nevojitet të ndryshohet sa më shpejt.
Njëherazi, nga BNJVL thonë se edhe pse në vitet e fundit është bërë progres i caktuar në pushtetin lokal, ato vlerësojnë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe e kënaqshme, që decentralizimi i pushtetit në vitet e fundit është lënë pas dore dhe harruar, dhe për shkak të kësaj kryekomunarët konsiderojnë se reforma e sistemit të vetëqeverisjes lokale duhet të vazhdojë dhe përsëri të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë .
Në ndërkohë, nga ekzekutivi kanë paralajmëruar se pas shlyerjes së gjysmës së borxheve të komunave apo ndihmës prej 50 milionë euro të vetëqeverisjeve lokale për servisimin e obligimeve, po punohet në revidimin e bllok dotacioneve dhe modelete e reja të financimit të kompetençave në arsim, kulturë etj. Masat e reja që përgatiten me ndihmën e Bankës Botërore pritet të rrisin efikasitetin e shërbimeve komunale. Pritet të sigurohen edhe 70 milionë euro për rikonstrumin e rruge lokale dhe 50 milionë euro për ndërtimin dhe rikonstrumin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në tërë vendin, me ndihmën e institucioneve relevante ndërkombëtare financiare. Përgjatë këtij viti do të jenë në disponim edhe 35 milionë euro të mjeteve të kompanisë TAV, që do të shfrytëzohen për ndërtimin e më shumë objekte infrastrukture në tërë vendin.(koha.mk)